Fundamenti

Flamuri i Metës dhe droni i Ramës

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lavdim Hamidi – Ilir Meta nuk kishte planifikuar ta lëshojë dronin me hartën e “Shqipërisë së Madhe” katër vjet më parë në Preshevë, kur eskorta e tij si zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë u bllokua për më se një orë në hyrje të kësaj Komune të banuar me shqiptarë.

Hyrjen e shefit të diplomacisë shqiptare në Preshevë në vitin 2010 autoritetet serbe e patën kushtëzuar me mospritjen në rrugë nga qytetarët me flamur me shqiponjë, ndonëse aty nuk kishte kurrfarë harte të “Shqipërisë së Madhe”, e cila do t’i çmendte pas katër vjetëve të gjithë serbët me t’u lëshuar në stadiumin e “Partizanit” në Beograd.

Kërkesa që të hiqen të gjithë flamujt kuqezi nga rruga iu bë Ilir Metës pikërisht nga ministri i Pushtetit Lokal i Serbisë dhe kreu i Trupit Koordinues, Milan Markoviq, duke mos e respektuar kështu as autoritetin e kryediplomatit shqiptar dhe as flamurin e shtetit të tij.

Në asnjë mënyrë nuk vinte në konsideratë përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi, ashtu siç përdoreshin nga serbët në Kosovë. Kjo e drejtë shqiptarëve të Luginës u mohohet me dekada nga ky shtet që tashmë ka perspektivë evropiane!

Pavarësisht këtij nënçmimi, Meta pati pranuar ta bëjë një kompromis të tillë, si kusht që ta vizitojë Preshevën. Eskorta e tij ishte lejuar të shkojë në këtë Komunë, derisa qytetarët i duartrokisnin ardhjes së Metës, pa guxuar t’i valëvisin flamujt kombëtarë.

Katër vjet pas vizitës së Metës, një kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, zyrtarisht do ta vizitojë Serbinë, me këtë rast edhe shqiptarët në Luginë të Preshevës.

Fundamenti

Si zakonisht as kjo vizitë nuk shpëton pa u politizuar nga politikanët serbë, sidomos kur tashmë si pretekst e kanë dronin me hartën e “Shqipërisë së Madhe”. Ky ishte edhe arsyetimi që Ramës iu shty disa ditë vizita në Serbi.

Makthin ndaj “Shqipërisë së Madhe” s’po e fsheh as kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ish-zëdhënës i Partisë Radikale të Vojisllav Sheshelit. Ai nuk po pushon së deklaruari se serbët do të bëjnë çdo gjë për ta ndaluar atë, edhe pse homologu shqiptar i Vuçiqit, i cili sot do ta vizitojë Serbinë, tashmë e ka konfirmuar se “Shqipëria e Madhe” është makth i serbëve, e jo ndonjë projekt i Tiranës zyrtare.

Në acarimin e raporteve mes dy popujve si zakonisht nuk shpëton pa kontribuar as ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, që ka qenë zëdhënës i Millosheviqit, i cili deklaroi së fundi se nuk është problemi te vizita e Ramës në Preshevë, por te mesazhi që ai do të përcjellë.

Ndërsa, presidenti Tomislav Nikoliq nuk ka planifikuar kurrfarë takimi me kryeministrin Rama gjatë vizitës së këtij të fundit në Beograd, duke e dëshmuar se është një antishqiptar i përbetuar.

Madje për shkak të “mesazhit që do të përcjellë”, drejtuesit e institucioneve serbe u munduan që të mos e lejojnë Ramën ta vizitojnë Preshevën, por ideja e kompromisit si me Metën për flamur në vitin 2010, nuk iu funksionoi.

Sigurisht se Rama nuk do të përcjellë kurrfarë mesazhi për “Shqipëri të Madhe”, por do ta forcojë imazhin e tij si kryeministër bashkëpunues me perëndimin, duke mos e tradhtuar kështu as mbështetjen e dhënë nga kancelarja gjermane, Angela Markel, por se është traditë e politikanëve serbë që në prag të vizitave të tilla të kthehen në identitet. Aty ku kanë qenë në vitet e 90-a.