Festuan 800 metra nën tokë

Tash e 12 vjet, natën e ndërrimit të viteve, kur të gjithë qytetarët festojnë, Sabri Ismailit i duhet të jetë në detyrë. Cakërrimin e gotave ai e bëri disa orë më vonë dhe pa praninë e familjarëve të tyre, pasi natën e ndërrimit të moteve e kalon me kolegët.
Janë qytetarë të zakonshëm, por për ta “nuk vlen” festa e ndërrimit të moteve. Cakërrimin e gotave ata mund ta bëjnë disa orë më vonë dhe pa praninë e familjarëve të tyre, pasi natën e Vitit të Ri duhet të jenë në detyrë. Janë minatorët, ata të cilët festën mund ta shijojnë vetëm pasi t’i kenë përfunduar të gjitha punët e natës kur bëhet ndërrimi i motmoteve. Tash e 12 vjet, në këtë natë kur të gjithë qytetarët festojnë, Sabri Ismailit i duhet të jetë në detyrë. Shefi i transportit dhe resurseve njerëzore, që nga viti 1982, është minator i gjigantit metalurgjik “Trepça”, i cili vazhdon të jetë ende forcërisht krenar për të kaluarën si motor industrial i Evropës Juglindore.
“Duhet të jesh krenar që punon në ‘Trepçë’ dhe unë jam”, thotë 52-vjeçari Ismaili, derisa arrin në hyrjen e minierës në rrëzë të një lugine të bleruar afër Mitrovicës.
“Është garanci e ekonomisë sonë, duhet ta mbrojmë e ta mirëmbajmë, pa shikuar se është ditë feste apo jo, duhet t’i përgjigjemi vendit të punës”, shtoi ai. Ismaili kujton se ishte rreth 20 vjeç kur për herë të parë gjeti një vend pune në minierën e Stantërgut, e cila llogaritet të jetë më e madhja e gjigantit industrial ish-jugosllav, në rajonin verilindor të Bajgorës. Sot, në moshën 52-vjeçare, ai po rrëshqet ngadalë drejt një pensionimi të rehatshëm, por në rrugëtimin e tij ka fituar shumë shokë, ka ndihmuar familjen e tij të gjerë të jetojë pa mungesa, si dhe ka qenë në ballë të tërmeteve politike në rajon. Pavarësisht të gjithave, ai thotë se ende gëzon shëndet të mirë dhe pasionin për “Trepçën”.
“Duhet të jem në detyrë, pa marrë parasysh se çfarë feste është. Nuk jam vetëm, kam kolegë me të cilët festojmë festën këtu në zyrat e punës”, tregon Ismaili, i cili është edhe anëtar i Sindikatës së Punëtorëve. Ismaili thotë se shpesh ia thonë edhe fëmijët dhe familjarët se iu mungon gjatë festave. “Gjeneratat e reja duhet t’i kuptojnë këto profesione”, tha ai. MST: Jeta e pazakontë e minatorit Asnjë jetë nuk mund të jetë e zakonshme, e aq më pak ajo e minatorit në “Trepçë”.
Afër hyrjes së minierës, një oxhak lëshonte një re të hollë tymi, shenjë kjo që tregon se puna po vazhdon diku në brendinë e thellë të tokës. Ramadan Gjeloshi, mbikëqyrës për mirëmbajtje, ndërron rrobat e tij, mbath çizmet dhe vendos helmetën. Bën ca hapa më tutje dhe merr llambën. Aty është edhe një platformë ku minatorët varin çdo ditë rrobat me të cilat vijnë në punë, për të veshur uniformat, para se të zbresin në zgafelle. Rrobat e tyre civile rrinë tërë ditën të varura mbi tokë, si jeta e tyre atje poshtë. Se a do t’i veshin përsëri ato pas orarit të punës, varet nga ajo se a do të dalin shëndosh e mirë nga nëntoka.
Punëtorët janë të gatshëm për një ditë të re pune nën tokë, dhe pas pak hyjnë andej përmes një dere të gjelbër mbi të cilën shkruan “Me Fat”. Në një hapësirë jo më të gjerë se 1 metër me 1, orarin prej tetë orësh e kryen edhe Bujar Ademi. Puna e tij është sinjalist. Edhe Ademi tash e 3 vjet për natën e Vitit të Ri është kujdestar. “Këtu brenda nuk e di se kur bëhet ndërrimi i moteve, por kam disa kolegë që më vizitojnë dhe tregojnë që jashtë po festohet”, shton Ademi, i mbështjellë me shall, batanije dhe çizme të thella deri në gju. Edhe një minator tjetër i cili kryen punën e mjeshtrit, Zahit Ibrahimi, duke futur në trastë një bukë, gjysmë litre qumësht me një sallam dhe tri qepë, tregonte se ai punon në horizontin e 11-të, rreth 800 metra në thellësi të tokës. “Punojmë më shumë se 10 orë gjatë ditës. Ky vullnet i punëtorëve e ka mbajtur gjallë këtë minierë, se investime nuk ka pasur”, tregonte Ibrahimi. “Trepça” është një minierë e lashtë plumbi, zinku, argjendi, kristale dhe minerale të ndryshme në Kosovë, gjegjësisht në komunën e Mitrovicës.
“Trepça” në kohën e shtetit jugosllav kishte shumë famë dhe ishte njëri ndër motorët e ekonomisë jugosllave. Në të kaluarën ky gjigant punësonte rreth 22.000 punëtorë. Produktet kryesore ishin xehet dhe koncentrati i plumbit dhe zinkut, plumbi i rafinuar dhe aliazhe të plumbit, argjend, ari, bismut, zink elektrolit dhe kadmium, acid sulfurik, acid fosforik, plehra superfosfate, akumulatorë, bateri nikelkadmiumi, municion të gjuetisë, gypa dhe tel plumbi, llamarinë të zinkuar dhe produkte prej llamarinës, materiale elektrokontakti, vagoneta, elektrolokomotiva për xehetari, pajime dhe pjesë rezervë për metalurgji dhe xehetari e produkte të tjera./zeri/