Flamur Mushica, radiologu që flet me gjuhën e profesionalizmit dhe vepron me saktësi të pakrahasueshme
Gjilan – Flamur Mushica nga Gjilani është një nga radiologët më të çmuar në Kosovë dhe më gjerë, i njohur për profesionalizmin e tij të palëkundur jo vetëm në vend, por edhe në klinika prestigjioze të vendeve perëndimore. I saktë deri në detaje dhe i përkushtuar ndaj disiplinës së tij, ai e ka ndërtuar karrierën mbi parimin se e vërteta mjekësore gjendet në hijet e imazheve radiologjike dhe aty ai nuk lë vend për gabim.
Edhe pse jeton dhe punon në Zvicër, Mushica mbetet i lidhur fort me Kosovën, ku bashkëpunon dhe mban partneritete me disa nga spitalet më të rëndësishme të vendit.
Të shkruash për të, kërkon kohë dhe kujdes, sepse ai përfaqëson profilin e profesionistit që punon në heshtje, por lë gjurmë të mëdha. Nuk është njeri i rrjeteve sociale, ndoshta edhe për shkak të angazhimeve të shumta, por emri i tij njihet për një gjë, kompetencë dhe humanizëm.
I specializuar në radiologji, Flamur Mushica e dallon veten jo vetëm me ekspertizë të thellë, por edhe me qasjen humane ndaj pacientëve. Shpesh, një bisedë e shkurtër me të mjafton për t’i dhënë pacientit siguri, qartësi dhe qetësi sepse ai beson se diagnostikimi nuk është thjesht procedurë profesionale, por përgjegjësi njerëzore.
“Unë mundohem që çdo shërbim mjekësor të jetë i vlerësuar me përpikmëri në fushën time, sepse diagnostikimi është përgjegjësi shumë e madhe. Pacienti mund të përballet me probleme serioze në të ardhmen, prandaj komunikimi në radiologji është hap themelor,” thotë Mushica për rajonipress.
Sipas tij, korrektesa profesionale dhe përgjigja e shpejtë ndaj pacientëve janë shtylla të punës së tij të përditshme.
Edhe në vendet e perëndimit ku punon, Mushica gëzon reputacion të shkëlqyer, ndërsa në Kosovë vazhdon të mbetet partner i besueshëm i shumë spitaleve private.
Dr. Flamur Mushica është një profesionist me përvojë të gjerë në fushën e radiologjisë diagnostike dhe onkologjike, duke kontribuar në zhvillimin e kësaj fushe përmes angazhimit të tij si specialist dhe përfaqësues në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare.
Profesionalizmi, humanizmi dhe përkushtimi i tij e bëjnë Flamur Mushicën një shembull inspirues të mjekut që e nderon profesionin dhe shërben me integritet kudo që vepron./rajonipress/


