Eko Higjiena

“Fillimi” fatal i Kadri Veselit

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Debakli i madh zgjedhor, që pësoi PDK-ja në zgjedhjet e 11 qershorit, nga këndvështrimi i analistëve politikë po shihet si një nisje tepër e keqe e kreut të ri të PDKsë, Kadri Veseli, me atë projektin e tij pompoz “Fillimin e Ri”, në krye të PDK-së. Sipas analistëve, këto zgjedhje dëshmuan se PDK-ja me Veselin në krye është humbësja më e madhe në zgjedhjet e 11 qershorit, gati duke e përgjysmuar numrin e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës që kishte në mandatin e fundit, por edhe në mandatet paraprake. Kështu nëse krahasojmë numrin e ulëseve të kësaj partie me vitin 2014, del se Partia Demokratike e Kosovës ka më pak deputetë, madje me një numër gati të përgjysmuar.

Siç dihet, koalicioni i PDK-së i vitit 2014 arriti të marrë 37 deputetë, ndërkaq 2 prej tyre ishin të Partisë së Drejtësisë, ndërkaq 35 të tjerë i takonin Partisë Demokratike të Kosovës. Por, në vitin 2017, sipas rezultateve jozyrtare, situata ka ndryshuar për të keq në PDK. Kështu edhe pse koalicioni PAN arriti të marrë 39 ulëse në Kuvendin e ri të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës për herë të parë pas vitit 2007, e madje për herë të parë pas luftës, do të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me vetëm 21 deputetë të saj.

Kjo rënie e madhe e PDK-së, sipas analistëve, po i bëhet faturë Kadri Veselit, për çmimin që duhet të paguajë PDK-ja si rezultat i keqqeverisjes për një kohë të gjatë nga PDK-ja, nga klani ‘Pronto’, nga këshilltari i tij, Baton Haxhiu, por edhe “aderimi” i disa figurave kontroverse, si Arbana Xharra, të cilat lëre që nuk i sollën fare vota, por irrituan qytetarët për të mos e votuar më kurrë PDK-në definitivisht të degraduar

Ndëshkim i arrogancës dhe banditizmit politik

Sipas njohësit të afërt të zhvillimeve politike, Naim Miftari, PDK-ja tash me të drejtë po e paguan faturën e qeverisjes kriminale. “Rezultati i PDK-së është rezultat i arrogancës, keqpërdorimeve, korrupsionit, banditizmit politik dhe ekonomik, është rezultat i izolimit dhe varfërisë ekstreme që e kanë sjellë udhëheqësit e PDK-së (me disa parti të tjera në pushtet), në krye me Hashim Thaçin e Veselin në hije, me Grabovcin e pastaj me kryeministrat e dështuar si Bajram Rexhepi, Bajram Kosumi, Agim Çeku e Isa Mustafa. Pra, një fjalë e popullit thotë se çka ta mbjellësh do ta korrësh edhe këta si janë sjellë edhe do të shpërblehen”, tha Miftari. Ai mendon se me gjithë tentimet për ta ruajtur kinse rejtingun e partive, kinse shtetformues, siç e quajnë disa veten, e në fakt janë parti shtetshkatërruese, ku asnjë resurs jetik apo politik i Kosovës nuk ka rezultate politike as ekonomike.”Tani nuk i sollën asgjë as përforcimet kinse me individë kontroversë dhe njerëzit jo të sinqertë, përforcimet me analistë, që shumica janë të anshëm dhe jo të drejtë në analizat e tyre, por opinionin publik, këta analistë apo gazetarë i përdorin si trampolinë me hy në politikë, por nuk u ndihmuan, madje as propaganda e ‘Klan Kosovës’ apo afërsia e kreut të PDKsë me Baton Haxhiun, dikur postier dhe emisar i besuar i Ivica Stanishiqit, krye shefit të UDB-së serbe, e sot “vëlla” me Thaçin, Veselin dhe Edi Ramën…”, ka potencuar Naim Miftari.

Hidromorava

Llogaritë e gabuara të kryetarit

Analisti politik, Florim Zeqa, pohon se llogaritë parazgjedhore të kreut të PDK-së, Kadri Veseli, i dolën gabim, përtej parashikimeve të të gjithëve, prandaj edhe dështoi kaq rëndë.”Fillimisht u mashtrua në lidershipin e tij të paformuar në parti pas zhvendosjes së Thaçit në postin e presidentit, duke harruar faktin se lidershipi nuk krijohet brenda natës. Kështu PDK-ja në krye me Veselin e ekzaltuar pas pushtetit pësoi humbjen më të rëndë në historikun e saj. Mashtrimi tjetër fatal Kadri Veselit i ndodhi në llogaritë e gabuara nga koalicioni i gjerë me partitë minore dhe aderimin e disa figurave kontroverse, siç ishte rasti me Arbana Xharrën e disa të tjerë. Megjithatë, në humbjen katastrofale si subjekt politik në zgjedhje i ka ndikuar lidhja e koalicionit në minutat e fundit me AAK-në e NISMAn, të cilat i ndikuan negativisht në zvogëlimin e numrit të deputetëve të PDK-së në legjislaturën e re të Kuvendit. Kështu për dallim nga legjislatura e kaluar e Kuvendit, në legjislaturën e re PDK-ja do të hyjë pothuajse me numër të përgjysmuar të deputetëve”, tha Zeqa.

Sipas tij, jo vetëm kaq, faturë e humbjes së Kadri Veselit në zgjedhjet e 11qershorit iu bë edhe keqqeverisja tetëvjeçare e klanit “Pronto” dhe këshilltarëve me të kaluar të dyshimtë, elemente këto që irrituan në masë të madhe elektoratin tradicional të këtij subjekti politik, i cili kësaj radhe votën e vet e orientoi në drejtim të VV-së. “Tani krahas rënies drastike në zgjedhje, dëshpërues dhe tepër i dhimbshëm për Kadri Veselin do të mbetet fakti i humbjes së rastit për të qenë mandatar për krijimin e qeverisë, që ishte si arsyeja e vetme e tij për prishjen e koalicionit qeverisës me LDK-në”, ka potencuar Zeqa.

Koalicioni me pasoja

Analisti Albrim Badallaj mendon se PDK-ja është dëmtuar nga lidhja e koalicionit parazgjedhor me subjektet e tjera, të cilat PDK-së i kishin vendosur më parë edhe vija të kuqe, kurse Veseli bëri kompromis të madh kundrejt tyre. “Realisht, PDK-ja ka pësuar nga koalicioni parazgjedhor me AAK-në dhe NISMËN, e kjo është reflektuar me pakënaqësi nga të dyja taborret. Ndryshimi i qëndrimeve dhe vijave të kuqe nga AAK-NISMA ka ndikuar që votuesit e tyre të mos u japin votë kandidatëve të PDK-së, nga ana tjetër votuesit e PDK-së kanë votuar edhe deputetë të partive tjera”, u shpreh ai./kosova sot/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.