UBT

Fillon procesi i rrjetëzimit të studentëve shqiptarë të Zvicrës

/ 7 minuta lexim

Një ekip prej 6 studentëve shqiptarë ka marrë për detyrë të dielën në Cyrih që të fillojë rrjetëzimin e të gjitha shoqatave studentore dhe të rinjve shqiptarë në Zvicër.

Përzgjedhjes së këtij ekipi, siç është quajtur koordinues të „Rrjetit“, i parapriu një debat i gjatë në një takim në Cyrih të Zvicrës, të organizuar nga Ministria e Diasporës së Kosovës.

Tubimi u mbajt në lokalet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, ndërsa zyrtarët e Ministrisë së Diasporës së Kosovës, të ardhur enkas në këtë takim, nuk e patën edhe lehtë t’i bindin studentët që të fillojnë organizimin e tyre nëpërmjet rrjetëzimit, ku do të grumbulloheshin me qindra studentë shqiptarë që studiojnë në Universitete të ndryshme në Zvicër.

Vjosa Ismaili nga shoqata „Studenti“, e cila grumbullon me qindra studentë shqiptarë që studiojnë në fakultete të ndryshme në Universitetin e Cyrihut, po edhe në atë të ETH-së, ka propozuar që një nismë e tillë e Ministrisë së Diasporës të diskutohet fillimisht në mes të shoqatave të ndryshme studentësh që ekzistojnë në të gjitha qytetet e Zvicrës.

„Ne si studentë duhet të takohemi dhe ta shqyrtojmë këtë nismë të Ministrisë së Diasporës, ngase jemi në dijeni se si ecën ky proces në Zvicër”, tha Vjosa Ismaili, kryetare e shoqatës „Studenti”, e cila ishte themeluar para 15 vjetësh.

Ismaili ka thënë në këtë takim se askush nuk do të mund ta marrë këtë përgjegjësi që të udhëheqë një organizatë ombrellë të shoqatave derisa nuk takohen të gjithë përfaqësuesit e tyre nga Cyrihu, St.Galleni, Berna etj., për t’u marrë vesh se si do të organizohen me rrjetëzimin e gjitha shoqatave të tjera në Zvicër.

Me këtë janë pajtuar shumica në takim dhe është propozuar për fillim të themelohet një ekip koordinues prej 6 studentëve që do të merret më pastaj me krijimin e rrjetit të shoqatave studentore dhe të rinjve shqiptarë në Zvicër.

Ekipi ka për detyrë informimin e të rinjve, studentëve dhe më pas të krijojë rrethanat më gjithëpërfshirëse të konkretizimit të një rrjeti me kryesi dhe me detyra statutore e programore në Zvicër.

Lorik Pustina nga Ministria e Diasporës e ka vlerësuar si të suksesshëm takimin e Cyrihut.

„Besoj që ishte takim konstruktiv, edhe pse kishte debat dhe mospajtime që janë normale në demokraci. Ne arritëm të bëjmë një grup koordinues që do ta shtyjë idenë e këtij rrjeti që shumë shpejt do t’i shohim frytet e para sikur në Austri“, tha zyrtari për komunikim në Ministrinë e Diasporës, Lorik Pustina.

Për Pustinën, diaspora në Zvicër, e sidomos të rinjtë kanë potencial të madh që nuk është shfrytëzuar sa duhet as në dobi të vendit pritës, e as të origjinës.

„Kemi profesorë, shkencëtarë të fushave të ndryshme, njerëz të suksesshëm dhe ai potencial nuk është eksploruar sa duhet. Ky potencial duhet të shfrytëzohet jo në të mirë vetëm të Kosovës, jo në të mirë të Shqipërisë, por të vetë diasporës që jeton në Zvicër, e më pas pse jo të gjithë i përkasim një kombi dhe, fatmirësisht, i kemi dy shtete në Ballkan, ai i Kosovës dhe i Shqipërisë, dhe ai potencial duhet të shfrytëzohet edhe në avancimin e këtyre dy shteteve, sepse diaspora e fortë do të thotë edhe shteti i fort“, thotë Lorik Pustina.

Edhe Shqiponjë Isufi, docente në St Gallen, ka përshëndetur nismën e Ministrisë së Diasporës për rrjetëzimin e shoqatave studentore në Zvicër.

KKGJILAN

„Një iniciativë e mirë, sidomos kur vjen nga Ministria e Diasporës e Kosovës, lehtëson bashkimin e shoqatave të këtushme studentore shqiptare. Kjo do të ndihmonte në shkëmbimin e informatave ndërmjet studentëve të cilët dëshirojnë të studiojnë në Zvicër dhe anasjelltas, në Kosovë. Si nismë është shumë e mirë, por për zbatimin e saj duhet kohë. Sa më shumë kontakte mes studentëve, aq më i fortë është rrjeti“, tha Shqiponja, e cila ishte po ashtu studente në Cyrih.

Docentja shqiptare ka thënë se studentët e Cyrihut janë më të organizuar dhe se organizimi i tyre shkon përtej Cyrihut.

Ilir Tullumi, student në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Bazel, ka marrë guximin të jetë pjesë e ekipit koordinues të rrjetit në Zvicër.

„Me rrjetëzimin studentët shqiptarë ndërlidhen në çdo aspekt të studimeve, duke bashkëpunuar në projekte të ndryshme dhe duke shkëmbyer mendime dhe ide të ndryshme. Studentët mund të punojnë në projekte të përbashkëta që mund të jenë në dobi për vendin ku jetojnë“, tha Iliri nga Gjakova, njëri prej përfaqësuesve të ekipit koordinator të rrjetit në Zvicër.

Edhe Rehana Doko tha se fillimi mund të jetë i vështirë dhe se duhet kohë në konkretizimin e një rrjeti.

„Erdhëm të gjithë këtu dhe nuk e dinim çka na pret. Nga përshtypja e parë del se është mirë e organizuar jeta studentore e shqiptarëve në Zvicër. Ne jemi gjeneratë e re, kemi potencial të madh dhe mund të arrijmë shumë si shqiptarë, kuptohet edhe më shumë nëse bashkohemi“, tha Rehan Doko, studente në Bazel.

Në tubim morën pjesë edhe përfaqësues të „Rrjetit…“ nga Austria.

Për dallim prej Austrisë, në Zvicër ekzistojnë shumë shoqata studentore dhe janë më të mobilizuara, thotë Blerina Osmani, e cila ka inkurajuar kolegët në Zvicër që të nisin rrjetin e tyre.

„Realisht ne jemi në fazën e përcaktimit të statutit dhe pa kryesi në Austri. Ne kemi një grup punues që duhet të punojë në profilet e tyre në rrjetëzimin e shoqatave. Ju keni shumë favore, si ky ambient i Qendrës Kulturore që ne nuk e kemi“, tha Blerina Osmani, e cila tashmë kishte kryer studimet në sociologji në Austri.

Në diskutim u shtruan shumë çështje rreth qëllimit, formës dhe objektivave të rrjetëzimit rinor dhe veçanërisht atij studentor. Një prej qëllimeve të rrjeteve ishte edhe krijimi i një databaze me të dhëna për profilin e anëtarëve të rrjeteve që do t’i koordinojnë aktivitetet e tyre.

Ky proces ka për qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit mes të rinjve që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, si dhe angazhimin e tyre të përbashkët për realizimin e projekteve të ndryshme që kanë për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, traditës, kulturës dhe historisë sonë, shkëmbimin e përvojave si akademike, ashtu edhe shkencore me studentë e mësimdhënës në Kosovë, si dhe promovimin e shtetit të Kosovës, si shtet me një rini të avancuar.

Rrjeti i parë është krijuar në Austri, më pas do të vazhdojë edhe në shtetet e tjera, ku ka përqendrim të të rinjve të diasporës./albinfo/