Flamuri, mes qëndisjes dhe imitimit

/ 6 minuta lexim

Duhet deri në gjashtë ditë për ta qëndisur një flamur të madh. Të vegjlit mund të punohen brenda dy ditëve.

Për ta qëndisur një flamuri, Mihrije Elshani, anëtare e shoqatës “Dera e hapur” (Open Door), thotë se materiali vendoset në kasnak, pasi t’i është vizatuar shqiponja, e më pas bëhet qëndisja me gjilpërë.

“Është pak vështirë që të punohet shqiponja, por kur e di punën dhe kur e bën me vullnet, ajo kalohet”, thotë Elshani. Për “Zërin” tregon se flamuri që është punë dore, nuk prishet, materiali dhe peri i mirë nuk prishen, në këtë mënyrë, flamuri jeton me dekada.

“Flamuri duhet të qëndiset me penj që nuk prishen, me material që nuk prishet, sepse ai ka vlerë të madhe”, ka thënë Mihrie Elshani. Ajo tregon se tash e pesëmbëdhjetë vjet është pjesë e shoqatës që drejtohet nga Belgjyzare Muharremi, ajo ka thënë se peri dhe materiali për qëndisjen e flamurit nuk kushton shumë, dhe mund të blihet nëpër tregjet e Kosovës.

“Janë penj që shfrytëzohen për qëndisje, por që nuk lëshojnë ngjyrë, sepse flamuri duhet të lahet, të hekuroset, dhe penjtë nuk duhet të lëshojnë ngjyrë”, thotë Mihrija, duke shtuar se materiali në të cilin bëhet qëndisja duhet të jetë origjinal. Elshani tregon se për 28 Nëntor, rritet interesimi i njerëzve për të blerë flamurë të qëndisur.

Mihrije Elshani ka mësuar të bëjë punë dore qëkur ishte e re, e bashkë me këtë kishte mësuar edhe qëndisjen e flamurit. Flamurin e qëndisin me shumë dashuri edhe koleget e saj, në shoqatën në të cilën punojnë bashkë.

“Mundohemi që ta qëndisim flamurin ashtu siç është më së miri, sepse është i yni”, thotë Elshani, duke kujtuar se për flamurin kuqezi është derdhur gjak. “Tani e qëndisim me më vullnet sepse jemi në liri, e qëndisim edhe më bukur, valon edhe më bukur”, shton ajo.

Flamuri duhet të punohet bukur thotë Mihrija, sepse, puna e keqe dallohet menjëherë. Një flamur i punuar keq ia humb edhe bukurinë e flamurit. Mihrija tregon se edhe atëherë kur punëtoret tjera mund të thonë se janë lodhur duke punuar, një gjë të tillë nuk e thonë asnjëherë për qëndisjen e flamurit.

“Bash flamuri punohet shpejt dhe me vullnet, sepse është flamuri ynë, i traditave tona, i dasmave e festave tona, i kombit tonë”, ka treguar Elshani. E vizatimin e shqiponjës nuk mund ta bëjë gjithkush. Gratë e shoqatës “Open door”, kur qëndisin flamuj, ato bashkëpunojnë me profesorë të artit. Mihrija tregon se shpesh ka bashkëpunuar me profesorin Xhevdet Pantina, të cilin e vlerëson si vizatues i mirë i shqiponjës dykrerëshe.

Flamuri kombëtar nuk ka çmim

Flamuri kombëtar nuk ka çmim, thonë gratë e kësaj shoqate, dhe kanë dëshirë që të punojnë sa më shumë flamuj. Ndonëse nuk duan të japin ndonjë shifër, ato punojnë dhe me porosi, për të cilat paguhen.

E krahas 28 Nëntorit, ato qëndisin flamuj edhe për festa të tjera kombëtare, e edhe për dasma.

Elshani flet edhe për kohën kur kjo festë festohej fshehtazi.

“Në të kaluarën 28 Nëntorin e festonim tinëz, duhej të shkonim në disa vende ku bënte radio e Shqipërisë, për të dëgjuar çfarë flitej për flamurin. Tinëz e kemi mbajtur flamurin edhe nëpër dasma e festa të tjera”, tregon Elshani.

Uji Dea

Mihrije Elshani tregon se kur fëmijët e saj ishin të vegël, të gjithëve u ka punuar bluza me shqiponjë.

“Vajzave u bëja shqiponjën në të dy anët e pulovrit, ndërsa djemve në gjoks të xhemperit. Kur shkonin në shkollë kush e donte flamurin, kombin tonë e donte fëmijën, kush nuk e donte, i thoshte çka e ke vesh këtë xhemper”, kujton Elshani.

Festën e flamurit ajo e lidh me emrin djalit të saj, Flamurit, që më 28 Nëntor mbush 24 vjet.

“Në komunën e Drenasit nuk donin t’ia shkruanin emrin Flamur. Burri im i kishte thënë punonjëses, ti nuk e shkruan këtë emër, po pastaj veç nëse rri brenda. Me qyk të zorit e kanë shkruar”, tregon Mihrija.

20 centë deri në 10 euro për një flamur

Derisa gratë e shoqatës “Open door”, ashtu siç kanë qëndisur dhe vazhdojnë të qëndisin shumë gra shqiptare flamurin kombëtar, dhe për të cilin e kanë të vështirë të japin një çmim, në prag të festës së 28 Nëntorit, shitësit ambulantë të flamujve shtohen nëpër rrugët e Prishtinës. E ndonëse ka shumë të atillë, ata nuk duan të flasin për gazetën.

Njëri prej tyre, që preferon të mbajë të fshehtë identitetin e tij, thotë se të gjithë flamujt, pavarësisht madhësisë, kushtojnë një euro, por një është pakëz më shtrenjtë. “10 euro kushton flamuri origjinal”, thotë ai, duke treguar se këto ditë është rritur numri i blerësve të flamujve.

Shitësit e flamujve nëpër qytetet e Kosovës furnizohen nga Qendra Industriale që gjendet në Fushë Kosovë. Edhe pse janë disa depo që shesin flamuj me shumicë, vetëm njëri nga pronarët e depove ka pranuar të flasë për gazetën.

Flamuri shqiptar vjen nga Kina

Artan Hamiti nga “Akoma te Fatlindi”, depo ku flamujt shiten me shumicë, ka thënë se flamujt kanë çmimin nga njëzetë centë, deri në tri euro, sipas tij, çmimi i flamurit varet nga madhësia e tij.

“Për festat e Nëntorit, shiten 50 për qind më shumë flamuj, se ditëve të tjera”, ka thënë Hamiti, duke treguar se për festat si 28 Nëntori e 17 Shkurti, ka interesim të madh për të blerë flamuj.

“Flamujt nuk shtrenjtohen për festa, sepse ne jemi firmë serioze, pasi e caktojmë çmimin, nuk e ndryshojmë atë”, ka thënë Hamiti, duke treguar se me flamuj furnizohen nga Kina.

Ndryshe nga tani, Artan Hamiti thotë se për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë janë shitur shumë flamuj, aq shumë sa nuk e kishin pritur se do të kishte interesim aq të madh nga njerëzit për të blerë flamuj. /zeri/