RCCOLA

Forca e padisiplinuar

/ 6 minuta lexim

Furnizohen më lëngje fals, nuk japin llogari me kohë për paratë që i harxhojnë në udhëtimet zyrtare, si dhe u japin paga punëtorëve edhe kur nuk shkojnë në punë. Këto janë vetëm disa nga gjetjet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) në auditimin që i ka bërë Ministrisë së Agim Çekut për vitin 2012. Megjithëkëtë, zyrtarë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë i kanë premtuar auditorit se në këtë vit do t’i përmirësojnë lëshimet.

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës pinë ujë e lëngje fals. Këtë e ka vërtetuar Zyra e Auditorit të Përgjigjëm (ZAP) kur ka kryer auditimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) për vitin që lamë pas.

Duke e kontrolluar buxhetin, kontratat dhe gjithçka tjetër në këtë Ministri, ZAP ka vënë re se pjesëtarët e FSK’së po pinë ujin dhe lëngjet freskuese jo origjinale, pavarësisht se në kontratë ishte kërkuar që ato të jenë të cilësisë së lartë dhe të jenë në kanaçe, e jo në shishe dy litërshe.

“Te kontrata ‘Furnizimi, përgatitja, shërbimi me ushqim dhe artikuj ushqimor’ në klauzolën plotësuese të kësaj kontrate te pika 20, pijet duhet të jenë origjinale dhe në paketim jo më të madh se 0.5 litra si pjesë e racionit nga një pije për secilin pjesëtar (ujë i thjeshtë dhe mineral) edhe pije freskuese ( Coca cola, Fanta, Sprite dhe Shweppes)”, thuhet në përshkrimin e kontratës tek e cila ZAP ka gjet parregullsi.

Pasi kjo zyrë ka ekzaminuar plot tri herë kuzhinën e kësaj ministrie ka vërejtur se firma e cila kishte fituar tenderin për furnizimin e pjesëtarëve të FSK’së me pije freskuese, nuk e ka respektuar kontratë ashtu siç i është përcaktuar në fillim.

“Pijet e ofruara ishin në paketim 2 litërsh, si dhe nuk ishin origjinale,siç janë kërkuar me kontratë”, ka zbuluar ZAP, sipas të cilit furnizimi me artikuj të cilësisë së dobët dhe me një çmim më të madh mund t’i shkaktojë humbje financiare ministrisë.

“Prandaj ne i rekomandojmë menaxhmentit të MFSK që të sigurohet se do të furnizohen vetëm artikujt siç parashihet me kontratë dhe të cilësisë së kërkuar. Dështim et në proces duhet të rishikohen”, është kërkesa e ZAP, drejtuar kësaj ministrie.

E pos lëngjeve që pinë, MFSK nuk ua vë veshin as parave që ua jep zyrtarëve të saj kur udhëtojnë jashtë shtetit, duke lënë dyshimin se po keqpërdorin kështu paranë publike. Për këtë qëllim kjo Ministri ka shpenzuar afër 180 mijë euro, por jo të gjitha i ka arsyetuar se si kanë shpenzuar.

Mobi Casa

ZAP ka vërtetuar se nëntë raste të udhëtimeve zyrtare nga 19 sosh nuk janë mbyllur me kohë, siç kërkohet me udhëzimin administrativ për udhëtime zyrtare, i cili përcakton që arsyetimi i parave të shpenzuara në atë udhëtim të mbyllen brenda 15 ditëve pas kthimit nga udhëtimi.

“Shkaku kryesor ishte neglizhenca e zyrtarëve për sjelljen e dëshmive lidhur me shpenzimet e realizuara. Kjo rrit rrezikun që paraja publike të përdoret në mënyrë të parregullt nga persona të caktuar”, ka vërtetuar ZAP.

E ky nuk është i vetmi rast që dëshmon se MFSK është dorëlirë kur janë në pyetje paratë publike. Ngjashëm ka vepruar edhe me një të punësuar në këtë Ministri. Kjo e fundit ia ka dhënë plot tri paga këtij punëtori pa u paraqitur fare në punë. Ai mori afër 2 mijë euro rrogë, pa punuar fare. Kjo sipas ZAP ndodhi për shkak të vonesës së mbledhjes së bordit disiplinor i cili do të duhej të merrte vendim për të.

“ Një i punësuar në MFSK nga data 15 nëntor 2011 nuk ishte paraqitur në punë. Për të shqyrtuar këtë rast bordi disiplinor nuk ishte mbledhur deri me datë 23 mars 2012. Pas shqyrtimit të këtij rasti nga bordi disiplinor, me 13 prill 2012, komandanti kishte marrë vendim për ta larguar nga puna të punësuarin në fjalë. Si pasojë e vonesës së mbledhjes së bordit për shqyrtim i punësuar i kishte marrë edhe tri paga shtesë. MFSK për periudhën janar – mars të vitit 2012 për këtë të punësuar ka paguar 1 mijë e 185 euro”, ka gjetur ZAP sipas të cilit këto para të cilat ky punëtor i ka marrë pa punuar fare duhet që të rishikohen dhe më pas cent më cent t;i kthehen Buxhetit të Kosovës.

Por jo gjithçka është e zezë në raportin që ZAP ka publikuar për pasqyrat financiare të MFSK’së për vitin që e lamë pas. Sipas kësaj zyre, MFSK’ja gjatë vitit 2012 ka bërë një progres në përmirësimin e sistemit të kontrollit dhe menaxhimin financiar. Sipas raportit, ajo ka arritur të shpërndajë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë në pajtim me strukturën organizative të saj.

“Kjo tregon gatishmërinë e tyre për të përmirësuar në vazhdimësi menaxhimin e parasë publike”, sqaron ZAP. Megjithëse sipas këtij të fundit ekzistojnë edhe disa fusha në të cilat menaxhmenti i MFSK’ së duhet të marrë masa për të përmirësuar ato gjatë vitit 2013. “Një pjesë e rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit të vitit 2011 nuk janë adresuar”.

E ka diçka që po ia mban gjallë shpresat e ZAP’it. Kësaj të fundit menaxhmenti i ka premtuar se do të përmirësohen këtë vit. “Menaxhmenti është pajtuar me të gjitha të gjeturat tona të auditivit dhe janë zotuar se do t’i adresojnë rekomandimet tona”.(express)