Filozofia poetike e heshtjes

Nga Mehmetali Rexhepi – Anton Nikë Berisha, Sytë e heshtjes. Përsiatje poetike; Argeta LMG, Tiranë 2018

Vëllimi “Sytë e heshtjes” brenda tridhjetë e tre kapitujve, aq sa thuhet se kishte zgjatur jeta tokësore, e shndërruar në hyjni, e Jezus Krishtit, ngërthen përsiatje poetike për filozofinë e heshtjes.

Koncepti i zgjeruar i heshtjes i poetit, romansierit, studiuesit dhe dijetarit, i profesorit universitar Anton Nikë Berishës, pikënisjen e valëve koncentrike të figurave dhe ideve në këtë libër, e ka shtrirë në dy përmasa paraprijëse jetësore e hyjnore: Nëna Tereze si model dhe variacionet e pambarimta të heshtjes. Qasja për t`i shpaluar ngërthesat, pamjet, zbërthimin e librit “Sytë e heshtjes”, të vë në mëdyshje të mëdha. Shtytja për një ndërmarrje të tillë e ka modelin e gjallë në zemër e mendje… Frymëzimi i pashuar buron nga një qenie tokësore, e cila me veprimet e përkushtuara për skamnorët, të sëmurët, të uriturit, të përbuzurit, të gërbulurit, të pashpresët, ngjalli dashuri dhe i vuri lidhjet mes globit lëndor dhe Hyjit. Nëna Tereze themeloi dhe përuroi rendin e njëmendët të njeriut për njeriun, antitezën e denjë kundruall asaj të Tomas Hobsit: Njeriu për njeriun është ujk! (Homo homini lupus est!)

Sytë dhe heshtja janë përqendruar fort për t`i zbërthyer pjesët e tyre të pashkruara, të shtresuara mijëra vjet, jo si mënyrë e diskurseve, por me arsenalin e begatshëm të gjuhës e të stilit figurativ. Si duket, duke lexuar e rilexuar tridhjetë e tre kapitujt e këtyre përsiatjeve, këtij autori shumëplanesh nuk do t`i mjaftonte depërtimi në sfera të ndjeshmërisë etike dhe estetike gjuha e diskurseve të prozës.

Secilit kapitull a poezi e formës mono-kolone të poemës “Sytë e heshtjes” e Anton Nikë Berishës, i prin që në krye të herës heshtja, konceptimi në trajtën e shquar, pos në kapitujt njëmbëdhjetë, shtatëmbëdhjetë dhe njëzetetetë e hasim në trajtën nismëtare të pashquar.
Heshtja është koncepti themelor shumështresor i përsiatjeve, që e lidhin tekstin me nëntekstin me fije të dukshme e të padukshme variacionesh prodhimtare, për kapje pamjesh dritë-hijesh, fjalëzash, kontrastesh, gjendjesh shpirtërore, përfytyrimesh, faqesh gjysmë të ndritura e gjysmë të errëta, kredhjesh në trajta misteresh ontologjike të vetë-njohjes dhe Hyjit, grishje e përhershme dhe gjakim i pashuar pas shkëlqimesh të ngërthyera në konceptin fillestar të heshtjes.

Padyshim për ta përmbushur konceptin prijatar të heshtjes, duke mos iu shmangur formulës së përcaktuar, poetit i është dashur përvojë e disiplinë prej kërkimtari për depërtime në shtresimet e fjalës, gjithnjë duke e zgjeruar dhe dendësuar kornizën e konceptit për heshtjen, si kategori gjithëpërfshirëse, përcaktuese e pohimeve poetike… Përcaktimet këtu nuk u shtruan thjesht si diçka e radhitur për efekte retorike, por si frymë e shpirtërores, kredhje në universin e heshtjes, njëkohësisht për të pathënat e gjakimin e pengut të saj të madhërishëm.

Në këtë poemë heshtja nuk konceptohet si kategori e ngurtë, si një zjarr i shuar pa prushin që djeg ashtin e shkrin lëkurën. Pa u habitur, cikli i shndërrimit vijon: hiri i heshtjes kthehet përsëri në flakë e prush, sepse brendia e saj ka dallgëzime e drithërima të shpirtit… Poezia shfaqet pikërisht në paradoksin e saj poetik.

Përsiatjet për heshtjen, e konceptuar si poetikë e filozofi e saj, në poemën “Sytë e heshtjes” të poetit inventiv Anton Nikë Berisha, mëtojnë pleksjen e trinisë: poetikë, ontologji, imagjinatë. Gjithsesi sfondi i kësaj trinie është imagjinata. Trajtat e shprehjes artistike prore lëvizin në suazat e të së mundshmes relative. Universi i të pathënave është e pakufi. Pra, kurdoherë mbeten të pathënat, të cilave priren t`iu rreken dijetarë e poetë, secili me individualitet e veta të kundrimit të ndjeshmërisë, manifestimeve pararendëse në intuitën vijuese të akëcilit dashnor të shprehjes poetike. Poetët duke përplotësuar njëri-tjetrin në hapësira, kohë, mjedise e tradita të ndryshme të përmbushjes shpirtërore, matin pulset e ndjeshmërisë shoqërore…

Zgjerimin e konceptit poetik për heshtjen Anton Nikë Berishës ia mundësoi kultura dhe intuita e hollë poetike, e sprovuar qoftë në planin e gjerësisë ideore, qoftë për shkathtësinë e shtrirjes, lakimit e të tëhollimit depërtues të fijeve refleksive, të lidhjes tyre me përmasat universale të dukurive. Fjalori i kësaj poeme dendësohet me përbërës të shumtë kontrastesh, ritmesh, ngjyrash, me stilin e gjuhës figurative e të imagjinatës për t`i kapur dukuritë, shqetësimet, trazimet, ëndjet e ngazëllimin, dilemat, mallëngjimin e dëshpërimin e njeriut, zgripet e shpirtit e të qenies përherë të pangopura me dhuntinë e dritës, të trajtave të ujërave që rrjedhin stinëve… Era si çelës i sythave të blerimit dhe si shtrëngatë tmerruese, dhimbja si dëshmi gjallërie…

Leximi sipërfaqësor na shpie në mbresa të lajthitura, ngase anashkalohen kodet e ideve të pleksura në figura. Shumësia e ideve nuk mund të vishej vetëm me figurat e fjalës, qoftë personifikimi, krahasimi, simboli, hiperbola, metafora, epiteti, litota, ose me figurat e intonacionit e të përsëritjes, as me ato të diksionit e të eufonisë, si: pyetja retorike, apostrofa, asonanca dhe aliteracioni… Po ashtu, kësaj bote të ndërliqshme poetike i duheshin dhe figura të konstruksionit, si: inversioni, elipsi, shkallëzimi, e tjera. Posaçërisht i duhej arkitektura e një sintakse poetike të pa pushtuar.

Ideja pllenohet në kundërshti antitezash dhe nëpërmjet njohjes së vetvetes, të vërtetës, eksplorimit të jetës e të universit; si dhe në kërkime shkaqesh e zhvendosjesh paradoksale, lidhjesh të pashkëputura, fijesh të holla e të trasha, enigmash të cilave u sillemi vërdallë… Poeti ndjeshmërinë e subjektit poetik e pleks me përkufizimin mendor, prandaj, mbi përmasën e ndjenjave dhe të mendimit strukturohet poema “Sytë e heshtjes.”

Çka është heshtja në përsiatjet poetike dhe ontologjike të Anton Nikë Berishës?

Po t`iu qasemi mençurive të thënieve për heshtjen, në kontekste të rëndomta dhe në konteste vëlimesh e kundërshtish, madje për heshtjen si sublimë e urtisë; mund të silleshim në një qark të rrahur tematik, që nuk do të na shpinte as në thellësi, as në lartësi, as në shumësinë e ngërthyer të filozofisë, të poetikës e të estetikës… E duhura e kësaj urtie është trajtimi i qasjes nëpër kataraktet emocionale, të ideve rrafshit të tyre përcaktues, simbolikës kahes vizionare drejt begatimit të konceptit poetik, për sytë si e shohin botën dhe ekspresivitetin e hyrjes në brendi të heshtjes. Të përkufizosh variacione dhe konotacione, të cilat burojnë nga heshtja, në mënyrë dhe me mjete poetike, doemos duhej të kishe përafruar dy anë të botës: relievin e botës së ndjenjave dhe yllin rreze-artë të mendjes, për të hedhë shkëlqimin e dritës në skutat e errëta të universit të ndërdymes… Kështu ndërdyja e poetit shfaqet e komunikon si trajtë modeluese e dukurive, si një miniaturë universale.

Sikurse vëmë re gjatë leximit identifikues, përpjekjen për t’u identifikuar në këtë sferë vargimi të ndjeshmërisë, nuk e hasim si përpjekje për t`i mbi-ndërtuar thëniet e urtisë si përditshmëri e tipit: heshtja është kapak i argjendit; heshtja është varr; mandej konceptimet e heshtjes në konotacionet shoqërore: heshtja është miratim…; Heshtja është kapitullim; heshtja është kompromis; heshtja është tërheqje nga beteja; heshtje, do të thotë, fshehje e fajit; heshtja është mençuri; heshtja është ligësi; heshtja është padituri; heshtja është trajtë e injorimit; heshtja mungesë gatishmërie e përballjes; heshtja fsheh koruben e arkitekturës…

Në kapitullin e tretë vargëzues, poeti ngre pikëvështrimet e tij për variantet konceptuale të heshtjes. Ç`është heshtja?
Heshtja është të folurit pa zë,
pa tingull, pa zhurmë, pa lëvizje,
mbushullim fjalësh që të flasin
me gjuhën e shenjave, me pamje, me simbole…

Çfarë hasim kësaj udhe të kërkimit poetik? Gjithsesi vërejmë mësymjen e pandalshme të poetit për t`ia gjetur veshjen e përshtatshme poezisë së heshtjes, që joshet nga teoria për heshtjen. Përkufizimi i variacioneve të heshtjes përmes vargjesh herë-herë merr tipare teorike. Qëmtimi i figurave ngjyhet në lëngun e preferencave të diskursit teorik me mjetet e stilit figurativ. Mendimtari me dorën e tij finoke e tërheq poetin. Megjithatë, në vazhdën e shtjellimit poetik të Anton Nikë Berishës, libri “Sytë e heshtjes” nuk i nënshtrohet eseistikes, ngase do ta ruajë mëvetësinë, duke qëndruar prore në tabanin e natyrës letrare-artistike.

Natyrisht poezia e një kategorie dhe niveli të tillë artistik, nuk mund të ishte tërësisht e pastër, pa përvojën e sprovat filozofike, pa reflektimet e tej-përshpirtjes, të hyjnores, pa trysnitë e realitetit jetësor, të cilin poezia mëton ta fisnikërojë, ta humanizojë dhe t`ia japë në dorë librin e të urtëve të njerëzimit. Vijimit përkufizues për heshtjen poetike do t`i jepnin shtytje moria e konotacioneve, e pamjeve të bukurisë. Përmasës të së bukurës shkrim-kërkimtari do t`ia zbërthejë hiret, duke i dhënë ngrohtësi ujëvarës që e “mbroth shpirtin”, ndesh dallgëzimeve të liga të shëmtisë, mëdyshjeve e rreziqeve… Poeti përherë është në ballë të misionit të pashuar, herë si mister i lëbyrur, pa e ndier kumtin ngadhënjimtar në kohëra të zymta jetese, herë si mësymje për ta shpaluar bardhësinë e praruar mbi mua, mbi ty dhe në të tjerë. Heshtja si kategori estetike e të madhërishmes, ngërthen brenda vetës “lumin e dashurisë” dhe “liqenin e përdëllimit.”

Paqja e brendshme është njëra nga rrethanat fatlume për kundrime gjakftohta të kundërthënieve e të vlimeve ndër-njerëzore. Trajtimin e heshtjes si paqe “që duhet mbëltuar”, e përtrollit heshtja si trajtë e urtisë. Lakmia hyri mes njerëzve dhe, meqë u bë e pashmangshme pasoi trazimi i paqes e, njeriu përmbushet në bashkësi me paqen në shpirt e në shtëpi. Duke qenë premisë themelore kundruall trazimit, ajo me paqen e vet i zbut marrëdhëniet mes njerëzish dhe merr kuptimin e mirëfilltë sidomos kur i takon edhe tjetrit.

Diskursi për heshtjen si përmasë e shtrirjes zotëruese, sjell ëmbëlsinë e kontrastit të gjumit dhe të ëndrrave, kur vjen befas “e na i mbyllë sytë si erësim lulesh…” Metafora e heshtjes zbërthen kënaqësinë dhe shëmtinë, këputjen e ëndrrës së bukur nga vrazhdësia e zhgjëndrrës së jetës.

Kapitull pas kapitulli të veprës “Sytë e heshtjes”, poeti Anton Nikë Berisha i rreket cakut poetik, për t`i parë të gjitha anët e heshtjes. Në optikën e shkrim-qëmtuesit, heshtja e ka shtresuar gjakimin e pashuar për të madhërishmen, për të gjitha kategoritë e të bukurës, ndaj nuk ngurron për ta merituar bekimin e tokës e të qiellit edhe me aktin sublim të flijimit dhe, me brishtësinë e natyrës së cilës i përket:
është flijim i brishtë i frymësisë së fjalës
me dhjetëra ngjyrime tingëllimash pa zë

Duke ngërthyer gjakimin e etur, lumi i heshtjes rrëmbimthi përplaset në shkëmbinj, derisa të arrijë rrafshin e qetë të rrjedhës. Kështu heshtja merr konotacionin e durimit… Heshtja përplasjen nuk e shmang, por e hesht në përmasën e vet. Dy kuptimet: rrjedha dhe shkëmbi i përkasin heshtjes si simbolikë e gjallërisë ekzistenciale, si rrjedh dhe qëndresë.

Ç`është dashuria e konotacioneve të heshtjes e Anton Nikë Berishës?

Në qoftë se thënia e diskursit shqyrtues artikulohet pasi të kalojë nëpër filtrat e logjikës, thënia poetike e zhvendos logjikën, për t`ua lënë mundësinë situatave paradoksale dhe antitezave të sendeve e dukurive. Aty ku nuk mund të qëndrojë rendi logjik i gjërave, kur situatën logjika e sheh të patejkalueshme, e tejkalon në mënyrën më radikale poetika e figurës ose figuracioni poetik. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se poetika figurative është rezultuese afektive e trazimit shpirtëror. Dëshmi për përtrollitje të këtij konstatimi janë vargjet e poemës “Sytë e heshtjes.” Sytë dhe heshtja një togfjalësh i thjesht, por brendia e tij vë në funksion shumësi pamjesh, ndodhish, dëshmi ndjeshmërie, konceptesh mendore, dhimbjesh, absurdesh, trajtash tragjike të ekzistencës, ngazëllimesh dhe udhë-rrëfimesh njerëzore.

Te “Sytë e heshtjes” veshët, gjymtyrë për kapjen e ndijimeve të jashtme, nuk duken, por lihen për t’u kuptuar. Koncepti heshtje, po aq sa shikimeve, i ka lënë hapësirë dhe ndijimit, por sytë e poetit njëkohësisht janë shqisa ndjeshmërie, dyfish funksionale. Kjo ndjeshmëri në librin e saj të heshtur nënvizon pëshpërimat më zë-humbura, meqë nga egoja e vet ka përjashtuar kakofoninë, krismat, britmat, sharjen, mallkimin e zëshëm dhe gjëmën.

Kjo tipologji figurative është ngjizur me çiltërsi në krojet e kristalta të çiltërsisë… Boshti i togfjalëshit “Sytë e heshtjes” i kësaj poeme, është identifikuar në Modelin e syve përdëllimtarë të Nënës Tereze, përkatësisht të Shën Terezes.
Autori i përsiatjeve poetike vazhdon zgjerimin e konotacioneve për pamjet e heshtura, vazhda e të cilave pashmangshëm derdhet në detin e dashurisë:
Heshtja është thelbi i dashurisë…
Dashuria nuk i ka rrënjët vetëm në ndjenja, në mungesën e saj, në dhimbje, në gjakimin e kërkimet për të… Dashurinë e përshkojnë drithërima e përcëllimë flakësh, maja shigjetash të harkëtarëve; harkëtarë shënjestrash të ëmbla. Si e tillë, e dalë prej shpirti, e mbjellë hullive të zemrës:
është rruga më e shkurtër të mbërrihet te Hyji

Esenë e tij artistike poeti e drejtoi drejt lidhjesh të tokësores me Hyjin, me botën hyjnore si ndjeshmëri e përshpirtshme biblike, si sferë e të madhërishmes që na vëzhgon, qorton e përdëllen. Tokësorja dhe hyjnorja e dashurisë, e penës dhe mendjes të shkrim-qëmtuesit Anton Nikë Berisha, kushtëzohen pashkëputshëm me orbitën e syve gjithë-pamës,“Syve të heshtjes.” Është formulë e rëndomtë si për poetin, ashtu dhe për lexuesin se “dashuria nga dashuria rritet.” Antiteza e kësaj natyrshmërie do të ishte: dashuria pa dashuri venitet.
Cilësimi i heshtjes si dhunti, si thesar gjësendesh të çmuara, si vetëdije e pjekur, e fërguar për shije, e flijuar për të tjerët, e zbret autorin nga lartësia poetike e hyjnores në një shtjellim eseistik të udhërrëfyesit, të ligjëruesit për kahet e ecejakeve etike të njeriut, për ndërtimin e standardit qytetërues të vlerave njerëzore.

Cilit njeri i drejtohet ky poet?

Gjithsesi njeriu i këtij poeti ka tipare të këtij mjedisi, por komunikon edhe me mjediset e tjera, me brengat e përbashkëta të çdo ambienti. Tiparet e veçanta të personazhit ngërthehen në të përgjithshmet e personazheve, relievit të mjediseve, racave, feve dhe të etnive të ndryshme.

Kërkimi poetik përmes kësaj poeme merr kahen e ligjërimit të një udhërrëfyesi të sprovuar. Tashmë duket se ai udhërrëfyes është duke zbritur tatëpjetës relievit në fushën e parimësisë etike të Nënës Tereze. Këtu e hasim urtinë si diskurs që e tejkalon sferën e vet dhe merr rolin e një dizajnuesi të përzgjedhjes së veshjes, të asaj veshjeje që t`i ketë hije sedrës njerëzore, kulturore, etike e mençuruake; tejkalimit të ngushticave vetjake, shpirtërore, ngadhënjimit të së mirës. Apostrofa urtuake e shtyllës të filozofisë së Biblës bie mbi vatrën e durimit; pikërisht aty ku e ka burimin forca ngadhënjimtare e paqes të Homo sapiens-it.

Variacionet e heshtjes në morinë e përfytyrimeve të tyre, ashtu si nuk i kemi hasur në letrat e shqip-shkrimit, shfletojnë gamën e gjerë të poezisë me segmente mendore. Gjithsesi këso ndërtimesh të poezisë, me tekst e figura të dendura, ofrojnë qasje të hapura dhe depërtuese, oksimoron kuptimesh e zbërthimesh ontologjike. Autori shkruan mbi faqet e librit të vetë-njohjes e, na shpie në relievin e mendimit. (S)fondi i përsiatjeve poetike i poemës “Sytë e heshtjes” janë figurat e veshura me mendim.

“Heshtja është puhizë e brishtë”, domethënë lëmon lehtas gjethet e frytet, flokët e kallinjve të grurit, të lulediellit, të vashës e të djalit. Shtresa kuptimore ose semantike e heshtjes është termometri i ngrohtësisë shpirtërore, si impulse gjallërie dhimbjesh e gëzimesh, që hyjnë e dalin shpirtit dhe lënë vragë, plagë e mbresa… Atëbotë, do t`i bartim si barrë të rënda e të lehta, si këngë vaji e ngazëllimi, të cilave u fiket e ndizet drita, përderisa qetësia nuk ua ka hedhur dheun e amshuar për bimën e re…

Konceptimi i heshtjes si At Dhe Dashuri, si Mëmë Dheu, e shtyn unin e poetit t`i mësyjë testamentet e ngërthesave: rrënjët, trungun, degët, frymëmarrjen, gjethimet e ripërtërishme për formësimin e kurorave, drejtpeshimin e identifikimit, vijimit të qenësisë etike, rrokullisjen e gurit dhe lirimin e gjarprit nën gur, si ruajtës i kultit të shtëpisë. Pashmangshëm: heshtja si dashuri Mëmë Dheu është: “vargëzim që s`këputet asnjëherë…”

Dialektika e vazhdimit të identitetit dhe trashëgimia e të parëve, rishkrimi tri herë i togfjalëshit me shkronjë të madhe: “ të Parëve, të Parëve të të Parëve”, në kontekstin e poezisë e forcon dhe shtrin përtej mundësisë kohore theksin logjik dhe apostrofën e zgjeruar. Kësisoj, poeti duket se i ka kapërcyer klishetë e arealit gojor të vargut dhe, nëse shfaqet diku ndonjë nuancë e atillë është krejtësisht e asimiluar.
Çka është qenësia e lëngshme e heshtjes? Është intimja e shtresimit si mallëngjim, si gjendje e flashkët e përcëlluese, si eshkë bjeshke që nis djegien e subjektit jetësor e poetik.
Sytë “e lodhur nga pritja” e presin lamtumirën e një përfundimi, që dukej se nuk do të kishte fund:
por çdo fillim është nisma e një fundi
dhe çdo fund është fillimi i një nisme

Fillimi dhe fundi, fundi dhe fillimi janë brenda kornizave të heshtjes, të cilat i përligj dialektika e shndërrimeve të jetës nga trajta e gjallë në të vdekshme. Nisma e një vaji fëmije, pranvera e vrullit rinor, pjekja dhe tharja e lëngut prej pleqërie, janë hallka skajesh të njëjtit zinxhir…
Shkëlqimi i të bukurës josh dhe ushqen sinonimin e kobit të vet, si ëndje, gjakim, etje, epsh i pareshtur deri në përmbushjen e lakmisë, që autori e përmbyllë me hepy end. Ndoshta Ai mund t`i shmangej kësaj skeme, skemës së përfundimit të lumtur e, ta linte pezull retiçencën e vargut?
Orbita e heshtjes me fijet e saja i mbështjell ëndërrimet si realitet i papërmbushur, ose si zhgjëndërr e dëshirueshme, do të thoshim, gjakim e shkathtësi e tmerrshme për mbijetesë.
Poeti vazhdon shfletimin e faqeve të librit të heshtjes, të cilin e shkruajnë sytë dhe ia lexojnë heshtjes, si dëshmitare e paluajtshme. Shikimet e përqendruara të syve shënojnë lëvizjet ritmike të atmosferës së shpirtit dhe të natyrës.

Shkathtësia dhe kultura e poetit i dhanë dorë përzgjedhjes së hollë figurave e semantikës së tyre: heshtja dhe guaca ndërthurin gjerdanin e ndërvarjes sinonimike… Çfarë fshehin këto dy sinonime? E para: heshtjen e brendisë, e dyta: kureshtjen për brendinë e heshtur nën zhguallin e guaskës. Njëra ngërthen subjektin poetik, ontologjik, tjetra sublimen e natyrës, xhevahiret e detit. Që të dyja: heshtja si kategori e sferës abstrakte dhe, guaca si sublimë konkrete e qenies ujore, zbërthejnë bukurinë e filozofisë së heshtjes.

Dhimbjen në poezinë shqipe e vështruan një varg poetësh bashkëkohorë. Anton Nikë Berisha atë e trajtoi si përmasë e përhershme konkrete – jetësore dhe shpirtërore të njeriut. Si do ta trajtonte ndryshe këtë koncept themelor për njeriun? Doemos dhimbja është fondi jetësor i pashmangshëm, shenjë ndjeshmërie e gjallërie; prodhimtare e dendur tendosjesh dramatike, shtypje e shtysë vullnetesh e mësymjesh, antipod pandjeshmërie… Dhimbja është kategoria strumbullar e shumësisë shtresore poetike-estetike e shtresuar në kohë në durimin a ligështinë e karakterit; masë e burrërisë kur rënkimet, përgjërimet, lutjet, çartja i lihen në dorë një madhështie frenuese, sinonimit të durimit. Në këtë kontekst spikatet cilësia e burrërisë, ndërsa heshtja me jorganin e vet ia mbulon dhimbjes gjymtyrët e molisura.

Sprovimet ekzistenciale, ku zotëron heshtja, ngjiten e zbresin në peshoren e ndërgjegjes, ngjashëm dilemave të artit hamletian: të jesh a mos të jesh ai i vërteti, të jesh ai i ëndrrës ose t`ia mundësosh asaj zhgjëndrrën e përgjumjes?… Kësaj hapësire të papërcaktuar të gjallimit rritet e majmet krimbi i dyshimit dhe mëdyshjet gërryese të trurit. Vijueshëm kontrasteve të ashpra të ekzistencës, huazohet përvoja e artit të madhërishëm të William Shakespeare, në vargun e parafrazuar, të shkëputur nga “Ëndrra e një nate vere.”
Anton Nikë Berisha gjithnjë ka parasysh modelin parashikues të fenomeneve njerëzore, sipas tipologjisë së Nënës Tereze, të kësaj Mësueseje të devotshme për njerëzimin, prandaj, shkrim-kërkimtari eksploroi vargun e konotacioneve të drejtpërdrejta: çfarë janë dhe si e panë jetën në rrjedhat e saj sytë metaforikë të togfjalëshit të ngërthyer në “Sytë e heshtjes”?

Heshtja në variacionet e saj paraqitet si qenësi e rrojtjes me virtyte, a sikurse e modeloi poeti:
as në ëndërr nuk duhet të pish
ujin e turpit që e nxit shprishjen, shembjen…
Kjo frymë e përshkon në tërësi poemën, sintetizon virtytet më të pastra të karakterit njerëzor: mirësinë, urtësinë, çiltërsinë, burrërinë, shpirtgjerësinë, marrëdhënie cilësore mes njerëzish. Mirëpo, kujdes: udhës së gjatë e përkohshmja e cilësive, të mos digjet sikur zjarri me kashtë!

Në rrjedhën e heshtjes për të madhërishmen, për trajtat e të mirës, për të bukurën, për dhimbjen, për flijimin dhe tragjiken plekset heshtja si estetikë e ligësisë, si e keqe e përmasave nga më të ndryshme. Smira në brendinë e saj “rrit nepërkën”, e cila kërcënon përmes strofkës, që ngre në shpirt e i jep zjarr urrejtjes, shpërfilljes dhe nxjerr në sipërfaqe të dheut urithin “shpërfillës”, merimangën “tinëzare”, që i shtrin rrjetat skutave e këndeve për ta kapur gjahun e vet.
Heshtja, si sprovë e sprovimit të rëndë, për ta ruajtur të fshehtën e shtyn idealistin në zgripe të honit… Karakteri i fortë dhe sadizmi i skajshëm e thyejnë qenien fizike të heroit. Atij i kushtëzohet domosdoja: të mos kesh gjuhë, të mos kesh gojë dhe të jesh si guri. Të lidhësh gjuhën, të mos çelësh gojën… T`ia falësh trupin torturës të sadistit, pa iu lutur, pa iu përgjëruar për falje dhe mëshirë se ke:
dy gisht fytyrë e bëhet fushë e pa skaj,
ku dhe djalli i dehur zellshëm do t`vallëzojë
Kush mund të jetë i tillë, që trupit, i cili mban jetë, t`i thotë: lamtumirë, shpirtit: ndizmi ato hire?! Është Ai të cilit i përulemi dhe në pllakën prej guri i vëmë lule…

Në ligjërimin vijues poetik të librit “Sytë e heshtjes”, heshtja merr trajtën e foshnjës së njomë, me hiret e buzëqeshjes e të gëzimit. Ajo hyn në botën time, në tendën, në të atyre për t`i zmbrapsur, qoftë përkohësisht, brengat, shqetësimet dhe jetesën mes sosh. Foshnja e heshtjes t`i jep doçkat e buta pikërisht kur të kaplon shiu i pikëllimit, acari i dëshpërimit, agimi i zbardhjes së territ, bukuria e rrezeve, ngjyrat, ritmet e ditës e të frymëmarrjes së lirë, erë-dehja…

Ngërthesat e së kaluarës i grish dhe i mbart heshtja. Arkivimet e kujtesës në thellësi të kohës, në thellësi të heshtjes, ku më shumë e ku më pak, nxjerrin krye në morinë e ngjarjeve, bëmave e flijimeve, që patën forcë t`i ruajnë shenjat në gurë, pergamena, pllaka, në arealin kolektiv, mandej të shkruar në mendjen libër. Madhështia e tronditja, absurdi dhe qartësia u sintetizuan në korpuse vëllimesh të heshtjes…

Kureshtja e udhërrëfyesit Anton Nikë Berisha shpie te heshtja brenda botës sonë të vogël. Ajo heshtje shtreson dritën e pafund dhe, atë dritë e kishte huazuar nga shkëlqime yjesh, duke ia shtuar shkëlqimit edhe ngrohtësinë. Ngrohtësia, pos dhuntisë së dritës, do t`ia falë syrit vaktësinë e lotëve, pikëllimi i të cilëve ujit lulet erëmira.

“Sytë e heshtjes” ligjërojnë të përhershmen që mbetet pas ndodhjes… Ata sy mëtuan të prekin e kapin anët e dukshme edhe në të errëtën e heshtjes. Çfarë heshtje është kjo? Një si shkretëtirë e pafund, kur nuk mund të lëvrosh të vërtetën, kur pranë ujit ke të pashuar etjen…
Si mund të qetësohet trazimi i shpirtit më mirë se në heshtje? Këngës në heshtje i laget dhe thahet fytyra, ndaj përmes figurës së krahasimit “si shi i muzgët mbërthyer nga terri”, ushtima, shkreptimat, bubullimat, gurrat e plagëve të hapura rrjedhin, por i mbërthen, i fashit jetëgjatësia në kufijtë e heshtur të heshtjes. Gjithë-kohës së njeriut i mbetet tharmi i dashurisë; zanafilla dhe përmbyllja, pastaj sërishmi dashuria…
Heshtja dhe vdekja janë “hije gurëzuese”, diçka tinëzare që të kapin, të nguliten si shigjeta të helmatisura, të mbërthejnë, të shprishin mendjen, t`i shtangojnë gjymtyrët, e zhbëjnë buzëqeshjen me shpatën e një kalorësi; është një “rrjetë e mynxyrtë, gjyq i fundit i ndërgjegjes…”.

Këto përsiatje poetike me shtjellime hapjesh tematike e motivesh të shumta, sjellin përballjen e njerëzimit me ligësi të ndryshme. Përballja me ligësinë tënde, të këqijat të cilat nuk të falen, nuk të anashkalojnë… Kështu ndodh kur ndërgjegjja jote e zgjuar nuk të falë. Është një ëndërr e trishtuar, që nuk e ka pas zhgjëndrrën; është një akt i kapërcimit tej kësaj bote sa ” një fluturim zogu prej degës në degë”
Konotacionit përmbyllës të heshtjes i shkurtohet udhëtimi meditativ. Përmbyllja të shpie në amshimin e përhershëm… Fiken shikimet, ngadhënjen heshtja…

Akti i përmbylljes

Shqyrtimi i poemës “Sytë e heshtjes” i poetit e romansietit Anton Nikë Berisha të ofron mundësi të shumta qasjesh, këndvështrimesh e reflektimesh figurative, tematike, estetike, stilistike e filozofike. Ana figurative e gjuhës së këtij poeti karakterizohet nga dy anët e medaljes…
Përvoja stilistike dhe kërkimet e pareshtura, qëmtimi me shije, kulturë dhe intuitë depërtuese në thelbin e dukurive e të çështjeve, këtij poeti i mundësuan ta pasurojë shprehjen artistike, duke sjellë margaritarë ndërtimesh figurative në letrat e shkrimit shqip. Vargu i këtij shkrim-qëmtuesi dendësohet me ngërthesa figurash të bukura e reflektuese; të tilla sikurse kjo tipologji e vargut:
kur sythojnë gemat si buzëqeshje fëmije
Filozofia jetësore, etike dhe estetike e kësaj poezie dëshmohet përmes tekstit; e ndërtuar asisoj, që lyp përqendrimin dhe kulturën e një lexuesi të formuar: për tekstin, nëntekstin dhe tërësinë e ngërthesave në artin poetik.
Përshkallëzimi i tekstit të poezisë së Anton Nikë Berishës, për kaq sa u tha e sa do të thuhet, arrin majat e artit elitar.

Gjilan, 2019

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).