Fobia e krimeve të politikanëve shtyn dekriminalizimin pas Speciales

Politikanët e inkriminuar dhe zyrtarët e tjerë, që janë instaluar nëpër të gjitha institucionet më të larta shtetërore, ende vazhdojnë të rrinë rehat, sepse janë të paprekshëm nga ligji. Kjo edhe për shkak të mungesës së një ligji të veçantë, siç është ai i dekriminalizimit të politikës dhe institucioneve shtetërore.
Gjyqësori i kapur dhe i kontrolluar nga oligarkët e politikës.
“Është koha dhe momenti i duhur që drejtësia të veprojë. Por, po shihet se strumbullari i zgjidhjes së problemeve është ky segment, i cili, siç duket, është ngulfatur nga politika. Ata i ka kapur fobia e krimeve, që i kanë bërë e nuk po lejojnë nisjen e hetimeve, apo dekriminalizimin e politikës dhe të institucioneve. Këta politikanë janë bërë peng i së tashmes dhe ardhmërisë së Kosovës”, është shprehur analisti Shefqet Dibrani, shkruan sot Gazeta Kosova Sot
Politikanët e inkriminuar dhe zyrtarët e tjerë, që janë instaluar nëpër të gjitha institucionet më të larta shtetërore, ende vazhdojnë të rrinë rehat, sepse janë të paprekshëm nga ligji. Kjo edhe për shkak të mungesës së një ligji të veçantë, siç është ai i dekriminalizimit të politikës dhe institucioneve shtetërore.
Ky proces nuk pritet të bëhet realitet derisa të fillojë së funksionuari Gjykata Speciale, ku mbase atëherë një pjesë e mbetur e politikës do të kishte guximin dhe do të merrte ‘zemër’ për të kërkuar dekriminalizimin e institucioneve në të tria pushtetet dhe në të gjitha nivelet e pushteteve të tejinkriminuara. Dekriminalizimi, siç po duket, mund të fillojë tek pas rënies së të fortëve të mafio-politikës së kriminalizuar në vend. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën, “Kosova Sot” ka thënë se dekriminalizimi është një proces, i cili duhet të ndodhë sa më parë, së bashku me marrjen e masave për të ndaluar keqqeverisjen financiare në shtet.
Sipas tij, këto dy komponente janë jetike për shtetin. “Keqqeverisja financiare është dëmi më i madh që i është bërë këtij shteti. Paraja publike është shpërdoruar keq dhe vazhdon të bëhet nga kjo klasë politike në pushtet”, është shprehur ai. Tutje Burjani ka rikujtuar se presidenti i shtetit i ka 30 kompetenca me Kushtetutë, ku njëra nga to është edhe garancioni për funksionimin e institucioneve. “Presidenti pastaj emëron gjyqtarë e prokurorë, por ai nuk është i zoti as të ndalojë konfliktin e interesit në sistemin e drejtësisë në vend, ku gjyqtarët dhe prokurorët mbajnë kontrata dytësore e lëre më të propozojë reformë në drejtësi. Andaj, në mungesë të dijes së kësaj klase politike njerëzit e drejtësisë janë marrë me biznese të ndryshme, madje kanë kontrata dytësore të punësimit në sektorin privat”, është shprehur ai.
Burjani: Detyra e presidentit nuk është të shëtisë nëpër botë për t’u kënaqur Burjani në këtë drejtim ka veçuar sedetyra e presidentit nuk është të shëtitë nëpër botë dhe nëpër solemnitete të ndryshme, që të kënaqet, por të ushtrojë rolin e garantuesit të funksionimit të institucioneve. Megjithatë, Burjani thotë se Gjykata Speciale do të ketë role në thyerjen e këtij establishmenti dhe anarkinë në këtë shtet. “Rrjedhimisht do të ndikojë edhe në zhvillimet e tjera në Kosovë, si në dekriminalizimin e partive politike. Partitë aktuale as që e kanë ndërmend që të merren me njerëzit e tyre keqbërës. Kjo Gjykatë pritet të merret me njerëzit e fuqishëm politikë në Kosovë. Kjo Gjykatë mund të ndikojë në reformimin e PDK-së me njerëz të shumtë brenda saj, por nuk do të prekë servilët dhe përkthyesit, e kjo mbase është e kuptueshme, pasi atyre shefi u ka garantuar kujdesin dhe kështu do të vazhdojë edhe me Kadri Veselin, ku po shkon rrugës së Thaçit”, shprehet ai.
Tutje, Burjani ka bërë me dije se Kosova ka ligje të mjaftueshme për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, por sipas tij, mungon vullneti politik për ta bërë një gjë të tillë. “Mosdituria e ka bërë të veten. Shteti funksionon falë bashkësisë ndërkombëtare. Kosova ka njerëz të shumtë profesionalë, por që nuk shfrytëzohen kapacitetet e tyre fare”, është shprehur Burjani./kosova sot/