RCCOLA

Fitou: Shteti dhe kufijtë tuaj nuk janë më në rrezik

/ 5 minuta lexim

Ambasadori i Francës, Jean Francois Fitou edhe një herë ka përsëritur qëndrimin e tij lidhur me sovranitetin e Kosovës, duke thënë se tashmë 13 vjet pas lufte shteti i Kosovës dhe kufijtë e saj, janë të sigurt dhe nuk janë në diskutim fare. Megjithatë, ambasadori në largim Fitou, ka thënë se mbetët ende punë për t’u bërë që Kosova të arrijë qëllimin e saj, pra anëtarësimin në BE.

Ambasadori francez, këto komente i bëri të shtunën gjatë takimit lamtumirës që pati me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajn. Fitou, po ashtu, ka thënë se ndjehet i privilegjuar për faktin që katër vjet më radhë ka qëndruar dhe takuar qytetarët e Kosovës.

“Pasi që po shkoj, mos e merrni sikur është një qëndrim politik, por kam qenë i gëzuar që kam qenë më juve. Shteti juaj tani ka qenë në një skaj të botës, në skaj të shkatërrimit 12 vjet më parë. E shoh edhe fragjilitetin dhe memoriet e juaja i keni të freskëta. Ju nuk e kuptoni ndoshta sa larg jeni tani prej këtij këndi shkatërrimtar që keni pasur 12 vjet më parë. Thjesht, shteti juaj, sovraniteti juaj, kufijtë tuaj tani nuk janë në diskutim fare”, ka thënë Fitou.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, pas takimit lamtumirës që pati me ambasadorin francez, vlerësoi lartë kontributin dhe angazhimin e Fitous gjatë kohës që ai ka qenë ambasador i Francës në Kosovë, duke thënë se gjatë këtyre katër vjetëve, Republika e Kosovës ka bërë një progres të madh dhe pjesë e këtij progresi dhe suksesi ka qenë edhe ambasadori Fitou dhe vendi i tij Franca.

“Gjatë këtyre katër vjetëve, Republika e Kosovës ka bërë një progres të madh dhe pjesë e këtij progresi dhe suksesi ka qenë edhe vendi i tij Franca, prandaj unë dua ta falënderoj ambasadorin Fitou për mbështetjen e madhe që i ka dhënë shtetit të Kosovës në këtë rrugë të përbashkët. E falënderoj për mbështetjen e qeverisë franceze që i ka dhënë në mënyrë sistematike Republikës së Kosovës në të gjitha fushat e jetës dhe dua ta falënderoj ambasadorin edhe njëherë në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për angazhim personal që ky ka pas duke mbështet Kosovën”, ka thënë ai.

KKGJILAN

I pyetur nga gazetarët lidhur me hapjen e zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd dhe anasjelltas, Hoxha ka thënë se do të jetë zyrë e ndërlidhjes së Republikës së Kosovës që do ta përfaqëson dhe prezanton Kosovën në kryeqytetin e shtetit serb në Beograd.

Ministri Hoxhaj, ka bërë të ditur se njeriu që do ta përfaqësojë Kosovën në Beograd, pa dyshim do të jetë njëri nga ambasadorët aktual që ka Kosova në vendet e ndryshme të botës, por nuk ka precizuar se cili mund të jetë ai. Hoxhaj ka theksuar se është në fazën finale të përpilimit të listës, e që më pas do t’ia dërgoi kryeministrit Hashim Thaçi, e i cili bashkë me presidenten Jahaga do të vendosin se cili do të jetë ai.

“Unë jam në fazën finale që t’ia ofrojë kryeministrit Thaçi një listë të disa kandidatëve të cilët mund të jenë ata të cilët do të emërohen si përfaqësues të Republikës së Kosovës në Republikën e Serbisë. Ju e dini që ne kemi disa prej ambasadorëve që padyshim janë jashtëzakonisht të përgatitur e njohin shumë mirë Ballkanin, e njohin shumë mirë Serbinë dhe neve na duhet një njeri i cili do ta ketë përgatitjen e nevojshme dhe të njëjtën kohë do të na informon në mënyrë të rregullt për të gjitha zhvillimet që ndodhin në Serbi”, ka thënë ai.

Duke folur për epilogun e dialogut të nisur mes Kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, Hoxhaj ka deklaruar se ky dialogu ka krijuar një klimë të re në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe ka ndërruar qasjen e Brukselit ndaj të dyja vendeve. Hoxhaj po ashtu ka bërë të ditur se në raundin e ardhshëm të bisedimeve që do të mbahet më 17 janar temë kyçe do të jetë shpërbërja e strukturave paralele të Serbisë të instaluara në veri të Mitrovicës. /kosovapress/