Formohet grupi për përgatitjen e propozim planit për persona me aftësi të kufizuar
Gjilan – Kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa ka vlerësuar se është bërë një punë e mirë deri tani për avancimin e kushteve për personat me aftësi të kufizuar, gjatë një takimi me grupin e punës për hartimin e planit komunal për personat me aftësi të kufizuar, për periudhën 2013 – 2016.
Falë punës që është bërë dy–tri vitet e fundit, në bashkëpunim me Koporacionin Italian, Gjilani ka arritur t`i përmirësojë ndejshëm kushtet për personat me aftësi të kufizuar, sa i përket infrastrukturës rrugore, qasjes në ndërtesa publike, trajnimit të stafit e deri te përmirësimi i infrastrukturës ligjore.
Tani planifikohet trajnimi i stafit edhe në aspektin e rehabilitimit psiko–social, ka thënë kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa.
Grupi ndërsektorial ka mbajtur takimin e parë ku u informua për detyrat dhe obligimet që do të ketë. Në këtë grup të punës janë të përfshirë profesionistë nga lëmenjtë e ndryshëm të shërbimit civil të komunës.
Nga shëndetësia marrin pjesë dr. Hajriz Ibrahimi, kryesues, Dr. Ismet Uruqi, anëtar, nga edukimi Arsimi – Liridona Ukshini, Arben Keka, nga Urbanizimi – Fadil Sherifi, nga Mirëqenia Sociale – Mehat Berisha, nga Kultura, Rinia e Sporti – Armend Misini, nga Shërbimet Publike – Enver Biqku, Remzi Kqiku si dhe nga organizatat e personave me aftësi të kufizuar, të cilat do të përfaqësohen sipas një rotacioni – “One to One” , “Caritas Kosova” , “Save the Children”. Të drejtë pjesëmarrje kanë edhe përfaqësuesit që trajtojnë sindromën “daun” si dhe shoqatat e të shurdhërve dhe e të verbërve.
Hajriz Ibrahimi, kryesues i grupit punues, ka thënë se ata kanë për detyrë të vazhdojnë punën e filluar për hartimin e planit komunal të aftësisë së kufizuar, gjegjësisht finalizimin e tij në pjesët ku nuk është kryer ende.
Ibrahimi tha se grupi do të punoj në të gjithë sektorët ku ka nevojë, që të ta përmirësojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, në të gjithë sektorët. /rajonipress/


