Fondi në pikëpyetje

Fondi për punësim shumë lehtë mund të mbetet vetëm një premtim i kryeministrit në shkuarje, Hashim Thaçi. Krijimi i tij është i lidhur ngushtë me funksionalitetin e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se zgjedhjet mund të ndryshojnë përbërjen e Kuvendit, i cili duhet të votojë një sërë ndryshimesh për t’i hapur rrugë krijimit të këtij fondi.
Që 1.5 miliard euro të jenë në dispozicion për afaristët, duhet të marrin dritën e gjelbër nga Kuvendi i Kosovës ndryshimet në ligjin për menaxhimin e financave publike, ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe ligjin për Kursimet Pensionale.
Ministri i Financave, Besim Beqaj, ditë më parë ka bërë të ditur se tashmë është formuar një grup në kuadër të Zyrës Ligjore të Ministrisë së Financave për të shqyrtuar ndryshimet legjislative. Deri më tani, ai ka thënë se ka qenë e vështirë të kthehen këto mjete për shkak se nismat që janë marrë kanë qenë në një formë të bllokuara nga institucionet ndërkombëtare që kanë qenë në Kosovë…(Tribuna).