KKVITI

Fondi fol ndryshe

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka demantuar të dhënat e Qeverisë së Kosovës se rritja ekonomike për vitin 2012 ishte 3.9 për qind. Fondi, në vlerësimin e vet për Kosovën, thotë se rritja ekonomike ka rënë në 2.7 për qind. Njohës të ekonomisë vlerësojnë se kjo e fundit është më reale.

Nuk po del ashtu siç tha Bedri Hamza. Shifrat e prezantuara nga ministri i Financave të Kosovës për rritjen ekonomike janë shumë ndryshe nga ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Një javë më parë numri një i financave të Kosovës tha se rritja për vitin 2012 ishte 3.9 për qind. E në vlerësimin e FMN-së, që ia ka bërë vendit del se kjo rritje është vetëm 2.7 për qind. Njohës të ekonomisë vlerësojnë se kjo e fundit është më reale, ndërsa përfaqësuesit e qeverisë nuk deklarohen fare për këtë punë.

Edhe parashikimet për vitin që sapo ka filluar janë shumë të ndryshme nëse shikohen të dhënat e të dyja institucioneve.

Njëra palë thotë se do të jetë mbi 4 për qind e tjetra parashikon tkurrje të madhe nën këtë shifër.

“Stafi ka vlerësuar rënie të BPB-së deri në 2.7 për qind në vitin 2012 dhe 3.2 për qind në vitin 2013, nga 3.8 për qind, respektivisht 4.1 për qind sa ishte në kohën e shqyrtimit të parë”, thuhet në raportin e FMN-së.

Periudhat e vlerësimit nga ky institucion nuk janë shumë larg njëra tjetrës, por ndryshimet duket se janë të mëdha.

Rishikimi i parë i Fondit në kuadër të marrëveshjes Stand-By ishte bërë në qershor të vitit të kaluar, ndërsa ky i fundit në dhjetor.

Uji Dea

Megjithatë, rritja sipas vlerësimit të FMN-së është projektuar të mbetet më e lartë se në shumicën e vendeve fqinje, për shkak të remitencave nga diaspora kosovare, dy të tretat e të cilëve banojnë në Gjermani dhe Zvicër-se. Kjo mbështetje pritet që të vazhdojë edhe në të ardhmen. Këto të hyra, në raport thuhet se e financoi deficitin e madh tregtar, i parashikuar për vitin 2012 dhe 2013 të jetë 40 për qind.

Se deficiti tregtar është i lartë, i ka pranuar edhe vetë ministri Bedri Hamza. Por, ai në konferencën e fundvitit, kur edhe ka prezantuar punën e tij është krenuar me rritjen ekonomike që ka Kosova krahas vendeve përreth.

“Ne vlerësojmë se rritja ekonomike për vitin aktual do të jetë diku rreth 3.9 për qind, inflacioni 2.5…”, pati thënë Hamza.

Por njohësit e ekonomisë nuk janë të bindur me këto të dhëna. Sipas tyre, gjatë vitit 2012 Kosova nuk ka shënuar ndonjë progres të dukshëm ekonomik.

Drejtori i Qendrës Për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se cilado të ketë ndodhur, prapë rritja ekonomike është e vogël. Madje, me këtë normë, sipas tij, vetëm sa thellohet kriza dhe mungesa e perspektivës.

“Por, është e vërtetë edhe ajo se Qeveria e Kosovës nuk ka një formulë të qëndrueshme për përllogaritjen e rritjes ekonomike, posaçërisht për faktin se mungojnë edhe shumë të dhëna të nevojshme për të. Për këtë arsye, parashikimet e FMN-së gjithmonë kanë qenë më të sakta, se ato të qeverisë”, thekson Rexhepi.

Ai pohon se në rënien ekonomike ka ndikuar kryesisht mungesa e investimeve dhe mungesa e likuiditetit në ekonomi. Bizneset, sipas tij, kanë problem për financimin e afarizmit aktual, e lëre më për investimet në zhvillim dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Edhe Fondi në raport përmend se Kosova ka filluar të preket nga kriza e eurozonës muajt e fundit, pavarësisht se ka qenë imune deri në mes të vitit 2012.(expr