Uji Dea

Floriana Garo: Pasioni & Fati, trampolinat e suksesit tim

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Bukuroshja Floriana Garo, prezantuesja dhe jo vetëm, e emisionit të përjavshëm “Jo vetëm Modë” nuk ka nguruar t’i përgjigjet disa prej pyetjeve të portalit tonë. Në këtë bisedë interesante, Floriana na ka kushtuar disa çaste të këndshme ku nuk ka nguruar të dalë jashtë fasadës së përgjithshme.

Me çiltërsinë e saj nuk ka ngurruar të flasë lirshëm rreth punës, familjes, marrëdhënies me Tedin e saj, për idhullin dhe pasionin që e karakterizon në atë çka bën.

“Jo vetëm Modë” është emisioni me të cilin Floriana ndihet e dashuruar. Teksa e pyet se sa kohë i merr asaj emisioni i përjavshëm, ajo thotë që çdo çast mendon për të, për intervistat që duhet të bëjë, për temat që do trajtohen. E apasionar pas “Jo vetëm Modë”, Floriana tregon se ndihet krijuesja e këtij emisioni, sigurisht për atë pjesën “shqiptare” të tij. Ajo bën me dije edhe për portalin ikub.al se emisioni “Jo vetëm Modë” është një patentë që Tv Klan e ka blerë nga “Non Solo Moda” e Mediaset-it. Por sigurisht që Floriana ka menduar të sjellë diçka më speciale për ndjekësit besnikë të këtij emisioni duke “ndërhyrë” edhe me një pjesëz programi shqiptare. “Jo vetëm Modë” e përfshin totalisht Florianën. Në gjithë kohën e saj të mundshme ajo përpiqet të sjellë diçka sa më mirë të realizuar, ndaj edhe bashkëpunon në mënyrë të tërthortë edhe në pjesën e marketingut. Floriana tregon për ikub.al se si proçedohet në këtë aspekt, si kontaktohen bizneset apo anasjelltas dhe sigurisht influencën që ka pasqyrimi ne emision i nje biznesi, tek biznese te tjera te ngjashme. Kjo punë, fakti se sa e përfshirë ndihet ajo në përgatitjen e çdo pjesë të këtij emisioni, e bën atë ta vlerësojë plot mirënjohje televizionin që i hapi dyert. Dhe teksa e pyet nëse i shkon ndërmend ndonjëherë të largohet nga aty, ajo përgjigjet “Jo”. Vlerëson mbështetjen dhe mundësinë, e shprehet se sipas saj pavarësisht rëndësisë që ka eksperienca në atë çka bën, problemet duhen zgjidhur dhe jo të bëhen shkak për të lëvizur nga një televizion në tjetrin.

Edhe të prezantojë spektakle, është në preferencat e saj. Flet plot nostalgji për dy spektaklet që ka prezantuar: Miss Globe dhe Festivali i Kenges ne RTSH dhe shprehet që është diçka që mund ta bëjë me plot dëshirë, por jo një spektakël i përjavshëm. Ajo tregon se si nisi të bëhej e njohur për publikun. Ishte bashkëpunimi në një spot publicitar të “Eagle mobile” fillimisht, që më pas e afroi me Tv Klan. Floriana e quan fat! Ajo tregon plot çiltërsi për emocionet e fillimit, frikën në përballje me kamerën dhe se si pastaj çdo gjë u bë më e thjeshtë. Plot thjeshtësi shprehet se nuk e konsideron veten një miss të mirëfilltë, pavarësisht pjesëmarrjes në nje nga kompeticionet me te medhenj te bukurise ne bote: Miss World. Shprehet duke buzëqeshur se shkak për këtë pjesëmarrje u bë Vera Grabocka.

Një javë ku ajo përkushtohet plotësisht pas asaj çka bën pa u lodhur, duke ndarë kohën mes “Jo vetëm Modë”, “Cortefiel”, prezantimit të motit dhe sigurisht jetës së tij private. Çfarë e udhëheq? Përgjigja e saj është “Pasioni”. Pasioni në atë çka bën, përkushtimi, fakti si mundohet të menaxhojë kohën dhe dëshira për të lënë gjurmë në këtë botë. A ka një muzë apo idhull Floriana? Sigurisht që ka dhe ajo është Angelina Jolie. E pëlqen atë, frymëzohet nga ajo, nga përkushtimi i saj ndaj familjes, nga ndihma e pakushtëzuar që ajo u jep të varfërve, jetimëve. “Ajo është muza ime, pavarësisht se nuk mund të pretendoj ta arrij”, – shprehet Floriana.

Por përkushtimin për punën e ka marrë sigurisht që në fillim nga prindërit e saj. Kështu shprehet kur e pyet se pse nuk ndoqi rrugën e ndonjërit prej tyre. Pse nuk u bë mësuese apo mjeke…

“Më vjen mirë që ma bëtë këtë pyetje, pasi gazetarët e harrojnë këtë pjesë ose nuk duan, se për ta unë jam miss-i që i eci fati, apo që bashkejetoj me një burrë të pasur. Unë vij nga një familje intelektuale, nga një familje ku prindërit kanë qenë shembulli më i mirë për mua. Adhuroj përkushtimin e tyre në atë çka bëjnë, që ma kanë ngulitur edhe mua në karakterin tim. Ndoshta një ditë, në një të ardhme të largët edhe mund ta shoh veten si mësuese, por aspak si mjeke. Pavarësisht se nuk kam marrë ndonjë prej profesioneve të tyre, unë kam marrë nga ata dashurinë për punën.”

Uji Dea

Prezenca e prindërve për të në çdo hap të saj, ka qenë mjaft e rëndësishme. Ajo shprehet se e kuptoi më mirë këtë kur 5 vitet e tjera të jetesës së saj në Amerikë ishin larg prindërve. Floriana tregon se me ta ka jetuar vetëm tre vitet e gjimnazit në North Dakota, me prindërit e saj. Ndërsa 5 vitet e saj në Neë York, ku ajo ndiqte studimet e larta, kanë qenë vitet ku ajo është rritur vërtet. Ato 5 vite e kanë ndihmuar të bëhej e pavarur, të bëhej më e fortë, të dinte të përballonte, ç’është më e rëndësishmja të njihte vetveten.

Pas atyre pesë viteve, ajo zgjodhi dashurinë për Tedin në vend të Amerikës. Duke e konsideruar kthimin në Shqipëri si aventurë, ajo shprehet se u kthye për Tedin. Pyetja për ndonjë plan të afërt në marrëdhënien e saj me Tedin, e bën të buzëqeshë dhe të shprehet se ata të martuar janë. Nuk kanë bërë dasmë, por ashtu ndihen. “Se di pse duan kaq shumë njerëzit të më shohin nuse?!”, shprehet ajo duke qeshur. Kuptohet se dasma ka bukurinë e saj, të veshurit me fustanin e bardhë… dasma është e rëndësishme për familjen, të afërmit, por Floriana thotë se dasma ende nuk është në planet e saj të afërta.

“E kisha të vështirë në fillim përshtatjen në Shqipëri për shkak të mentalitetit të prapambetur, por u përshtata. Di të përshtatem”.

Ajo shprehet se ndihet mirë që ka mbështetjen e Tedit, mamase se tij dhe prinderve të saj në çdo gjë që bën dhe për të kjo është gjëja më e rëndësishme.

Sigurisht që nuk do mungonte pyetja se ku do i kalojë pushimet këtë verë dhe plot ngazëllim përgjigjet “Në Amerikë”.

“Muaji gusht do më gjejë aty. Jam kaq e lumtur, mezi po i pres këto pushime. Pas më shumë se tre vitesh do kthehem aty se bashku me Tedin”.