FOL: Thaçi po jep deklarata të pavërteta
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi po i “hanë fjalët e veta”,sepse kohë më parë kanë përjashtuar çdo lloj mundësie për bisedime politike me Serbinë,kurse tash thonë se Kosova është e gatshme dhe duhet të ketë dialog politik.
Ndërkaq, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala është në kundërshtim me qëndrimin e kamotshëm të AAK-së se në asnjë rrethanë nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në.
Lëvizja FOL, në raportin e verifikimit të deklaratave të zyrtarëve të lartë shtetëror të Kosovës, deklaratat e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të punëve të brendshme, i ka quajtur si kontradiktore,kurse deklaratën e kryeministrit Thaçi se Kosova ka implementuar në tërësi dokumentin e presidentit Ahtisaari,e ka quajtur si të pa vërtet.
Sipas këtij raporti, Kryeministri Thaçi patë deklaruar kështu në një konferencë të përbashkët me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtarë në Kosovë Pieter Feith, pak minuta pasi Grupi Ndërkombëtar Drejtues i pati dhënë fund Pavarësisë së Mbikëqyrjes së Kosovës.
Megjithatë, sipas Lëvizjes FOL,është e ditur botërisht që Pakoja e Ahtisarit nuk është implementuar në tërësinë e saj.
“Nuk është themeluar komuna e Mitrovicës, ndërkaq, komunat tjera që janë themeluar mbi bazën e Pakos së Ahtisaarit ka po ashtu edhe komunat paralele, dhe çfarë është me e rëndësishme Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur tash e 5 vite që të ushtrojnë autoritetet në Veri të vendit, pjesë në të cilën udhëheqin strukturat e paligjshme dhe kriminale të Serbisë”, thuhet në raport.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka dhënë deklarata kontradiktore, pasi që para një viti kishte përjashtuar çdo lloj mundësie dhe ideje për bisedime politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kurse, në më pak se tre jave vetë Kuçi ka deklaruar pikërisht të kundërtën duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për dialog politik me Serbinë.
Mirëpo, ajo çfarë mbetet krejtësisht e paqartë është se çfarë nënkupton “dialogu politik’ më Serbinë?!
“Nuk ka asnjë informacion se për çfarë do të bisedohet, cila është agjenda, sa do të zgjatin këto bisedime dhe shumë çështje të tjera, e të cilat as Kuçi dhe askush nga Qeveria e Kosovës nuk i ka shpjegua”, thuhet në raport.
Kontradiktor, në deklarata ka qenë edhe ministri i punëve të brendshme,Bajram Rexhepi,i cili në fillim të vitit 2011 e kishte përjashtuar çdo lloj mundësie që çështja e veriut të vendit të dialogohet me Serbinë, kurse para pak muajve ka thënë se me Beogradin duhet të diskutohet në nivele politike.
Edhe deklarata e nënkryetarit të parë të AAK-së Blerim Shala,është në kundërshtim me qëndrimin e kamotshëm të përfaqësuesve të kësaj partie se në asnjë rrethanë nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në. Për më tepër është vetë vëllai i kryetarit të partisë së AAK-së, Daut Haradinaj, i cili në një deklarim të tij publikë ka pohuar se “ne me PDK-në nuk hyjmë në koalicion asnjë. /Kosovapress/