Mobi Casa

Fondacioni Kosovë – Luksemburg premton punësime e investime në Viti

/ 2 minuta lexim

Viti – Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti ka pritur sot në një takim, përfaqësuesit e Organizatës joqeveritare të Fondacionit Kosovë-Luksemburg, që ka për mision zbutjen e varfërisë nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.

Haliti i njoftoi ata me zhvillimet aktuale në komunën e Vitisë, me theks të veçantë për fushat që ishin në interes të përfaqësuesve të kësaj organizate, së bashku me drejtorët e drejtorive komunale të arsimit, Ekonomisë dhe Financave, si dhe atë të bujqësisë.

Drejtori i Organizatës Fondacioni Kosovë- Luksemburg Ardian Hasanaj, ka theksuar se arsimi, zhvillimi i komunitetit dhe gjenerimi i të ardhurave janë sektorët kryesorë përmes të cilëve kjo organizatë synon të përmbushë qëllimin dhe misionin.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se deri në fund të vitit 2016, do të zbatohet programi “Mësojmë nga e kaluara, ndërtojmë të ardhmen”, që qëllim kryesor ka zbutjen e varfërisë dhe avancimin e arsimit nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm.

RCCOLA

Në këtë takim, përfaqësuesi i kësaj organizate Fisnik Beqiri, ka përmendur objektivat që parasheh ky program siç është krijimi i afër 10 vendeve të punës në ndonjë nga kompanitë e këtushme, ofrimin e trajnimeve profesionale, hapjen e një zyre për investime ku do të bëhej informimi për programe të ndryshme dhe paraqitja e nevojave të ndryshme.

Në sektorin e arsimit u shqyrtua mundësia e ofrimit të bursave për nxënësit e shkollës së mesme, si një mundësi për parandalimin e dukurisë së braktisjes së shkollimit, për iniciativat shkollore dhe pajisja me mjete në kompletimin e kabineteve, investimeve në përmirësimin e kushteve nëpër shkolla etj.

Haliti, ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur këtë program dhe njëherit ka ofruar bashkëpunim duke ofruar edhe një zyrë për punë sa më efikase organizatës Fondacioni Kosovë-Luksemburg.

Komuna e Vitisë dhe organizata në fjalë, javë më parë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, ndërkohë që takimi i sotëm ishte në vazhdën e aktiviteteve që parashihen në atë marrëveshje./rajonipress/