Fundamenti

Forca e Kosovës

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Përfaqësuesja e Kosovës është gati për miqësoret me Turqinë dhe Senegalin. Përzgjedhësi Albert Bunjaku e ka zbardhur të hënën listën e futbollistëve që do të jenë pjesë e ekipit të tij për duelet e 21 e 25 majit, në të cilën shihen disa ndryshime. Prurjet me të mëdha janë ato të Debatik Currit dhe Mehmet Hetemajt, ndërsa mungojnë emrat e përfolur si Beg Ferati e Arlind Ajeti, por edhe sulmuesi kryesor, Ilir Azemi.

“E di që keni pritur gjatë për këtë listë, por për ne me rëndësi është që lista të jetë e qëndrueshme. Ne kemi mundur ta shpallim edhe më herët, por nuk do të ishte e qëndrueshme dhe do të pësonte ndryshime”, tha përzgjedhësi Bunjaku në konferencën për shtyp.

Ai i pret me padurim dy përballjet e radhës, të cilat si mundësi ideale në procesin e ndërtimit të një ekipi të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

“Është nder i madh për ne që do të luajmë kundër dy superfuqive të mëdha siç janë Turqia dhe Senegali. Është mirë që kemi filluar procesin e zhvillimit të ndeshjeve, por ne tani jemi të fokusuar në ndeshjen e parë kundër Turqisë. Vetëm pas 4-5 ndeshjeve do ta shohim dhe do ta kuptojmë se ku jemi duke shkuar”, vazhdoi ai.

Ndonëse është në emëroren e të ftuarve, ende nuk dihet se a do të vijë portieri Samir Ujkani, i cili pritet që të martën ta japë përgjigjen përfundimtare, ndërkohë që në rast të mungesë së tij, do të ftohet portieri i Ferizajt, Ilir Avdyli.

Katër futbollistë të cilët janë ftuar në mesin e 23 të tjerëve për ndeshjen kundër Turqisë, nuk do të paraqiten në ndeshjen e dytë kundër Senegalit, e cila zhvillohet në Gjenevë me 25 maj. Për dallim nga ndeshja kundër Haitit, në të cilën ishte e pamundur përfshirja e ndonjë futbollisti nga kampionati i Shqipërisë, këtë herë Bunjaku ka ftuar Bajram Jashanicën e Besës së Kavajës dhe Yll Hoxhën e Kukësit dhe kjo ishte befasia për të pranishmit. Bunjaku e mohon se këtë e ka bërë për shkak se vendi ka mbetur bosh.

“Asnjëherë në Përfaqësuese nuk do të ftohen futbollistët që nuk e kanë merituar të ftohen. Ka disa kritere në të cilat bazohemi kur i ftojmë futbollistët e përveç cilësisë janë edhe mosha, forma e treguar etj”, vijoi Bunjaku.

RCCOLA

Mungesat e shumta ai i arsyetoi me lëndimet dhe pamundësinë e marrjes së lejes nga klubet nga vijnë futbollistët. “Ne duhet të ballafaqohemi me dukuri të tilla”, tha përzgjedhësi.

Në fund, ai foli edhe për takimin me përzgjedhësin e Përfaqësueses së Shqipërisë, Gianni De Biasi. “Edhe më parë kemi pasur dëshirë që të takohemi me të. Kjo është bërë në vazhdën e takimeve që kemi pasur edhe me përzgjedhës të tjerë dhe ne kemi biseduar për çështjet që na takojnë si përzgjedhës”.

Perdedaj: T’i kënaqim shikuesit

Njëri ndër futbollistët që tashmë ka arritur në kryeqytet dhe me padurim e pret ballafaqimin kundër Turqisë është edhe Fanol Perdedaj, mbrojtës i Energie Cottbus.

“E di se do të jetë një ndeshje e vështirë pasi për kundërshtar kemi një përfaqësuese shumë të fortë. Disa futbollistë të Turqisë i njoh nga Gjermania dhe mund të them se janë cilësorë dhe veçohen me shpejtësi dhe agresivitet. Nëse duam rezultat pozitiv, na duhet të përqendrohemi shumë. Për ne me rëndësi është që të shënojmë gol dhe t’i kënaqim shikuesit”, tha futbollisti luftarak.

Sa i përket atmosferës në “Adem Jashari”, Perdedaj thotë: “Me Haitin ishte një spektakël i madh, shpresoj se me Turqinë do të jetë edhe më mirë. Moti është i mirë, fusha më e përshtatshme dhe ne na mbetet që ta japim maksimumin për t’i kënaqur shikuesit”.

Kosova do të luajë me Turqinë të mërkurën në Mitrovicë, duke filluar nga ora 18:00./zeri/