Fundamenti

Fjalët e fundit

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Çfarë thonë të dënuarit me vdekje pak para se të ekzekutohen? Me qëllim që të kuptohet kjo gjë, në Teksas të SHBA’ve janë incizuar fjalët që i thanë disa nga ta pak para se të ekzekutohen me injeksion vdekjeprurës.

Sivjet në Teksas janë ekzekutuar nëntë të burgosur. Televizioni amerikan ABC News ka publikuar fjalët e tyre të fundit, të cilat janë incizuar nga policia në Teksas. Në vazhdim Express sjell ato që i thanë këta nëntë të burgosur para se të ekzekutoheshin.

48-vjeçari Clive Foster është dënuar për shkak se bashkëbanuesit të tij i ndihmoi gjatë vrasjes së një femre, e pastaj edhe për fshehjen e trupit të saj në një pyll. Deri në fund deklaroi se ishte i pafajshëm. Është ekzekutuar më 25 shtator të këtij viti.

“Kur të mbylli sytë, do të jem me babain tim. Zoti është gjithçka, ai është vetë jeta ime. Sonte do të jem me të”, tha Foster pak para vdekjes, e pastaj u kthye nga familjarët e viktimës, dhe iu tha: “Nuk e di si do të ndjeheni sonte. Do të lutem që të takohemi në parajsë”.

40-vjeçari Wayne Harris, u dënua për shkak të vrasjes së pesë njerëzve. Në vitin 2002 ai kishte shtënë me armë drejt një autolarjeje, nga e cila tre ditë më herët ishte larguar nga puna. Është ekzekutuar më 20 shtator.

“Dua t’ju them se ju dua. Po shkoj në shtëpi. Do të jem mirë atje, mos u brengosni. Ju dua të gjithëve. Zoti i bekoftë renxherët e Teksasit”, tha ai para se t’i jepej injeksioni vdekjeprurës.

pas një grindjeje, 54-vjeçari Marvin Lee Wilson vrau 21-vjeçarin Jerry.

“Jam i gatshëm. Bohannon, Peg dhe Kim, ju dua shumë. Djali i babit, bën diçka gjatë jetës tënde, dhe jeto mirë. Përqafoje nënën tënde, dhe i thuaj që e dua. Të gjithë e dini që unë këtu erdha si fajtor, e prej këtu po dal si i shenjtë. Jezus, më ço në shtëpi. Zot, më ço në shtëpi. Ende nuk paskam shkuar. Kjo sigurisht është një mrekulli. Unë jam një mrekulli. Të dua Rich. Mos qaj biri im, mos qaj. Ju dua të gjithëve. Jam gati”, tha Wilson, i cili u ekzekutua në gusht.

33-vjeçari Yokamon L. Hearn, bashkë me tre shokë të tij, në vitin 1998 kishte plaçkitur një 26-vjeçar, të cilin pastaj e kishte rrëmbyer, dhe mbi të cilin kishte shtënë 12 herë – në kokë dhe në trup.

“Dëshiroj t’i porosis familjarët e mi se i dua të gjithë, dhe se ju dëshiroj fat. Jam i gatshëm”, ishin fjalët e fundit të Heran. Ai u ekzekutua në korrik.

Fundamenti

29-vjeçari Beunka Adams kishte vrarë një shitës në dyqanin ku kishte hyrë të vidhte, dhe pas kësaj ishte përpjekur t’i rrëmbente dy femra.

“Fillimisht, dëshiroj t’i them nënës time të mos qaj. Nuk ka arsye për lot, sepse të gjithë vdesin. Të gjithëve iu vjen koha për këtë, andaj mos u mërzit për mua. Unë jam i fortë. Familjes sime: babit i vjen shumë keq. Ju dua të gjithëve. Jam krenar për të gjithë ju. Vërtet ju dua shumë”, ishin fjalët e fundit të Adams, i cili u ekzekutua në muajin prill të këtij viti.

47-vjeçari Jesse Joe Hernandez kishte vrarë foshnjën e tij 11-muajshe. Foshnjën dhe vajzën e tij më të madhe i kishte qëlluar me një bateri në kohën sa po i ruante.

“I thoni djalit tim se e dua shumë. Zoti ju bekoftë të gjithëve. Do të vazhdoj të eci me Zotin. Po ndjej se injeksioni ka filluar të reagojë. Nuk qenka aq keq”, tha Hernandez, i cili u ekzekutua në muajin mars.

Keith Steven Thurmond kishte vrarë ish-gruan e tij, bashkë me të dashurin e saj.

“Krejt çka dua të them është se jam i pafajshëm. Nuk e kam vrarë gruan time. Ju betohem në Zot se nuk e kam vrarë. Ngutuni pak, përfundojeni të gjithën. Po e ndjej injeksionin”, tha Thurmond. Ai u ekzekutua në fillim të këtij viti.

41-vjeçari George Rivas kishte vrarë një zyrtare policore, derisa ajo po mundohej ta parandalonte gjatë një vjedhjeje.

“Jam i gatshëm. Por, së pari do të doja t’i kërkoj falje familjes së zyrtares policore, jo për shkak që tani jam këtu, por për shkak që më në fund do të përfundoj gjithçka. Besoj që e keni merituar të përjetoni një përfundim të tillë. Gruas time, Cheri: të falënderoj shumë për shkak se ishte pjesë e jetës sime. Të dua tepër shumë. E falënderoj motrën time, miken, djalin, dhe gjithë familjen. Ju dua të gjithëve. Ju falënderoj për gjithçka në jetë. Gruas time: ruaje veten, do të të pres. Të dua. Jam i gatshëm të shkoj”, tha Rivas, i cili u ekzekutua në muajin shkurt.

38-vjeçari Rodrigo Hernandez ishte i burgosuri i parë i ekzekutuar në Teksas në vitin 2012. Ai kishte rrëmbyer një grua që kishte takuar në një vend-parkim, të cilën pastaj e kishte dhunuar dhe në fund e kishte vrarë.

“Jam i gatshëm. Dua t’ju them të gjithëve se ju dua. Ngritni kokat lartë Ne të gjithë jemi një familje, jemi njerëz të Zotit të gjithmadhërishëm. Jam i gatshëm”, tha Hernandez.