Fidanishtja

Flamuri i Orës

/ 7 minuta lexim

Nga Petrit Selimi- Ashtu si diamanti që del nga qymyri nën presion, autorja dëshmon se është e mundur të jesh krenare me këtë nënqiell, pa qenë i hidhëruar kundër shtetit apo në protestë permanente.

S’ke se si t’i ikësh një leximi të thellë të një spoti në MTV për të analizuar më thellë të gjitha të mirat dhe këqijat e peizazhit të sotëm politik në tërë Kosovën.

Me gjithë faktin se çdo pore e jetës është mbushur me politikë dhe referimi në Rita Orën është metoda më klisheistike e spirancimit të një shkrimi politik në famën e një personi të shumëpërmendur, spoti më i ri e prishtinalikes më të famshme është aq i mbushur me simbole dhe imazhe simbolike sa që është e pamundur të injorohet.

Është video-magnet i vërtetë për interpretime dhe debate politike dhe do të krijojë bujë të madhe në më shumë se një nivel të antagonizmave shqiptare dhe rajonale dhe në më shumë portale të interaksionit shoqëror se në Youtube.

Ndoshta pikënisja e parë do të ishte vetë teksti. Mund të supozohet se teksti është reflektim i këngëtares më të njohur shqiptare në rrënjët e saja. Leximi në kontekstin e asaj se prej nga vjen çika e Prishtinës nuk ka nevojë për përkthim:

“Ne nuk dorëzohemi deri sa të na dojë qejfi / E shohim fundin dhe kurrë nuk lodhemi / Ne jemi fitues sepse e mbajmë titullin e botës / Ne filluam ngadalë, por ju fituam në finale”. Thirrje më adekuate që përshkruan ndjenjat e shumë shqiptarëve karshi serbëve nuk ka. Lehtë është të keqkuptohet se porosia e zonjushës Ora është pasqyrim brutalisht i drejtpërdrejtë me diskursin momental të kundërshtimit në mes Kosovës dhe Serbisë. Me siguri shumë nacionalistë serbë e shqiptarë do të stërlexojmë nga prizmi etnik tekstin e sendit “Shine your light”.

Por detajet e tjera në spot paraqesin një brez shumë më të gjerë dhe sofistikuar sinjalesh dhe porosish që flasin zëshëm se ku qëndrojnë emocionet e kosovarëve në dekadën e dytë të shekullit të ri.

Së pari, askund në spot, as një të vetmin sekondë nuk paraqitet flamuri shqiptar. Rita mban flamurin e Republikës së Kosovës në fytyrë, flamuri kaltër e verdhë tek rrethi i Dardanisë dominon peizazhin. Në një skenë, Rita këndon mbi shkallë të ngjyrosura me flamurin e Kosovës. Fokusi shpesh është në tabelat e komunikacionit në hyrje dhe dalje të Prishtinës, ku emri i vendlindjes së Ritës është edhe shqip edhe serbisht (derisa fare lehtë ka qenë e mundur të fshihet gjuha serbe nga spoti). Në pjesën e fundit të spotit Rita këndon në autostradë me kordonin solemn të Policisë së Kosovës në motoçikleta. “Shine ya light” është himn i Kosovës dhe i të qeni nga Kosova më shumë se cilado këngë tjetër. Evokon imazhet e krenarisë kombëtare ku pjesa e të qenit shqiptar nuk ndihet e kërcënuar apo e ballafaquar nga ndjenja e krenarisë me qenë i lemë e i rritun në Kosovë.

Mobi Casa

Më e bukura e spotit është se nuk rren. Nuk ka pretendime se vend ynë është më shumë se rrugë të pluhurosura, shtëpia të vjetra, shumë beton dhe asfalt e pak gjelbërim. Qielli është i tymosur nga termocentrali në afërsi. E mu në këtë qytet jo edhe aq estetikisht të kënaqshëm, në një klub nate, e rrethekuar me rini që vallëzon, vizëllon personazhi i spotit. Ashtu si diamanti që del nga qymyri, autorja dëshmon se është e mundur të jesh krenare me këtë nënqiell pa qenë i hidhëruar apo në protestë permanente. Rita dëshmon se flamuri i Kosovës nuk është “poqavërr” ashtu siç e quan një pjesë e konfuzuar e shoqërisë, apo “unilateral” siç pretendon Serbia (e cila edhe më tutje refuzon të takon çfarëdo zyrtar Kosovar me këtë flamur) – por është po aq multivokal dhe i mundshëm si gjenerator i patriotizmit (si atij të ngushtë lokal dhe urban – ashtu edhe atij më të gjerë kombëtar- në të gjitha interpretimet e konceptit të “kombit” që ekzistojnë në debatin publik). Besoj fare pa dashur, Rita bëhet edhe pishtare e Habermasit dhe Verfassungspatriotismus të tij, apo “patriotizmit kushtetues” duke dëshmuar se është e mundur të jesh amalgam, divers, ngjyra-ngjyra dhe i buzëqeshur, të duash policinë dhe ta duash shtetin – për shkak të shtetit, e jo për shkak të etnisë apo gjakut. Koncepti politik i spotit, me dashje apo pa dashje kështu bëhet platformë superbe e qytetarisë. Skenat kuintesencialisht urbane e përforcojnë këtë bindje duke i dhënë spotit dozën e duhur të “gritit” kosovar, ashpërsisë që ka burim në getoizimin shumëvjeçar të tërë shoqërisë.

Mos me keqkuptoni. Nuk është spoti përkrahje kësaj apo asaj qeverisje e as që guxoj të pretendoj se Rita përkrah këtë apo atë interpretim të realitetit Kosovar në kontekstin e debateve lokale politike. Lutem që edhe kurrë mos të jetë e preokupuar me “tiraninë e diferencave të vogla” që dominojnë skenën politike.

Shkruesi i këtij shkimi duhet të pranojë se krahasimin e Ritës dhe personit të saj si procesi kimik shumëvjeçar i krijimit të diamanteve nuk është i rastësishëm. Javën e kaluar në Berlin, në një debat me Hague, Ministri i jashtëm gjerman Uesteruelle thotë se procesi i integrimeve europiane është si krijimi i diamanteve nga qymyri që bëhet me presion të madh.

Kosova do të mund të lindë më shumë diamante kulturore, sportive, muzikore vetëm kur i gjithë spektri shoqëror dhe gara kryesore politike fokusohen në atë se kush do të hapë më shumë mendjen, se kush do të sjellë më shumë gëzim, se kush do të sjellë më shumë integrim dhe rrugë të hapura për rininë kosovare. Jo se kush do të qesë më shumë rini në rrugë e protesta për të hedhur gurë mbi policinë e për t’u përgjakur për pushtete partiake, por kush mundëson më shumë të rinjve të njihen si europianë të vërtetë, me vende pune të sigurta, arsim të mire dhe ç’është nganjëherë më e rëndësishmja për gjeneratat e reja, mundësi më të mira dëfrimi për të premten mbrëmje – siç ndihen edhe bashkëmoshatarët e tyre europianë.

Ke – s’ke PDK’ja në pushtet sot, spoti dëshmon se opsioni i vetëm i pranueshëm botëror si platformë promovimi dhe dashurie për dhe të Kosovës – në kontekstin e rrugëtimit politik të Kosovës dhe si konfirmim se kush jemi sot ne, është ashtu siç e bën Rita Ora. Duke mos rrejt për realitetin por duke qenë krenarë se çka kemi arritur “edhepse filluam ngadalë”

E me gjithë këtë musakë shumështresore të simboleve dhe imazheve kosovare, suksesi i Ritës dhe i spotit është i garantuar, sepse ajo nuk ka qenë hermetikisht lokaliste dhe e kthyer kah vetja por kah bota. Me Jay-Z (J.A.Y.Z!) në krah dhe me gjuhë dhe gjeste të kuptueshme edhe për britanezët, francezët, amerikanët, aziatikët.

Autori është Zëvendësministër i Jashtëm i Kosovës. Kolumnet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin. Për më shumë, përcilleni në Twitter me nofkën @Petrit