Fshati që do t`i shpëtoi Apokalipsit

Një profeci antike nënvizon se një fshat i fjetur në Pirineje, në Francë, do të jetë vendi i vetëm në tokë që do të shpëtojë, kur “bota të përfundojë më 21 dhjetor 2012”. Por, nuk janë të gjithë banorët lokalë të lumtur dhe të kënaqur për shkak të kësaj profecie.
Në shpatet e Pirinejeve në Francë, gjendet fshati Bugarach, një fshat me 176 banorë, me pak bujqësi dhe pothuajse pa ndotje të ajrit, për të cilin deri para pak viteve nuk kishte dëgjuar pothuajse askush. Tani Bugarach me plotë kuptimin e fjalës është fshati më i famshëm në Francë, i njohur edhe si “fshati në fund të botës, si “fshati i përzgjedhur”, apo si e cilësoi CNN, “destinacioni në ditën e apokalipsit”.
Sipas një profecie/spekulimi në internet, të cilit askush ende nuk i ka rënë në fije, një kalendar antik i majave parashikon fundin e botës në mbrëmjen e 21 dhjetor 2012 dhe vendi i vetëm në botë që do të shpëtojë: fshati i fjetur Bugarach. Prefekti, Jean Delord, një bujk 60 vjeçar, për herë të parë vërejti parashikimin apokaliptik para dy viteve në internet, pasi që u alarmua nga fshatarët.
Ai e përmendi këtë në një takim të këshillit, duke sugjeruar ndërmarrjen e masave speciale të sigurisë, ndoshta edhe kërkimin e logjistikës ushtarake, për të rregulluar valën e vizitorëve në dhjetor të vitit 2012. Një pjesëmarrës në takim njoftoi për këtë shtypin lokal dhe nuk vonoi shumë dhe arritën edhe mediet botërore, të cilët filluan të pyesin fshatarët për pikëpamjet e tyre për fundin e botës.
Qeveria e Francës formoi ekipe për vëzhgimin e aktiviteteve të sekteve të ndryshme, me qëllim që të parandalojë aktivitetet apokaliptike të tyre, apo ritualet vetëvrasëse të kulteve që parashikojnë fundin e botës, siç është Rregulli i Tempullit Solar, pjesëtarë të së cilit kryen rituale të vrasjeve në Alpe në vitin 1995. Deri në fund të vitit 2010, zyrtarët e qeverisë franceze kanë zbuluar 2.5 milionë faqe në internet që ishin marrë me fenomenin e Bugarachit. Numri i këtyre faqeve tani është shtuar dukshëm. Edhe mediet kanë ndihmuar në përhapjen e rrëfimit për Bugarachin.
Por me afrimin e Ditës D, spekulimet kanë krijuar një atmosferë të rëndë për fshatarët, të cilët lutën që gjithë kjo histeri të marrë fund.
“Mbishkrimi në hyrje të fshatit me emrin e Bugarachit është vjedhur për të tretën herë. E dini, kjo po na kushton mjaft para. Fshati jonë gjithmonë ka joshur njerëzit me besime ezoterike, kanë qenë këtu më herët dhe do të jenë edhe më vonë, por kjo me të cilën po përballemi tani është një gjë krejt tjetër”, thotë prefekti Delord.
Ky kënd në jug të Francës për një kohë të gjatë ka qenë epiqendër e fabulave mistike dhe teorive okulte të konspiracio0nit. Thuhet se edhe Nostradamusi ka kaluar një kohë të fëmijërisë së tij në fshatin e afërt, Alet Les Bains.
Por në Bugarach, thotë Delord, çdo gjë ndërlidhet me malin. Në një lartësi prej 1320 metra, maja e Bugarachit shikon mbi fshat. Tingujt e çuditshëm nga nëntoka dhe efektet e dritës në maje të malit për dekada me radhë, kanë bërë që mali të konsiderohet jo vetëm si një vend për aterrimin e UFO-ve, por edhe si një “parking nëntokësor” për UFO-t. Njerëzit që besojnë në UFO shpesh vijnë në Bugarach, në kërkim të ndonjë materiali jashtëtokësor. Thuhet se edhe ish-presidenti i Francës, Francois Mitterand, ka shkuar në fshat me helikopter, për të vëzhguar terrenin.
Delord nuk ka kritika ndaj atyre që besojnë në UFO. “Është ky një mal i jashtëzakonshëm dhe njerëzit thonë se shohin gjëra-shkëlqim, drita, por jo domosdo jashtëtokësorë”, thotë ai dhe shton se shpreson se jashtëtokësorët ekzistojnë vërtetë diku në gjithësi. Delord mohon kritikat e disa njerëzve, të cilët theksojnë se ai vetë ka nxitur interesimin e medieve.
Por a beson ai se bota do të përfundojë më 21 dhjetor? Ai hap sytë. “Natyrisht se jo. Që nga antikiteti, është kjo profecia e 183-të për fundin e botës. Por nuk mund të rrezikoj dhe të lejoj që shumë njerëz të vijnë këtu, të ngjiten në mal dhe të lëndohen”, thotë Delord. Ai dëshiron që autoritetet lokale të mbyllin shtigjet në mal dhe të kontrollojnë turmat.
Profecia apokaliptike ka nxitur dyshime dhe kundër-teori. A mos është profecia e dizajnuar për të zhvendosur vëmendjen e njerëzve nga debati i vërtetë për atë se a duhet të ndërtohen turbinat e erës në këtë fshat, thonë disa.
Barabara Delahaye, një turiste nga Spanja dhe besimtare e devotshme, thotë se nuk ka ndonjë të keqe në gjithë këtë rrëmujë. “Si i krishterë, duhet të jesh gjithmonë i përgatitur për fundin e botës, nuk është ndonjë gjë e keqe që të jesh i vetëdijshëm për këtë”, thotë ajo.
Sidoqoftë, qeveria franceze është e obliguar që të trajtojë gjërat me seriozitet. Gjatë javëve të ardhshme, shteti do të vendos se çfarë niveli i sigurisë do të nevojitet në fshat më 21 dhjetor, për atë se a duhet të mbyll shtigjet malore dhe si të trajtojë vizitorët.
Delord, përderisa shpreson se e gjithë rrëmuja do të përfundojë së shpejti, megjithatë krenohet me famën e fshatit të tij.
“Po të kisha qenë i detyruar të paguaja agjencitë për komunikim për një publicitet të këtillë, atëherë kjo do të më kishte kushtuar një pasuri të tërë”, përfundon Delord. (The Guardian)