Fundamenti

Filloreta Ismajli-Latifaj ish- hendbolliste e dalluar e tani pedagoge e shkëlqyer

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Të rrallë janë sportistët që krahas sportit arrijnë që në jetën e tyre të kryejnë arsimimin e lartë, por për ish njërën ndër hendbollistet më të mira që ka pasur KH Drita dhe hendbolli i Kosovës, Filloreta Ismajli-Latifaj, një gjë e tillë nuk ka pasur ndonjë problem të madh.

Ish-hendbollistja Ismajli, tani Latifaj, që në moshën 18 vjeçare fillon të djersit fanellën e Dritës për katër vite me radhë, duke lënë gjurmë të pashlyera.

Filloreta Ismajli-Latifaj ishte njëra ndër hendbollistet më të mira të krahut të majtë në hendbollin e Kosovës, duke qenë enigmë e pazgjidhur për portierët kundërshtare, ajo sot me nostalgji kujton karrierën e saj të bujshme hendbollistike.

“Ishte një gjeneratë e shkëlqyer, ishim një për të gjitha, të gjitha për një, arritëm të bëhemi nën kampione të Kosovës, por konkurrenca ka qenë jashtëzakonisht shumë e vështirë në atë kohë, ishin shumë skuadra me hendbolliste cilësore siç janë Prishtina, Vicianet e Kastrioti, por në klubin tonë kishim njerëz që mbanin gjallë klubin dhe gjithçka sakrifikuan për të mirën e klubit dhe ne ju jemi shumë mirënjohës”, thekson Latifaj.

Hendbollistja Latifaj për shkak të obligimeve studentore detyrohet të kalon në Prishtinë, ku arrinë sukses të dalluar duke qenë fituese e Kupës së Kosovës.
“Në Prishtinë për pak kohë arrita që me skuadrën e kryeqendrës të jem fituese e Kupës së Kosovës, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, gjatë kësaj periudhe edhe kam luajtur dhe kam studiuar që ka qenë mjaft vështirë por e kisha shumë vështirë të largohesha nga hendbolli”, kujton Latifaj.

Aspiratat e klubit nga Vushtrria, Vicianet, ishin rritur duke u përforcuar me shumë hendbolliste cilësore dhe Latifaj vendos të ndërron mjedisin duke ju bashkangjitur vajzave nga Vushtria.
“Njerzit nga klubi i Vicianeve më ofruan kushte të mira dhe ju bashkova këtij klubi duke u shpallur kampione e Kosovës, ka qenë një skuadër me shumë hendbolliste cilësore dhe pa konkurrencë arritëm në fund të parat”, bën të ditur Latifaj.

Mobi Casa

Filloreta Ismajli-Latifaj, gjithashtu ishte edhe hendbolliste standarde e Përfaqësueses së Kosovës në hendboll.

Njëra ndër hendbollistet më të mira të Kosovës, Filloreta Ismajli-Latifaj përpos që ishte hendbolliste e dëshmuar ajo me mjaft sukses ka mbaruar Masterin në Gjuhën Angleze.

Latifaj karrierën si mësimdhënëse e kishte filluar në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, ndërsa sot me shumë dinjitet edukon nxënësit në Shkollën Fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, Latifaj që nga themelimi është mësimdhënëse edhe në shkollën e gjuhëve të huaja Britannica LC në Gjilan.

“Jam shumë e lumtur që kam qenë sportiste, lirisht mund të them ato vite ishin vitet më të lumtura, por sot jam shumë e nderuar që si pjesë e shtetit të Kosovës kam mundësi ti edukoj nxënësit në mënyrën më të mirë të mundur, është nder dhe respekt kur shoqëria ta beson një punë siç është Mësimdhënësi, kur edukon një brez të rijë për të mirën e familjes dhe shtetit të Kosovës”, thotë Filloreta Ismajli-Latifaj.

Ish majtakja e hendbollit të klubit Dritës, Prishtinës e Vicianeve, sot nënë e dy fëmijëve Deonit e Norit, ka një porosi për gjeneratat e ardhshme.
“Të rinjët të merren më tepër me sport, të largohen nga veset e këqija dhe të arsimohen për të pasur një jetë më të mirë”./rajonipress/