Fundamenti

Fshati Çelik ka një hall, banorët duan asfaltin

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Asfaltimi i rrugës që lidh fshatin me rrugën e asfaltuar Zhegër – kufiri i Maqedonisë do të krijonte kushte të mira jetese për banorët. Rruga për ta është jetë, sepse nxënësit deri në shkollën e Shurdhanit dhe tutje në Zhegër, si dhe qytetarë të tjerë nuk do niseshin me dyshime nëse do të ngecin në këtë rrugë.

Banorët janë të vendosur të jetojnë në fshat, bile ka patur edhe ndërtime shtëpish për banim dhe nisma për zhvillim të turizmit malor.

Mirëpo, njerëzit e Çelikut kanë një hall, i cili nuk kërkon buxhet të madh dhe mund të zgjidhet. Asfaltimi i rrugës rreth 3 kilometërshe mbetet prej vitesh brenga e fshatit.

Rruga për në fshat ngjitet nga rruga kryesore Zhegër – Stançiç – kufiri me Maqedoninë.

Sipas Shefket Bajramit, aktivist i fshatit, rruga paraqet vështirësi për qarkullim, sidomos gjatë shirave dhe dimrit, pasi është e rrëpirët dhe gjarpërore.

Bajrami ka nënvizuar nevojën e rregullimit të kësaj rruge që banorët të mos shpërngulen. Rruga është shtruar me zhavor, por dimrat e kanë keqësuar dhe e kanë kthyer në gjendje të papërshtatshme për kalim veturash e automjetesh të tjera.

Uji Dea

Ai ka thënë se verës për mirëmbajtje është angazhuar kompania “Bejta Commerce”, e gjatë stinës së dimrit një kompani tjetër për pastrim bore. Tashti zhavori është tretur nga ujërat dhe shtypja e makinerisë së pastrimit, ndërsa rrëketë e shiut kanë tërhequr edhe gurgjit dhe kanë krijuar përroska skaj rruge, duke e ngushtuar gjithnjë dhe gropa përgjatë rrugës.

Bajrami dhe banorë të tjerë të fshatit kërkojnë që rruga të asfaltohet.

Çeliku është fshat malor dhe shumë pitoresk. Me klimë të butë në stinët e ngrohta, me lartësi mbidetare prej 700 metrash ofron, kushte të mrekullueshme për turizëm malor, verë e dimër.

Asfaltimi i rrugës nga Bashkësia Lokale e Shurdhanit deri në Çelik do të krijonte kushte jetese, siguri më të madhe për banorët dhe perspektivë për familjet aty dhe mundësi kthimi për familjet që i kanë pronat në fshat.

Burime nga Komuna kanë thënë se janë bërë shumë asfaltime rrugësh e rrugicash dhe ka shumë projekte rrugore për vitin 2016. Prandaj, nuk përjashtohet as asfaltimi i rrugës së fshatit Çelik./nexhat buzuku/rajonipress/