ARKATANA

“Forja” e Hekuranit në Zvicër

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Vlera e kartonit të Hekuran Kryeziut në tregun e futbollistëve vlerësohet rreth 1 milion euro. Mirëpo mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës gjatë verës mund të transferohet në ndonjë klub tjetër evropian si lojtar i lirë, pasi kontrata me Luzernin po i përfundon. Disa klube italiane tashmë ia kanë mësyrë 25-vjeçarit, i cili i posedon disa karakteristika që vlerësohen shumë në futbollin italian, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Hekuran Kryeziu është bërë një emër i njohur, por edhe mjaft i përfolur në Zvicër ku edhe është duke bërë karrierë. Futbollisti i njohur i Përfaqësueses së Kosovës luan aktualisht për Luzernin, por pozicioni i tij në këtë klub dhe po ashtu e ardhmja e 25-vjeçarit janë mjegulluar. Mesfushori pritej ta arrinte një numër të caktuar të paraqitjeve me Luzernin për ta vazhduar me këtë klub edhe për një vit kontratën, e cila skadon në verë.

Mirëpo, kjo nuk po ndodh. Kryeziu kohëve të fundit nuk është duke luajtur fare gjë që po arsyetohet me një lëndim të tij. Mirëpo, mediet zvicerane dyshojnë se kosovari nuk është fare i lënduar, por qëllimisht nuk po luan, me qëllim që të mos e arrijë numrin e paraqitjeve të caktuara, të cilat do ta obligonin ta nënshkruajë kontratën e re me Luzernin.

Kjo për shkak se Kryeziu planifikon të transferohet si lojtar i lirë në ndonjë klub më të madh evropian qysh në afatin kalimtar të verës. Ai vlerësohet shumë si një mesfushor qendror, i cili është shumë i shkathët t’i ndihmojë mbrojtjes duke i ndërprerë aksionet e ekipeve kundërshtare.

Mobi Casa

Por, di mirë të nis aksione për sulmin e ekipit të tij që nga mesfusha. Është një lojtar mjaft i mençur në futboll. Këto aftësi të tij thuhet se janë vërejtur sidomos nga klubet italiane, të cilat janë tepër të dhëna pas futbollistëve me këso aftësish.

Si emra përmenden Lazio, Sampdoria dhe Genoa. Kur mediet zvicerane e kanë pyetur Kryeziun rreth krejt kësaj situate dhe dyshimeve të tyre në lëndimin e tij, reprezentuesi kosovar u është përgjigjur në mënyrë ironike.

“Çfarë përmban kontrata ime me Luzernin është çështje që mbetet vetëm në mes nesh”, ka thënë Kryeziu, duke refuzuar të tregojë se edhe sa ndeshje duhet t’i zhvillojë me Luzernin për ta vazhduar kontratën me këtë klub.

“Jam profesionist dhe dua të luaj gjithmonë në çdo ndeshje. Është absurde kjo në të cilën dyshoni”, ka theksuar ai. Reagimi i Kryeziut për mediet zvicerane më shumë ka qenë një vërtetësi i atyre që i thonë për të sesa një mohim./Zëri