Fitojnë miliona, zvarrititin rimbursimet
Klientët kosovarë shprehen të pakënaqur me kompanitë e sigurimeve. Qytetarëve u shtohen shpenzimet në realizimin e së drejtës së tyre
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të ankohen se kompanitë e sigurimeve nuk i kryejnë me korrektësi rimbursimet për klientët. Qytetari, Shyqyri Leci (60), me banim në Prishtinë, në afërsi të objektit të KEDS-it, thotë se ka 1 vit e tre muaj që pret t’i marrë 1 mijë euro nga njëra prej kompanive të sigurimit. Këto para do të duhej t’i paguheshin atij si kompensim për dëmin që i është shkaktuar në një aksident rrugor. Megjithatë, ai tregon se gati një shumë të përafërt të mjeteve e ka shpenzuar duke e kërkuar të drejtën e tij.
“Janë kryer të gjitha procedurat. Sa herë që shkoj t’i marr paratë, më thonë eja nesër”, tregon qytetari. Shyqyriu duket se nuk është i vetmi në Kosovë që ka këso telashe. Shumë pronarëve të makinave u zvarriten lëndët derisa t’i marrin paratë e tyre. Ndërkaq, kompanitë e sigurimeve brenda një viti qarkullojnë miliona euro nga shitja e policave për sigurim të veturave.
Industria e sigurimeve shton fitimet
Vetëm vitin e kaluar, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, janë shitur mbi 300 mijë polica, ku vlera totale e tyre është disa dhjetëra miliona euro. Të dhënat e fundit të BQK-së, për kompanitë e sigurimeve për vitin 2015, tregojnë se vjet vlera e sigurimeve të pranuara arriti gati në 100 milionë euro. Ndërsa, gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, dëmet e paguara arritën vlerën e më shumë se 50 milionë eurove. Deputeti opozitarë Bali Muharremaj thotë se kompanitë e sigurimeve më shumë e kanë hallin te fitimet sesa te kujdesi ndaj klientëve.
Qytetarët ankohen se po u vonohet kompensimi i dëmeve pa ndonjë arsye, pasi çdo vit i paguajnë obligimet e tyre. “Kompanitë e sigurimeve janë të obliguara t’i paguajnë dëmet dhe nuk kanë ndonjë arsye t’i zvarrisin ato me gjithë këtë fitim”, ka thënë ai. Sipas deputetit Muharremaj, në momentin që klienti e ka bërë sigurimin e veturës në atë kompani, ajo është përgjegjëse për dëmet që shkaktohen në aksidente rrugore. “Por, këto vonesa janë të qëllimshme dhe bëhen me synim të zhvatjes së qytetarëve tanë”, theksoi Muharremaj./kosova sot/

