UBT

Fol: Jotransparenca prek të gjitha institucionet e Kosovës

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Prishtinë – Lëvizja Fol prezantoi sot të gjeturat e raportit “Indeksi i Transparencës IV”, mbi nivelin e transparencës së institucioneve të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë për vitin 2012. Sipas këtij raporti, Zyra e kryeministrit, Agjencia Kundër Korrupsion, disa ministri dhe institucione të tjera, vazhdojnë të jenë të klasifikuara në listën e institucioneve të mbyllura. Indeksi i Transparencës këtë vit ka përfshirë edhe komunat e Kosovës.

Në listën e institucioneve të mbyllura, sipas hulumtimit “Vlerësimi i transparencës së institucioneve të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrjeve publike, është edhe Zyra e kryeministrit të Kosovës, vazhdojnë të jenë të mbyllura Agjencia Kundër Korrupsionit, Ministria e Integrimit Evropian, Këshilli Gjyqësor, Institucioni i Avokatit të Popullit, e disa ministri e institucione të tjera.

Mexhide Demolli Nimani, koordinatore e zyrës për media në Lëvizjen Fol, tha se këto institucione edhe pse kanë shënuar rritje të pikëve nga viti i kaluar, megjithatë kanë mbetur në listën e institucioneve të mbyllura.

“Agjencia Kundër Korrupsionit, Ministria e Integrimit Evropian, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve, Ministria e Financave, Posta dhe Telekomi i Kosovës, Ministria e Forcës së Sigurisë, Institucioni i Avokatit të Popullit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Zyra e kryeministrit, Ministria e Diasporës, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës, sa i përket Indeksit të Transparencës, janë klasifikuar si institucione të mbyllura për shkak të numrit të vogël të pikëve. Ndonëse nga viti i kaluar kanë shënuar rritje të pikëve, prapë janë klasifikuar si institucione të mbyllura”, tha ajo.

Mobi Casa

Për dallim nga vitet e kaluara, Indeksi i Transparencës këtë vit ka përfshirë edhe komunat e Kosovës. Demolli Nimani, tha se nga 32 komuna që u është dërguar pyetësori, janë marrë përgjigje vetëm nga 17 prej tyre.

“Komunat që kanë qenë pjesë e pilot projektit të vitit të kaluar ku janë përfshirë vetëm 5 komuna, këtë vit kanë shënuar përparime të dukshme në të gjitha aspektet e politikave të komunikimit dhe informimit publik. Megjithatë, ka akoma mospërputhje në përkufizimin e koncepteve dhe të fushë veprimit të kornizës ligjore. Kjo përfshin edhe mungesën e përcaktimit të saktë të kompetencave dhe përgjegjësive të zyrave përgjegjëse për komunikim dhe informim publik”, theksoi ajo.

Lëvizja Fol ka përpiluar dhjetë rekomandime për komunat e Kosovës, të cilat do t’u dërgohen edhe komunave. Ndërsa, institucionet të cilat kanë hyrë në listën e institucioneve pjesërisht të hapura, janë Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Mexhide Demolli Nimani, tha se Dogana e Kosovës nuk ka shënuar ndonjë ngritje, por, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë shënuar ngritje sa i përket transparencës.(koha)