Fitorja motivoi Ramën për Serbinë

Shqipëria ka arritur fitore tejet të rëndësishme në udhëtim ndaj Portugalisë, me rezultat 1:0, në ndeshjen për kualifikime të Kampionatit Evropian, i cili do të mbahet në Francë. Për këtë ndeshje nuk u grumbullua mesfushori me tipare sulmuese Valdet Rama.
Në një prononcim për Arenën, mesfushori mitrovicas, është shprehur i lumtur me fitoren e arritur ndaj Portugalisë, duke thënë se ndeshjen e ka shikuar me shumë emocione. “E kam shikuar ndeshjen dhe kam qenë shumë i lumtur që arritëm të fitojmë. Më e rëndësishmja është se e kemi nisur me tri pikë kampanjën kualifikuese dhe kjo është një motivim i madh për ne për ndeshjet e radhës”, u shpreh fillimisht Rama.
Ai ka folur edhe për dy ndeshjet e radhës, atë ndaj Danimarkës, dhe Serbisë, duke thënë se nëse luajnë si ndaj Portugalisë, sukseset nuk do të mungojnë. “Paraqitja e bashkëlojtarëve të mijë në ndeshjen ndaj Portugalisë, ishte brilante, punë të shkëlqyer ka bërë edhe trajneri me stafin e tij. Në dy ndeshjet e radhës atë ndaj Danimarkës dhe Serbisë, nëse arrijmë të luajmë si ndaj Portugalisë, atëherë do t’i bëjmë sërish popullin shqiptar të kënaqur me ne”…(Arena).