Uji Dea

Fshati Dobërçan shembull se si duhet të mirëmbahet ambienti

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, për fshatin Dobërçan nuk paraqet ndonjë risi, sepse tradita e krijuar për mirëmbajtjen e ambientit, këtu daton që nga vitet e ’90-ta, kur janë bërë organizimet e para për mirëmbajtjen e hapësirave publike të fshatit, traditë kjo e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite, tash së fundmi, falë angazhimit dhe punës vullnetare të shumë banorëve si dhe shoqatës së bashkatdhetarëve tanë në Diasporë, shoqata 17shkurti.ch, e cila paguan dy punëtor të rregullt, të cilët kujdesen për mirëmbajtjen e vazhdueshme të pastërtisë në fshat.

Aksionit, me moton “Ta pastrojmë Kosovën”, i cili filloi në tërë Kosovën, me ç’rast edhe në Dobërçan, në fundjavën që lamë pas, i paraprinë nxënësit e shkollës së fshatit, së bashku me drejtorin, mësimdhënësit dhe stafit teknik, duke pastruar tërë hapësirën e brendshme dhe të jashtme të shkollës, në ditën e shtunë, datë: 15 shtator 2018. Por, ky aksion nuk përfundon me një ditë në Dobërçan, sikurse ndodhi në shumicën e vendeve të Kosovës, sepse edhe të dielën, më 16 shtator, një grup i vullnetarëve të fshatit në bashkëpunim me shoqatën 17shkurti.ch, vazhduan aksionin, duke pastruar të gjitha rrugët kryesore dhe rrugicat e fshatit. Ndërsa, në ditën e tretë, të hënën, më 17 shtator, aksioni vullnetar vazhdoi me pastrimin e hapësirave në oborrin e shtëpisë së shëndetit dhe shtëpisë së kulturës, ku janë të vendosura zyra e vendit dhe biblioteka e fshatit, si dhe vendosjen nëpër drunj dhe vendet tjera të shumë shtëpizave për zogjtë të cilët ia shtojnë bukurinë fshatit.

As këto aktivitete nuk janë të fundit, sepse grupi i vullnetarëve, ka hartuar tashmë, planin e veprimit edhe për ditët e ardhshme, ku në këtë fundjavë, do të bëhet pastrimi i Parkut të Dëshmorëve, si dhe parkut tjetër pranë xhamisë së poshtme, për të vazhduar më tej me pastrimin/larjen e të gjitha rrugëve dhe rrugicave të cilat tashmë janë të asfaltuara.

Fundamenti

Këto aktivitete, kanë për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve në përgjithësi, për rëndësinë e ruajtjes së ambientit si dhe për tu bër shembull se si duhet të angazhohemi së bashku për të mirën e fshatit dhe se me punë e vullnet, arrihen të gjitha.

Fshati Dobërçan, me të drejtë po vazhdon të cilësohet nga shumë media si “fshati më i pastërt në Kosovë”, të cilat kanë ber reportazhe të ndryshme e duke u mahnitur me punën tonë dhe duke dhënë shembull për vendbanimet e tjera se si duhet mirëmbajtur ambienti ka shkruar Rexhep Arifi./rajonipress/