Fethullah Gulen u bën thirrje myslimanëve: Jo terror në emër të fesë
Dijetari mysliman dhe mendimtari Fethullah Gulen, në një shkrim të botuar në prestigjiozen franceze “Le Monde” ka theksuar edhe njëherë se terrori dhe feja nuk kanë asgjë të përbashkët dhe se janë shumë larg njëra-tjetrës.Gjatë komentit për ngjarjet e fundit terroriste në Paris, Gulen deklaron se teologët dhe myslimanët e zakonshëm duhet të dënojnë me forcë te gjitha aktet barbare të kryera në emër të fesë.
Duke mos mbetur vetëm me kaq, dijetari mysliman shkruan se duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë mes udhëheqësve fetarë, autoriteteve shtetërore dhe aktorëve të shoqërise civile që të luftohen dhe kundërshtohen me forcë rekrutimet terroriste.
Gulen i bën thirrje të gjithë myslimanëve të japin kontributin e tyre në riparimin e imazhit të njollosur të fesë islame dhe njëkohësisht t’i bashkohen pjesës tjetër të botës në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Në shkrimin e botuar në “Le Monde”, Gulen del kundër tezës së përplasjes së qytetërimeve dhe thekson se ripërsëritja e kësaj retorike i shërben vetëm përpjekjeve rekrutuese të rrjeteve terroriste.
Sipas tij, situata aktuale nuk është një përplasje e qytetërimeve, por përplasje e humanizmit me barbarinë në qytetërimin tonë të përbashkët.
Gulen i bën thirrje të gjithë myslimanëve që të rishqyrtojnë në mënyrë kritike të kuptuarit, të jetuarit dhe të praktikuarit të Islamit.
Fethullah Gulen, dijetari islamik, i cili prej shumë vitesh jeton në SHBA, është lideri i lëvizjes Hizmet, që promovon arsimin dhe mbështet demokracinë dhe dialogun ndërfetar.
“Le Monde” shkruan se më parë Gulen ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të politikave demokratike të ish-kryeministrit, aktualisht presidentit turk, Erdogan.
Por pas publikimit të skandaleve të fundit të korruspionit në nivelet e larta të qeverisë turke, Gulen është kthyer një nga kundërshtarët më të mëdhenj të tij.
———————————————-
Shkrimi i plotë
Myslimanë, duhet të rishikojmë në mënyrë kritike të kuptuarit tonë të Islamit!*
Nga Fethullah Gylen – E kam të vështirë të gjej fjalë për të shprehur pikëllimin tim të thellë dhe revoltën time kundër kasaphanës së kryer nga grupet terroriste të tilla si të ashtuquajturit Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIS).
Së bashku me mbi një miliardë e gjysmë myslimanë në mbarë botën ndajmë zhgënjimin e thellë për faktin se grupe të tilla kryejnë akte terroriste, ndërsa ideologjitë e tyre perverse i maskojnë nën petkun e fesë. Ne myslimanët kemi një përgjegjësi të veçantë të bashkohemi me qeniet e tjera humane për të shpëtuar botën tonë nga goditja e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, por njëkohësisht dhe të ofrojmë ndihmën dhe kontributin tonë për riparimin e imazhit të njollosur të besimit tonë.
Është e thjeshtë të pohosh një identitet, apo një besim të caktuar në mënyrë abstrakte, me fjalë dhe simbole. Sinqeriteti i të tillë pohimeve, megjithatë, mund të matet vetëm duke e krahasuar atë me veprimet tona në raport me vlerat themelore të identiteteve tona të vetëshpallura. Testi i vërtetë i besimit nuk janë slloganet apo maskimet në një mënyrë të caktuar, apo një tjetër; testi i vërtetë i besimeve tona është përmbushja e parimeve themelore të përbashkëta të pjesës dërrmuese të të gjitha besimeve në botë, të tilla si mbështetja e shenjtërisë së jetës dhe respektimi i dinjitetit të të gjithë qënieve humane.
Ne, duhet të dënojmë në mënyrë kategorike ideologjinë e propaganduar nga terroristët dhe të promovojmë së bashku një mendësi pluraliste dhe këtë duhet ta bëjmë me qartësi dhe siguri. Në fund të fundit, humanizmi ynë i përbashkët renditet përpara identiteteve tona etnike, kombëtare ose fetare, dhe ai merr një goditje të rëndë sa herë që ndërmerret një akt barbar. Qytetarët francezë që humbën jetën e tyre në Paris, qytetarët myslimanë shiitë në Liban, të cilët humbën jetët në Bejrut një ditë para ngjarjes së Parisit dhe shifrat e myslimanëve suni në Irak, të cilët kanë humbur jetët e tyre nga duart e të njëjtëve terroristë, para së gjithash dhe mbi të gjitha janë qënie njerëzore. Qytetërimi ynë nuk ka për të përparuar sa kohë që ne nuk do t’i trajtojmë me të njëjtën ndjeshmëri dhe njëlloj tragjike vuajtjet e njerëzve, pavarësisht identitetit të tyre fetar apo etnik dhe t’i përgjigjemi me të njëjtën vendosmëri.
Muslimanët gjithashtu duhet të refuzojnë dhe të shmangin teoritë e konspiracionit, të cilat deri më tani vetëm sa na kanë ndihmuar që të shmangim përballjen me problemet tona sociale. Në vend të kësaj, ne duhet të shtrojmë dhe analizojmë një pyetje reale: A mundësojnë komunitetet tona baza dhe mbështetje rekrutimi për grupet me mentalitetit totalitar si rrjedhojë e autoritarizmit të panjohur brenda vetes tonë, dhunës fizike, neglizhencës tonë me të rinjtë dhe mungesës së një arsimimi të ekuilibruar? A i udhëheq dështimi ynë për të ndërtuar dhe forcuar të drejtat bazë dhe liritë themelore të njeriut, epërsinë e sundimit të ligjit dhe mendimit pluralist në komunitetet tona, ata të cilët janë duke luftuar për të kërkuar rrugë alternative?
Tragjedia e fundit në Paris është edhe një kujtesë për të dyja palët, teologët dhe muslimanët e zakonshëm, që të refuzojnë me forcë dhe të dënojnë aktet barbare të kryera në emër të fesë sonë. Megjithatë, në këtë çast kritik, refuzimi dhe dënimi i këtyre akteve nuk është i mjaftueshëm; rekrutimet terroriste brenda komuniteteve myslimane duhet të luftohen dhe të kundërshtohen nga një bashkëpunim efektiv mes autoriteteve shtetërore, udhëheqësve fetarë dhe aktorëve të shoqërisë civile. Ne duhet të organizojmë përpjekjet e komuniteteve të gjëra kundër të gjithë faktorëve që ndihmojnë rekrutimet terroriste.
Mbështetje dhe mospërputhja e mendimeve duhet të shprehet në suazën e mjeteve demokratike.
Ne duhet të punojmë me komunitetin tonë për të ngritur kuadrin e nevojshëm për identifikimin e të rinjve të rrezikuar, parandalimin e tyre nga përpjekjet për të gjetur mënyra vetë-shkatërruese, duke ndihmuar familjet e tyre me këshillime dhe shërbime të tjera mbështetëse. Ne duhet të promovojmë një angazhim qeveritar pozitiv dhe proaktiv, në mënyrë që qytetarët myslimanë të angazhuar mund të ulen në tryezat ku diskutohen dhe planifikohen masat kundër terrorizmit dhe të ndajnë idetë dhe mendimet e tyre. Rinia jonë duhet të mësohet me mënyrat e shprehjes së mbështetjes dhe mospërputhjeve të mendimeve në suazën e mjeteve demokratike. Përfshirja e vlerave të demokracisë në kurrikulat e hershme shkollore është e një rëndësie vendimtare për të rrënjosur kulturën e demokracisë në mendjet e të rinjve.
Pas tragjedive të përmasave të tilla, historikisht janë shfaqur reagime të forta. Ndjenjat anti-myslimane dhe anti-fetare, si dhe trajtimi i qytetarëve myslimanë nga qeveritë si pjesë e masave të sigurisë, mund të jenë kundër produktive. Qytetarët myslimanë të Evropës dëshirojnë të jetojnë në paqe, qetësi dhe harmoni. Pavarësisht klimës negative, ata duhet të përpiqen që të angazhohen më shumë me qeveritë e tyre lokale dhe kombëtare për të dhënë kontributin e tyre në punën drejt hartimit të politikave më gjithëpërfshirëse, të cilat integrojnë më mirë komunitetet e tyre në shoqërinë e gjerë.
Gjithashtu, për ne myslimanët është shumë e rëndësishme që të rishqyrtojmë në mënyrë kritike të kuptuarit dhe të praktikuarit tonë të Islamit, parë në dritën e kushteve dhe kërkesave të kohës sonë si dhe qartësimet e mundësuara nga përvojat tona historike kolektive. Kjo nuk do të thotë të shkëputemi nga tradita kumulative islame, por më tepër, një pyetje inteligjente në mënyrë që ne të mund të konfirmojmë mësimet e vërteta të Kur’anit dhe traditës profetike që paraardhësit tanë muslimanë u përpoqën të zbulonin.
Ne, në mënyrë proaktive duhet të margjinalizojmë leximin dekontekstualizuar të burimeve tona fetare, të cilat janë përdorur në shërbim të ideologjive të përçudnuara.
Mendimtarët dhe intelektualët myslimanë duhet të inkurajojnë një qasje gjithëpërfshirëse dhe të rishikojnë verdiktet e jurisprudencës së Mesjetës, të cilat janë dhënë në kushtet e një konflikti të përhershëm, ku përkatësia fetare shpesh përkonte me përkatësitë politike. Në thelb besimi duhet të dallojnë qartësisht nga dogmat. Ka mundësi, në të vërtetë është absolutisht e nevojshme, për të rijetësuar frymën e lirisë së mendimit që lindi me Rilindjen e Islamit, duke i qëndruar besnik thelbit të fesë. Vetëm në një atmosferë të tillë, myslimanët mund të luftojnë në mënyrë efektive ekstremizmin çnjerrëzor dhe të dhunshëm.
Pas ngjarjeve të fundit, me keqardhje dhe jo pak i pikëlluar, shoh që në disa qarqe të caktuara ripërsëritet teza e përplasjes së qytetërimeve. Nuk e di nëse ata që e hodhën për herë të parë një hipotezë të tillë e bënë këtë me një largpamësi, apo si një recetë të vizionit të tyre. Por një gjë është e sigurtë, sot ripërsëritja e një retorike të tillë i shërben vetëm përpjekjeve rekrutuese të rrjeteve terroriste. Dua ta shpreh shumë qartë se ajo që ne sot jemi dëshmitarë nuk është një përplasje e qytetërimeve, por përplasjen e humanizmit me barbarinë në qytetërimin tonë të përbashkët.
Përgjegjësia jonë si qytetarë myslimanë është që të jemi pjesë e zgjidhjes, pavarësisht nëse ndodhemi në kushte të vështira. Nëse ne duam që të mbrojmë jetën dhe liritë civile të myslimanëve në mbarë botën si dhe paqen dhe harmoninë e çdo njeriu pavarësisht nga besimi i tyre, është pikërisht momenti për të vepruar për të trajtuar problemin e ekstremizmit të dhunshëm në të gjitha dimensionet e tij: atij politik, ekonomik, social dhe fetar.
Duke bërë si pjesë të jetës sonë shembuj të virtytshmërisë, duke refuzuar interpretimet ekstremiste të burimeve fetare, duke qenë syhapur dhe vigjilentë ndaj ndikimit të tyre tek rinia jonë, dhe duke inkorporuar vlerat demokratike në kurrikulat e hershme shkollore, ne mund të luftojmë dhunën dhe terrorizmin si dhe ideologjitë totalitare që të çojnë drejt tyre.
*Ky artikull nga mendimtari dhe dijetari mysliman Fethullah Gylen u botua për herë të parë në “Le Monde” më 17 dhjetor 2015.


