UBT

Frikë për manipulim të zgjedhjeve

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Partitë opozitare kanë frikën se edhe zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të manipulohen, duke përmendur kështu manipulimet me vota në zgjedhjet e fundit parlamentare, siç thonë ata, nga partia në pushtet.

Sipas tyre, shkuarja në zgjedhje me ligj të vjetër dhe pa u përfunduar reforma zgjedhore dhe mosndëshkimi i vjedhësve të votave nga zgjedhjet e kaluara, paraqet një parakusht potencial të lartë për përsëritjen e manipulimit të rezultatit zgjedhor.

Nga ana tjetër partia në pushtet, PDK-ja thotë se në çdo proces elektoral shfaqen droje të tilla jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.“Të gjitha përgatitjet teknike janë bërë edhe nga KQZ-ja që të parandalohen vjedhjet e votave. Përveç kësaj edhe kodi penal është tepër i ashpër për ata që vjedhin vota. Kodi i ri penal është një lloj garancie pasi që kushdo që bën vepra penale që lidhet drejtpërdrejt me votën nuk do të dënohet vetëm me të holla, por edhe me burg”, ka thënë për “Zërin” Behar Selimi nga PDK.

Sipas tij, kjo droja e opozitës duhet të hiqet, duke i marrë parasysh këto dy elemente përmirësimet teknike dhe ashpërsimin e dënimit përmes kodit të ri penal për ata që abuzojnë me votën.

Ndërkaq, Ismet Beqiri i LDK-së, thotë se është shqetësues fakti që zgjedhjet janë shtyrë për 3 nëntor dhe në këtë drejtim, sipas tij, ka vend për dyshime se ato sërish do të manipulohen. “Ne do të bëjmë çmos që të mos abuzohet vota e qytetarëve nga militantët dhe struktura e PDK-së, por këtu ka vend për të dëshiruar për faktin se dënimet ndaj atyre që kanë vjedhur me votat e qytetarëve janë stimuluese”, ka thënë Beqiri.

Ky i fundit ka drejtuar “gishtin” nga partia e kryeministrit Hashim Thaçi se është bërë pengesë për ecjen tutje të reformës zgjedhore, duke e bërë të mundur edhe një manipulim të radhës.

Ahmet Isufi nga AAK-ja kërkon që zgjedhjet e 3 nëntorit të monitorohen nga mekanizma vendorë dhe ndërkombëtarë, duke mos lejuar që të përsëritet ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Megjithatë, sipas tij, në projektligjin ekzistues ka gjasa që të ndodhin manipulime sepse lejohet hapësira për ta bërë një gjë të tillë.

Mobi Casa

“Moskalimi i reformës zgjedhore lë hapësirë për manipulim. Ka pasur një joseriozitet të partisë në pushtet për ta miratuar reformën zgjedhore dhe kjo dëshmon se dikush është i interesuar që zgjedhjet t’i manipulojë”, ka thënë Isufi. Ai ka thënë se në AAK e kanë drojën për manipulim pasi që, siç shprehet ai, ende kemi të njëjtin ligj. Isufi ka thënë se duhet të pasur shumë kujdes nga ata që kanë manipuluar në zgjedhjet e kaluara dhe se ata do të duhej ta merrnin dënimin e merituar.

Sekretari Organizativ i lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Molliqaj, thotë se janë duke i bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të përzgjedhur vëzhguesit dhe komisionerët me të mirë, për të qenë gati për të mbrojtur votën.

“Ka tendenca që disa nga subjektet politike duan ta manipulojnë prapë procesin zgjedhor. Vetë fakti që data e zgjedhjeve është caktuar 3 nëntori, kur dita është më e shkurtër, flet qartë për dëshirën për ta manipuluar procesin e zgjedhjeve”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, “Vetëvendosje” është shumë e bindur dhe e sigurt që do ta mbrojë me çdo kushte votën e secilit votues. Në të njëjtën kohë, Molliqaj i ka bërë ftesë bashkësisë ndërkombëtare që të ketë prezencë sa më të madhe të vëzhgueseve ndërkombëtarë në këto zgjedhje.

Ndërkaq, Avni Zogiani nga Organizata “Çohu”, ka thënë se në zgjedhjet e fundit PDK-ja ka treguar se ka kapacitet të jashtëzakonshëm në vjedhjen dhe manipulimin e votës.

“Tani mendoj se këto kapacitete vetëm sa i ka rritur për shkak të përdorimit direkt të pushtetit në ngritjen dhe forcimin e strukturave që i shërbejnë si parti. Në anën tjetër, institucioni i zgjedhjeve nuk ka ndryshuar apo forcuar, por ka ngelur skajshmërisht i brishtë. Kështu që mendoj se kushdo që shpreh frikën për vjedhjen e votave ka arsye të fortë për këtë”, ka thënë Zogiani.(zeri)