Fundamenti

Filmi zviceran „Der Räuber“, më i miri në „Swikos 2012“

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Der Räuber“ është filmi më i mirë i festivalit të 6-të “Swikos 2012” që u mbajt nga 9 deri më 11 nëntor në Basel të Zvicrës.

„Befasi e këndshme, nuk e kam pritur fare këtë çmim“, tha autori i këtij filmi, Felix Schalfert, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Basel.

“Swikos”-i i sivjetmë ishte dalluar me rritjen e numrit të filmave të produksioneve zvicerane. Këtë vit organizatorët e festivalit kishin mbledhur më shumë regjisorë dhe producentë të njohur të filmit zviceran.

„Girl und Boy on the Rock“ nga Maria Sigrist ishte filmi tjetër zviceran që ishte shpërblyer nga juria e këtij festivali me çmimin „Best Editing“.

Emrat e fituesve u bën të ditur pas dy ditëve të shfaqjes së 14 filmave në konkurrim, në ditën e tretë të festivalit që ishte rezervuar vetëm për solemnitetin e ndarjes së çmimeve.

Rronë Ismaili ka fituar çmimin për kamerën më të mirë, në filmin „Matanë lumit“, i autorit Sabir Kanaqi nga Shqipëria.

Shumica e filmbërësve që morën çmime nuk ishin të pranishëm në mbrëmjen e finales.

I vetmi që nuk kishte të përbashkët me filmin ishte prorektori i Universitetit të Prishtinës, Agron Bajraktari, që në një prononcim për albinfo.ch ka përshëndetur një festival të këtillë që prezanton më së miri kulturën e Kosovës jashtë vendit.

„Nëpërmes një festivali ne si shtet i ri do të arrijmë të prezantojmë kulturën dhe artin e Kosovës jashtë vendit. Niveli i filmave të Kosovës me ata të huaj ishte përfarësisht i njëjtë. Me prezantimin e filmave kosovarë ne i kontribuojmë imazhit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Vetëm nëpërmes kulturës mund të arrijmë të krahasohemi me vendet e tjera. Nuk mund të krahasohet një festival që mbahet në Kosovë me një tjetër jashtë vendit“, tha mysafiri nga Prishtina, të cilit iu besua ndarja e njërit prej çmimeve të festivalit.

Aktori më i mirë i „Swikosi 2012“ është shpallur aktori kosovar Mevludin Osmani, për rolin e tij në filmin “Knockdown” të Amir Vitisë.
Ishte çmimi i dytë brenda tre muajve që kishte fituar aktori nga Kosova.

„Nuk është hera e parë që marr pjesë në festivalin e filmit të metrazhit të shkurtër në Zvicër. Kësaj here isha i pranishëm edhe fizikisht dhe kishte vendosur juria që të më shpërblejë për filimin që është më i spikatur. Bëhet fjalë për një djalë të ri që është mjaft ambicioz për të vazhduar me boksin, por has në shumë vështirësi, ngase nuk ka anëtarë të tjerë të familjes përveç babait. Po ashtu e ka një të dashur që vazhdimisht i bënte trysni se ai më shumë po i përkushtohet boksit se asaj. E ka edhe një vend pune në një autolarje që duhet ta mbajë për të mbijetuar. Por, ambicia e tij është që të dalë jashtë vendit dhe të boksojë për të fituar“, thotë aktori i shpërblyer, Mevludin Osmani.

Çmimi i publikut i ka takuar filmit “Mes parajsës dhe ferrit” të autorit të ri shqiptar nga Maqedonia, Ibrahim Deari.

Filmbërësi i ri nga Maqedonia për këtë falënderon ekipin që i ka ndihmuar për të realizuar filmin e parë profesional të matrazhit të shkurtër.

„Mes parajsës dhe ferrit“ është një filmi i metrazhit të shkurtër. Është hera e parë që marr pjesë në festivalin “Swikos”. Po ashtu është filmi i parë profesional që e kamë bërë pa investuar fare. Në film trajtohet tema e luftës, pasojat e saj, më konkretisht, u dedikohet veteranëve të luftës“, tha regjisori shqiptar nga Maqedonia, Ibrahim Deari.

Uji Dea

Ishin këto çmimet që u dhanë gjatë mbrëmjes që mbylli festivalin e 6-të „Swikos 2012“.

Por më së vështiri e kishte juria në përbërje të dy producentëve zviceranë dhe një nga Kosova.

Arben Zhaku, drejtor i festivalit Skena UP, që ishte pjesë e jurisë, tha të jenë normale që triumfuan filmat zviceranë krahas atyre kosovarë këtë herë në „Swikos”.

„Zvicra ka traditë, është vend më i madh, me më shumë banorë dhe ka më shumë shkolla të filmit, ku dhe prodhojnë me shumë filma sesa vendet, si Shqipëria, Kosova apo Maqedonia. Filmat që kanë fituar nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia megjithatë kanë marrë vlerësime të mira nga juria. Janë pëlqyer për nga produksioni, skenari, por që festivali nuk kishte paraparë çmime të tilla“, tha Zhaku.

Sipas tij, në Kosovë po vjen një frymë e re e regjisorëve të rinj dhe filmat kosovarë po udhëtojnë nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare.

„Ka disa filma që kanë pasur sukses ndërkombëtar, dhe po udhëtojnë nëpër festivale të ndryshme jashtë vendit. Në Kosovë është një frymë e re e regjisorëve të rinj që po vjen dhe mendoj se ka një angazhim më të madh nga institucionet që janë duke e përkrahur kulturën. Momentalisht po përkrahet më shumë filmi. Fakti që po prodhohen më shumë filma do të thotë se do të kemi të bëjmë edhe me cilësinë“, tha regjisori nga Kosova, Arben Zhaku.

Edhe Michele Aluari, producent zviceran në jurinë e sivjetme të „Swikosit“, i kanë pëlqyer filmat kosovarë.

„Për të vendosur se cili është filmi më i mirë ishte vendimi i vështirë. Përafërsisht ishin aty, tash nuk mund të themi se ky ishte filmi më i mirë e të tjerët jo. Mund të vërehen dallime në idetë e tyre, por mund të dallohet edhe kamera më e mirë. Ishte kënaqësi dhe interesant të shikosh filmat nga Kosova, me karaktere të ndryshme dhe kulturë tjetër, ishte një dallim me filmat zviceranë që ishin më shumë grafikë. Filmat kosovarë që i kam parë unë ishin mjaft të mirë dhe kualitativë. Ishte shumë interesant muzika, që për mua ishte përkthimi i vështirë“, tha për albinfo.ch producenti zviceran, Aluaro.

Mund të konsiderohet edhe ky organizim i „Swikosit“ një ngjarje e rëndësishme e kinematografisë shqiptaro-zvicerane të filmit të shkurtër që mblodhi kineastët, por edhe publikun gjatë ditëve të zhvillimit të tij.

Drejtori i Festivalit, Florin Brajshori, jo vetëm që e ka vlerësuar si të suksesshëm, por edhe si edicion special që përkon me 100-vjetorin e shtetit shqiptar, edhe pse nuk kishte të paktën ndonjë film që i dedikohej kësaj date të rëndësishme për shqiptarët.

„Për ne ka qenë një festë për kineastët e rinj. Këtë herë kemi organizuar edhe work-shope me kineastë zviceranë. Vlen të përmendet me producentë zviceranë nga Baseli. Doli ideja e bashkëpunimit që të bëjmë një film të përbashkët shqiptaro-zviceran në Prishtinë“, tha Brajshori.

Ky edicion i festivalit „Swikos“ ka gjetur mbështetje më të madhe të institucioneve kosovare.

Janë tri ministri të Kosovës që kanë ndihmuar financiarisht organizimin e këtij edicioni, Ministria e Kulturës, ajo e Diasporës dhe Ministria e Punëve të Jashtme.(albinfo)