Hidromorava

Flet Donika Gërvalla

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Nuk ka asnjë dyshim se urdhrin për vrasjen e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, në janar të vitit 1982, e ka dhënë sigurimi shtetëror jugosllav, por vrasja ka mbetur pa u sqaruar ende plotësisht, ndërsa pretendimet e fundit për autorët e vrasjes së trefishtë shihen me dyshime të mëdha nga familjarët e Jusuf Gërvallës.

E bija e tij, Donika Gërvalla, ka hedhur poshtë pretendimet e bëra nga njëri prej themeluesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Ibrahim Kelmendi, i cili përmes një libri dhe disa intervistave ka ngritur gishtin e akuzës për vrasjen e Gërvallajve dhe Kadri Zekës drejt një tjetër aktivisti të asaj kohe në diasporë, Riza Salihut.

Në një intervistë me kryeredaktorin e Kohës Ditore, Agron Bajramin, për emisionin “Press-ing”, që transmetohet të premten prej orës 20:00, në KTV, Donika Gërvalla ka rrëfyer për ato që i di dhe ato që nuk i di në lidhje me vrasjen e 17 janarit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, ndërsa ka dhënë edhe vlerësimin e saj për emrat që përmenden, përfshirë Ibrahim Kelmendin dhe Riza Salihun.

“Unë, si vajza e tij (Jusuf Gërvallës), jam shumë e interesuar të di se cilët persona në Beograd, në cilën zyrë, kë porositën që ta kryej këtë atentat”, ka thënë Donika Gërcalla, e cila është personi mbase i vetëm, përveç hetuesve gjermanë, që ka pasur rastin të shohë dosjen e plotë të hetimeve të deritanishme për vrasjen e Gërvallajve dhe Kadri Zekës.

Ajo ka folur po ashtu edhe për procesin e hetimeve të udhëhequra me vite nga prokurorët gjermanë, arsyet pse hetimet kurrë nuk rezultuan me një proces gjyqësor për vrasjen, dhe pritjet që rasti të zbardhet, me gjithë faktin se nga dita e vrasjes kanë kaluar më shumë se 30 vjet.

Mobi Casa

Në intervistë, Donika Gërvalla rrëfen edhe për jetën e familjes së saj pas vrasjes së babait, shkuarjen në Shqipëri, takimet me Nexhmije Hoxhen dhe Enver Hoxhën, dhe zhgënjimin me shtetin shqiptar.

Si zëdhënëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani, Donika Gërvalla flet edhe për punën gjatë viteve ’90-të në diasporë, konfliktet që ekzistonin mes LDK-së me Ibrahim Rugovën në krye dhe Qeverisë në ekzil të Bujar Bukoshit, ndërsa një vlerësim të veçantë e jep edhe për Kosovën, ashtu si e sheh ajo sot.

“Republika e Kosovës për të cilën ai (Jusuf Gërvalla) në fund sakrifikoi jetën është një shtet i cili identifikohet kryesisht me korrupsion dhe krim të organizuar”, thotë Gërvalla, duke elaboruar në detaje pse mendon kështu.

Intervista do të publikohet e plotë edhe në “Koha Ditore”.