UBT

Frika nga varfanjakët

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arbana Xharra – Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, edhe opozita kanë ardhur me një pikë kur të dyja kanë një frikë të përbashkët. Ata qartazi po i tuten qytetarit të Kosovës, nuk janë të sigurt se e kanë apo jo sa duhet mbështetjen e tyre. Do të dalin apo jo në rrugë, kush më lehtë mund t’i nxisë e kush t’i pashisë… Të dyja anët s’janë më të sigurta në fuqinë e tyre përballë popullit. Opozita arriti të mbledhë mbi 170 mijë nënshkrime kundër Asociacionit të Komunave Serbe, por nuk është e sigurt sa mbështetës do t’i dalin në rrugë.

Tash sa javë si me “gjysmë goje” paralajmërohet se mund të ketë protesta, por ato nuk u thirrën, sepse thjesht opozita e di shumë mirë rrezikun politik e dështimit kësaj radhe me protesta. Por në anën tjetër, një iniciativë që ka arritur të mbledhë kaq shumë mbështetës në letër duket se ia ka futur frikën kryeministrit, sa veta mund të dalin në rrugë kundër “Zajednicës” e deri në kërkimin e largimit të tij! Duke e ditur se ka të bëjë me një popull të varfëruar, nga vetë pushteti, në mos më i varfri në Evropë, i frikësuar se për çdo shenjë kryengritjeje do të pasojë hakmarrja nga ana e pushtetit, Isa Mustafa vendos ta blejë paqen sikurse më herët paraardhësi i tij me paga e punësime në sektorët publikë.

Lajmi se Qeveria e Kosovës paska marrë vendim që t’i rrisë pensionet për 100 euro dhe ndihmat sociale ka marrë me mijëra shpërndarje nëpër rrjetet sociale, top-lajm i portaleve, gëzim i madh për qytetarin fukara. Kjo të tregon se në çfarë zori është një kategori e madhe e qytetarëve të Kosovës. Jo vetëm pensionistët, por edhe mijëra familje që janë në skema sociale që duket qartë se ishin kësaj radhe targeti i kryeministrit, Isa Mustafa. E këtë derexhe të mjerë të kosovarëve, në mënyrë më perfide, e shfrytëzon pushteti sa herë që është në zor.

Hidromorava

“Gëzoje fukaranë e mjerë” që s’ka komoditet as të mendojë pse pikërisht në këto ditë u dha ky lajm? Pse kur po bëhet “zhurmë” kaq e madhe me Asociacionin e Komunave Serbe e në situatën më të vështirë politike prejse Isa Mustafa është emëruar kryeministër. Si i paska rënë ndërmend në tërë këtë siklet me opozitën që t’i rrisë pensionet dhe skemat sociale? Por, në fund të ditës pse duhet të mendojë pensionisti i shkretë çka po ndodh me politikën e “Zajednicën” kur problemin më të madh e ka si ta kalojë muajin me 75 euro, ai tjetri që dikur ka kontribuuar në skemat pensionale të ish-Jugosllavisë e sot merr vetëm 140 euro, apo ajo familje që merr 40 euro në muaj lëmoshë nga shteti. Nga perspektiva e ekonomistit, kryeministrit Mustafa nuk i është nevojitur shumë për të bërë një përllogaritje të thjeshtë. Janë rreth 25 mijë familje me mbi 130 mijë anëtarë që përfitojnë ndihmë sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj dhe dhjetëra mijëra pensionistë.

Kremte për varfanjakët e Kosovës ishte pikërisht shënimi i Ditës së Varfërisë, kurse pensionistët duhet t’i mbajë shpresa edhe pak muaj kur në xhirollogaritë e tyre të dalin nga 100 euro më tepër. Kështu blihet paqja në Kosovë me paratë e buxhetit të shtetit, që s’janë të bahçes së babës së Isa Mustafës, por të vet qytetarëve të Kosovës. Në fund të fundit, Mustafa s’është as i pari dhe as i fundit. Të njëjtën taktikë e ka përdorur edhe paraardhësi i tij, Hashim Thaçi. Sa herë që u ngushtohej laku, zgjidhja bëhej e lehtë, “blije fukaranë” e mbyllja gojën.

Një skenë politike si kjo arrin të mbijetojë për shkak të pjesëmarrjes së përbashkët në interesa kriminale, grupeve të frikësuara, për shkak të një shoqërie civile të dobët, mungesës së traditës demokratike dhe vetëdijes qytetare. Revolucioni që po kërkohet nuk është zgjidhje, këtij vendi i kthehet dinjiteti me një kryengritje të mendjeve kritike, të pashantazhuara.