“Fillimi i Ri”, vazhdim i “Pronto”-politikës
Motoja e re zgjedhore e PDK-së dhe kreut të këtij subjekti politik, Kadri Veseli, dizajnit si ‘FILLIMI I RI’, sipas analistëve politikë, nuk është asgjë tjetër veçse një vazhdim i gënjeshtrës e mashtrimit të ri dhe një përpjekje e vazhdimit të sundimit të klanit ‘PRONTO’, me protagonist Adem Grabovci&Shkëlqim Devolli, dhe mafio-oligarkëve të tjerë politikë.
ANALISTËT PYESIN SE PSE KADRI VESELI NUK DISTANCOHET NGA ADEM GRABOVCI DHE KLANI ‘PRONTO’
Kelmendi: Slogani i PDK-së de-fakto është një vazhdim i njëjtë dhe ka lidhje të forta me klanet dhe protagonistët e krimit politiko-ekonomik, si me “Devollin”…
“Vrasja e së ardhmes së kësaj shoqërie nga klani ‘Pronto’, me një komunitet të vogël servilësh, është imperativ i kohës që t’i gjykojë drejtësia, e për krimet që ia kanë bërë vendit ta vuajnë dënimin e merituar. Kosova si shtet i ri nuk ka kohë të presë, më shumë se një dekadë kanë pasur mundësi ta tregojnë veten, por kanë treguar se dinë të shkatërrojnë, shantazhojnë, kërcënojnë e mbi të gjitha kanë treguar se dinë të abuzojnë me vullnetin qytetar”, është shprehur analisti Hidajet Ahmeti.
Motoja e re zgjedhore e PDK-së dhe kreut të këtij subjekti politik, Kadri Veseli, dizajnit si ‘FILLIMI I RI’, sipas analistëve politikë, nuk është asgjë tjetër veçse një vazhdim i gënjeshtrës e mashtrimit të ri dhe një përpjekje e vazhdimit të sundimit të klanit ‘PRONTO’, me protagonist Adem Grabovci&Shkëlqim Devolli, dhe mafio-oligarkëve të tjerë politikë. Kjo bindje është e krijuar kështu derisa Kadri Veseli, që po e proklamon “FILLIMIN E RI”, nuk i largon nga lista zgjedhore, as nga partia e tij dhe nga institucionet të inkriminuarit dhe nuk shkëputet nga bashkëpunimi me oligarkët Devolli, sikur edhe ta bëjë diferencimin nga ata, nga organet e larta të partisë, për njerëzit e lidhur me krimin e organizuar dhe protagonistët kryesorë të klanit ‘PRONTO’.
Prof. Muhamet Kelmendi vlerëson se PDK-ja ka dalë me sloganin ideopolitik “Fillimi i Ri”, me qëllim që kjo parti të duket se po ndahet e kaluara dhe të tingëllojë me një ideologji gjoja të re në ndërtimin e vendit, por në realitet kjo nuk do të ndodhë. “Si slogan është i qëlluar, sepse tregon mënyrën dhe gjoja vullnetin e kësaj partie për t’u shkëputur nga e kaluara e errët e krimit dhe e korrupsionit. Por, de-fakto është një vazhdim i njëjtë dhe ka lidhje të forta me klanet dhe protagonistët e krimit politiko-ekonomik, si me ‘Devollin’, ‘Al-Petrollin’, ‘HIB’, ‘Albimall’ dhe të tjera kompani. Ne kemi kështu një vazhdimësi të njëjtë dhe me njerëz të njëjtë. Dallimi është kryesisht te kryetari i partisë, i cili është tjetër, po me strukturë të njëjtë identike në tri legjislaturat e fundit. Në këtë kontekst nuk mund të presim ndryshime as politike, as organizative, as ekonomike. Ne do të shohim se do kemi një vazhdimësi të njëjtë, e cila do të ndryshon se tash do të jetë në vend të Thaçit Kadri Veseli. Të tjerët janë të njëjtë”, theksoi Muhamet Kelmendi.
‘Fillimi i Ri’, një shkollë e vjetër
Opinion të ngjashëm ka edhe analisti Blerim Burjani. “‘Fillimi i Ri’ është fillimi i vjetër me njerëz të njëjtë me motive të njëjta dhe me vazhdim të përfitimeve pa asnjë lëvizje nga pozicioni i interesave. Kjo është temë e kryer, sepse ky subjekt politik e ka këtë motiv prej kur është themeluar. Gjithmonë ia nis prej fillimit për përfitime, ngase s’ka çka premtohet me këtë fillim fare, është shkolla e njëjtë e tyre, premtojnë për klientelën e vet punësim, e ata ua kthejnë me vota. Ky subjekt politik që nga fillimi ka vepruar njëjtë, ka rritur paga për shërbimin civil dhe atë publik dhe ka premtuar punësim, për klienetlën e vet dhe kjo nuk ndryshon. Ngjashëm janë edhe partitë e tjera, që deri më tash ishin në Kuvend. Janë pothuajse të njëjtë, por vetëm veprojnë si rival, për shkak të daljes në vota”, theksoi Blerim Burjani.
Prof. Riza Smaka konsideron se për t’u jetësuar kjo moto zgjedhore, gjithsesi jo vetëm PDK-ja, por të gjitha subjektet politike do të duhej të mateshin mirë se çfarë kandidatësh do të kenë në listat zgjedhore. “Tani është aktuale për të gjitha subjektet politike e në radhë të parë për PDK-në që në listën e kandidatëve të radhisin persona të “pa shibla”, të pastër moralisht, politikisht e juridikisht. Ndryshe jo vetëm ai subjekt paraprakisht, do të shkaktonin pozicione problematike, madje edhe për zgjedhësit tradicionalë të vet. Edhe në këtë temë e çështje reflektohen dobësitë e Qeverisë në dorëheqje edhe nga shkaku se nuk e kanë proceduar Projektligjin për zgjedhjet, me të cilin do të inkriminohej dhe sanksionohej radhitja e personave nën hetime në listat zgjedhore!”, theksoi Smaka.
Ahmeti: Shkolla e PDK-së e ka sjellë vendin në një “vdekje klinike”
Sipas analistit Hidajet Ahmeti, proklamimi i një “Fillimi të Ri” nga PDK-ja është vazhdim i degradimit të shtetit e kapjes së institucioneve të pavarura, vazhdim i gënjeshtrave e vazhdim i manipulimit me qytetarët e lodhur nga kjo klikë e kësaj shkolle. “Shkolla e PDK-së me protagonistet Thaçi, Veseli, Grabovci, Haliti e Syla ka prodhuar një gjendje të pajtueshme për qytetarët e Kosovës dhe ka sjellë vendin në një “vdekje klinike”. Gjykoj se çdo vazhdim në qeverisje të kësaj partie-shtet do të jetë i tmerrshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj euroatlantike. Gjykoj se kjo parti së bashku me zyrtarët e lartë duhet të shkojë në opozitë e pastaj duke i dhënë mundësi gjyqësisë t’i gjykojë krimet e tyre që kanë bërë që nga paslufta, dhe domosdo soji i këtyre njerëzve duhet të përfundojë prapa grilave dhe pasuria e paligjshme e fituar në kurriz të qytetarëve duhet t’u konfiskohet. Vrasja e së ardhmes së kësaj shoqëria nga klani ‘Pronto’, me një komunitet të vogël servilësh, është imperativ i kohës që t’i gjykojë drejtësia, e për krimet që ia kanë bërë vendit ta vuajnë dënimin e merituar. Kosova si shtet i ri nuk ka kohë për të pritur, më shumë se një dekadë kanë pasur mundësi ta tregojnë veten, por kanë treguar se dinë të shkatërrojnë, shantazhojnë, kërcënojnë e mbi të gjitha kanë treguar se dinë të abuzojnë me vullnetin qytetar. Prandaj, është koha ideale që t’iu largohet maska nga fytyra, dhe qytetarët ta kuptojnë të vërtetën për këta njerëz, për të cilët do të flasë edhe drejtësia. E kaluara e errët e një njeriu të mistershëm si Kadri Veseli, dhe të njëjtën kohë duke udhëhequr institucione të larta publike është një vrasje e drejtpërdrejtë e demokracisë e mbi të gjitha të ardhmes së një shteti të ri si Kosova”, theksoi Hidajet Ahmeti./kosova sot/


