Fshati Social në Gjilan është në prag të përfundimit, kosto 2.5 milionë dollarë

Gjilan – Fshati Social në Gjilan, i cili po ndërtohet me 12 objekte përcjellëse dhe me standarde të larta, donacion nga shteti i Kuvajtit, është në prag të përfundimit.

Lajmi u bë i ditur pas vizitës së drejtorit për Ballkan të Komitetit për Europë dhe Amerikë, Mahmud al Nexhdi, ku së bashku me drejtorët komunal, Selami Xhemaili, Naser Korça e Bekim Bajrami, kanë parë nga afër implementimin e këtij projekti, i cili ka kosto prej 2.5 milionë dollarësh.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemaili, ka konfirmuar se deri tani është implementuar 80 për qind e këtij projekti gjigant, ndërkaq që pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.

Ai tha se si Komunë e Gjilanit, ashtu siç i janë përgjigjur obligimeve të marrëveshjes për dhënien e pronës, do t’i marrin edhe përgjegjësitë e menaxhimit të Fshatit Social në mënyrën më të mirë.

Drejtori për Ballkan të Komitetit për Europë dhe Amerikë, Mahmud al Nexhdi, e ka falënderuar kryetarin Haziri dhe drejtorët komunal për bashkëpunimin dhe mundësinë e ofruar për investime në përfundimin e këtij projekti të jashtëzakonshëm.

Ai ka shfaqur shpresën se pas përfundimit të këtij projekti, menaxhimi atje do të jetë në nivel të lartë, për të gjitha kategoritë që banojnë dhe për stafin.

Përndryshe, gurthemeli i Fshatit Social është vënë në shtatorin e vitit 2018, ndërsa do të strehohen fëmijët jetimë, pleqtë e nënat pa përkujdesje.

12 objektet e Fshatit Social janë ndërtuar me krejt infrastrukturën për rehabilitim, shkollim, pushim, rekreacion, dhe për lutje./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).