Mobi Casa

Fillimisht siguria dhe gjyqësia

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Në Bruksel do të takohen sot delegacioni i Kosovës me atë të Serbisë për të vazhduar diskutimet rreth implementimit të marrëveshjes së arritur javë më parë mes dy kryeministrave. Në agjendën e sotshme janë temat që lidhen me sigurinë dhe gjyqësinë.

Sot do të vazhdojë takimi mes grupeve punuese për planin e implementimit të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Atje po qëndron delegacioni kosovar i kryesuar nga Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Në ndërkohë që burime të Express bëjnë të ditur se kësaj radhe do të diskutohet për çështjet e marrëveshjes që kanë të bëjnë me pjesën e sigurisë dhe gjyqësisë në Veri të Kosovës.

“Do të diskutohet për lëndët e gjykatave dhe prokurorive paralele të cilat duhet të dorëzohen përmes EULEX’it sipas marrëveshjes, por edhe mënyrën se si Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës do të përkujdesen për sigurimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në atë pjesë”, ka bërë të ditur një zyrtar kosovar i përfshirë në bisedime.

E për t’i dhënë qëndrimet e tyre rreth kësaj, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Kosovës Hajredin Kuçi në kuadër të delegacionit kosovar për në Bruksel kanë udhëtuar edhe koordinatori për bisedime, Blerim Shala, Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Takimin sikurse herën e kaluar do ta ndërmjetësojë diplomati europian, Fernando Gentilini.

UBT

Delegacionin serb pritet ta kryesojë Aleksandër Vucic, i cili ka paralajmëruar po ashtu se do të takojë përfaqësuesit e serbëve të veriut për të diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjes me Kosovën.

Ndryshe në takimin e fundit të grupeve punuese për planin e implementimit të marrëveshjes, Brukseli ka prezantuar një draft të parë. Ky draft është pranuar në tërësi nga pala kosovare por se ishte pala serbe ajo e cila kërkoi më tepër kohë për të menduar rreth tij.

Në draftin e parë janë dhënë pesëmbëdhjetë pika, ndër to edhe ajo e cila parasheh themelimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, pas mbajtjes së zgjedhjeve legjitime lokale në katër komunat me shumicë serbe. Po ashtu parashihet shpërbërja e strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë në Veri të Kosovës.

Ndërsa lidhur me sistemin gjyqësor precizohet nevoja për themelimin e një paneli gjyqësor të përbërë prej gjyqtarëve serbë e të cilët do të merreshin me raste të caktuara në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

“Ne theksojmë nevojën që marrëveshja të implementohet sa më shpejtë, në mënyrën e paraparë në marrëveshje, për çka pala kosovare është e gatshme dhe pret një gatishmëri të tillë edhe nga pala serbe dhe faktorët ndërkombëtarë, si KFOR’i dhe EULEXi”, ka thënë para nisjes për në Bruksel Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Ndryshe, planit final për implementimin e marrëveshjeve pritet që inicialet t’ia japin kryeministrat e dy shteteve në takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin raportesh në javën e tretë të maji. Ky takim do të ndërmjetësohet nga Baronesha Europiane, Catherine Ashton.