Fundamenti

Florian Marku shprehet i gatshëm për sfidën me Ramirez, fton shqiptarët në ‘Air Albania’

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Florian Marku e ka mbajtur konferencën për media në stadiumin “Air Albania” para ndeshjes së 25 gushtit ndaj meksikanit Miguel Parra Ramirez.

Mirëpo, para konferencës, Marku ia dha këngës në sy të kundërshtarit meksikan.

“I këndoj Adem Jasharit”. Marku i tha kundërshtarit në gjuhën angleze më pas se “këtu është Shqipëri, Skënderbeu, Gjergj Kastrioti… do ta shohësh”.

Pastaj Floriani deklaroi që pret një mbështetje të madhe nga shqiptarët në ndeshjen e tij më 25 gusht në “Air Albania” dhe t’iu tregojnë meksikanëve se kush është Shqipëria.

“Këtu është Shqipëri, do e mësojnë gjithë meksikanët, nuk e di se sa miliona janë në botë, se ç’a do me thënë Shqipëria. Ju pres të gjithëve me datën 25 gusht këtu”, tha Florian Marku.

Boksieri i famshëm shqiptar më pas foli edhe për takimin e së enjtes, i cili tha se që kur ishte fëmijë e kishte ëndërruar të boksonte në një arenë të mbushur me shqiptarë.

“Të them të vërtetën guximin e kam pas që kur kam lindur. Kam lindur si të jem në një metër katror, si të jem në një stadium futbolli, guximi im nuk shteron kurrë, besoj shumë në vetvete”.

Mobi Casa

“Por, në këtë stadium gjigant e kam ëndërruar që i vogël, kam sakrifikuar jetën, nuk e keni idenë se çfarë jete kam pasur dhe sa shumë kam kaluar për të arritur këtu ku jam”, shtoi Marku.

Ai vazhdoi duke thënë se do ta japë maksimumin për ta mposhtur boksierin nga Meksika.

“Ata nuk e dinë se si jemi ne shqiptarët, ata nuk kanë parë shqiptarë. Të enjten më datën 25 gusht ai do shoh para syve një shqiptar të vërtetë që do ta japë shpirtin për fitore dhe atëherë do t’i kuptojnë dhe do t’i vlerësojnë dhe do e mbajnë mend përherë kur përmendet emri Shqipëri”.

Mes tjerash, boksieri 29 vjeçar foli edhe për emocionet e kësaj ndeshjeje.

“Nuk kam fare emocione, mezi ju pres gjithëve në stadium që t’iu shohë. Nuk kam fare emocione, jam i lumtur. Nuk e keni idenë, kjo është jeta ime, për këtë gjë jetoj”.

“Kam sakrifikuar jetën që kur kam qenë 12 vjeç, larg çfarë do lloj gjëje që më largonte nga boksi dhe kjo është nata ime me datë 25 gusht. E kam pritur dhe jam shumë i lumtur, s’kam fare emocione”, ka thënë ai.

Në fund, Floriani falënderoi edhe kundërshtarin e tij që ishte prezent në konferencën për media dhe u drejtua ka kamerat duke thënë: “Do të jetë një natë e paharrueshme, ju premtoj që s’do ta harroni kurrë”. /AP/