FIQ e bart në gjithë Kosovën, përvojën e aktivizimit qytetar të Smirës

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Me kompletimin e tri mini-stacioneve për autobus, janë përmbyllur projektet e realizuara në Smirë nga Forumi për Iniciativa Qytetare-FIQ dhe komuniteti i fshatit. Në një ceremoni rasti, smirasit e kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin me këtë organizatë dhe projektet që përfunduan para pak kohësh.

Kryetari i Këshillit të fshatit, Bekim Azizi, tha se është nder që Smira është në mesin e lokaliteteve që FIQ ka zgjedhur për bashkëpunim, sepse te ne ka gjetur një gatishmëri, harmoni, mirëkuptim dhe angazhim të banorëve për të dhënë diçka nga vetja për fshatin.

“I falënderoj bashkatdhetarët në Gjenevë që na kanë dërguar një pjesë të mjeteve financiare si dhe kompanitë dhe individët e Smirës që kanë kontribuar poashtu në mënyrë që të realizohen projektet bashkë me FIQ-in, që ka dhënë 5000 euro, kurse ne i kemi mbledhur rreth 1000 euro. Dhe me këto para janë kryer tri projekte: mini-stacionet për autobusë, shtegun në oborrin e shkollës dhe perdet në një pjesë të shkollës, të cilat tashmë po u shërbejnë qytetarëve tanë”, tha Bekim Azizi. Ai përmendi edhe projektet apo iniciativat tjera që janë bërë sivjet në fshat me angazhim dhe vetëfinancim, siç janë përmendoret në hyrje të fshatit dhe në Bjeshkallavë kushtuar dëshmorëve dhe të rënëve prej vitit 1912 e këtej, pastaj renovimin komplet të Xhamisë, aksionin për pastrimin e fshatit etj.

Zëvendësdrejtori i Forumit për Iniciativa Qytetare, Nazim Haliti, u angazhua të shpjegojë konceptin e bashkëpunimit të FIQ-it me komunitetin e Smirës dhe cila është rruga e aktivizimit qytetar.

“Besoj se e kuptoni angazhimin tonë të sinqertë me ju. E mira është që nuk jam këtu vetëm për ta përmbyllur një projekt. Pra është program i punës që nuk është dizajnuar vetëm sa për ka kryer një punë. Ne nuk do ta ndalim punën me ju, pavarësisht sa do të jetë kontributi financiar. Ne mendojmë të vazhdojmë me ju në formën e përvojës. Pavarësisht si e shihni nga brenda Smirën, pavarësisht sa ju besoni në këtë aktivizim qytetar, unë mendoj që nëse krahasohen vendbanimet tjera në Kosovë, ju keni treguar dhe po tregoni një model të funksionimit dhe ne po përpiqemi ta shpërndajmë këtë model. Ka mundësi të bëni shumë e shumë më mirë sepse unë nga jashtë ju shoh si njerëz të mirë, që e duani vendbanimin tuaj dhe që e shihni jetën në mënyrë pozitive. Pra, aktivizimi qytetar i jep shpirt komunitetit dhe i bashkon njerëzit”, tha Haliti.

Ai bëri të ditur se FIQ-i, e ka marrë si shembull të mirë Smirën, si pjesë e një projekti të ardhshëm të kësaj organizate dhe ka vendosur që përvojën e organizimit dhe aktivizimit qytetar ta bartë si shembull në gjithë Kosovën, përmes aktivistëve të saj, të cilët do të mbajnë takime informuese dhe ligjërata në vendbanime tjera.

Uji Dea

Drejtori i Shkollës së mesme të ulët “Dëshmorët e 5 Prillit”, e cila ka përfituar dy projekte nga FIQ dhe komuniteti: shtegun nga rruga deri te hyrja e shkollës dhe perdet në pjesën e përparme të shkollës, tha se është vërtetuar se këto projekte janë dëshmuar si shumë të qëlluara dhe të nevojshme.

“Ajo që e karakterizon FIQ-in është fakti se kjo organizatë ka investuar projektet që vet i kemi zgjedhur dhe nuk na ka imponuar siç bëjnë shumica e organizatave joqeveritare. Kemi qenë një i njerëzve që jemi përcaktuar që dy projekte të shkojnë në shkollë. Besoj se edhe në të ardhmen do të kemi projekte, kurse organizimi ynë nuk do të mungojë. Në emër të nxënësve dhe kolektivit të shkollës e falënderoj Nazim Halitin dhe FIQ-in”, tha Agushi.

Anëtari i Kryesisë së smirasve në Zvicër, Ramadan Rrahmani, tha se edhe diaspora e Smirës i përjeton ndryshimet dhe përparimet në fshat.

“Ne atje gëzohemi kur bëhet diçka e mirë në fshat dhe i bashkëndiejmë ato, sikur në këtë rast, ndonëse jemi larg. Është e vërtetë se smirasit e kanë dëshmuar veten dhe po e dëshmojnë edhe tash se e duan njëri-tjetrin, se punojnë dhe se janë të gatshëm të përkrahin aksione dhe projekte të ndryshme. Edhe ne në diasporë jemi solidarizuar me iniciativat që janë marrë, siç kemi përkrahur me një shumë simbolike edhe këto projektet e fundit me FIQ-in”, tha Dani, duke premtuar se ndihma e mërgimtarëve nuk do të mundojë as në të ardhme.

Për të pranishmit u organizua edhe një koktej rasti, për të kremtuar përfundimin me sukses të projekteve të FIQ-it me komunitetin e Smirës./rajonipress/