Uji Dea

Forumi i Bledit “bashkon” Kurtin me Ramën, Fajon: Sllovenia do të punojë shumë për ta sjellë Ballkanin më afër BE-së

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023, ka marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob.

Në fotot që janë publikuar në rrjetin social “X”, nga Qeveria e Sllovenisë, Kurti shihet krahas pjesëmarrësve tjerë.

Kurti në darkën e punës së kryeministrit të Sllovenisë, është parë teksa bisedon me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Por, në tavolinë Kurti shihet i ulur pranë Ramës, ku edhe pse në asnjë moment nuk janë parë duke biseduar me njëri tjetrin, në fotot që ka postuar kryeministri i Shqipërisë në Instagram shihen duke qeshur, teksa shtrëngojnë duart.

“Lubjanë, Slloveni – Në darkën e mikëpritjes së Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, e me kolegët e rajonit në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit nesër”, ka shkruar Rama.

Uji Dea

Të pranishëm janë gjithashtu edhe kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo si dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon ka komentuar takimin duke e quajtur “Mbledhje të madhe me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor”

“Ne duhet të mendojmë jashtë kornizave dhe të përshpejtojmë procesin e zgjerimit. Procesi i bazuar në vlerë na bashkon. Sllovenia do të vazhdojë të punojë shumë për ta sjellë Ballkanin Perëndimorë më afër Bashkimit Evropian”, ka shkruar Fajon në platformën X.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023.

Reklama
Kurti të hënën do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale./Telegrafi/