Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës” e hap shfaqja nikoqire “Kosovo for dummies”

Gjilan – Teatri i Qyteti të Gjilanit, me shfaqjen premierë “Kosovo for dummies”, të autorit Jeton Neziraj e me regji të Blerta Rrustemi Neziraj, ka hapur Festivalin e Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, njëra ndër shtyllat kryesore të Manifestimit Kulturor Kombëtar “Flaka e Janarit 2021”, që mbahet në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të rënë nëpër historinë tonë të lavdishme, për liri e pavarësi.

Festivalin “Talia e Flakës”, e ka shpallur të hapur, Deniza Limani, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, e cila në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar të gjithë ata që janë angazhuar për këtë Festival, për të gjitha ato pesë shfaqje që do të vijnë para publikut si pjesë e këtij festivali.

Duke iu dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve në sallë, ajo tha se ky teatër për çdo muaj organizon program të mirëfilltë, andaj ajo ndihet krenare me artistët tanë, dhe me ata që janë nga Gjilani e që po na bëjnë krenarë me sukseset e tyre në Kosovë e botë.

Duke iu referuar pandemisë, Limani shtoi se “Flaka e Janarit”, këtë vit na ka gjetur më ndryshe, andaj edhe po i mungon sonte salla e stërmbushur, ashtu siç ishte çdo herë, për t’i parë shfaqjet që vijnë në Gjilan, por edhe ato që realizohen premierë nga Teatri i Gjilanit, por ja që duhet të respektohen masat e vendosura nga qeveria, sepse shëndeti është më i rëndësishëm.

“Në emër të Bordit Organizativë të “Flakës së Janarit”, unë e shpalli të hapur këtë Festival të Dramës Shqipe dhe uroj e shpresoj që çdo ditë të kemi prodhime të tilla, sepse ka nevojë e gjithë Kosova dhe jo vetëm Gjilani”, ka thënë drejtoresha Limani.

Edhe drejtori i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, Erson Zymberi, nuk mundi pa e përmend faktin se për shkak të pandemisë dhe domosdoshmërisë së respektimit të rekomandimeve të IKSHPK-së dhe respektimit të masave anticovid, numri i spektatorëve është i kufizuar dhe këtë, siç tha ai, e ka përjetuar me dhimbje, sepse ky teatër, kjo sallë, kjo hapësirë, është mësuar që në festivale të tilla të jetë e stërmbushur.

Ai shtoi se e veçanta e këtij festivali është për faktin se është unik pasi është ndoshta festivali i vetëm në trojet shqiptare, i cili për bazë, për format, ka idenë që këtu të marrin pjesë vetëm dramat apo autorët shqiptar, duke qenë një zë që promovon, por edhe një mundësi e mirë që të shihet një pasqyrë reale e dramës aktuale shqipe.

Zymberi kërkoi që teatrot e qyteteve tona, të kenë në repertorin e tyre dramat shqipe, sepse vetëm kësisoj mund të flasim për një teatër të mirëfilltë shqiptar dhe vetëm kësisoj mund ta zhvillojmë dramën shqipe.

Përndryshe, në natën e parë u dha shfaqja nikoqire “Kosovo for dummies“, një prodhim premierë e Teatrit të Gjilanit, që rrëfen historinë e një vajze të re, Antigonës nga Kosova, një histori kjo sa qesharake aq edhe absurde pasi që ajo përballet me kërkesa të pakuptimta të autoriteteve zvicerane, për dokumentacione të llojllojshme, duke përfshirë këtu edhe dokumentin me të cilën do të dëshmonte se ajo nuk është rinoqeront, vetëm e vetëm që t’i refuzohej, një të huaji, në këtë rast një kosovareje, lejeqëndrimi në Zvicër.
Kur punonjës i zyrës së emigracionit, për të mos ia dhënë lejen e qëndrimit në Zvicër, vajzës nga Kosova, përveç dokumenteve tjera, ia kërkon edhe vërtetimin se ajo nuk është rinoqeront, atëherë kjo paraqet një gjetje që komedisë ia shton edhe segmentin e dramës së absurdit.

Po ashtu, përmes humori, satirës e ironisë, shfaqja në fjalë vë në pah trajtimin që u bëhet emigrantëve, paragjykimet, dallimet ndërkulturore, qasja e nëpunësve shtetëror ndaj të huajve…, për më tepër pasqyron edhe fatin e shoqërisë tonë kosovare.

Kjo shfaqje mund të shihet edhe si një ngacmim që bëhet përmes artit, të atyre që janë përgjegjës që duhet të merren me të drejtat e qytetarëve të tyre, me fokus të veçantë me çështjen e lëvizjes së lirë të kosovarëve dhe trajtimin që iu bëhet atyre në shtetet e Evropës, aty ku ata ia mësyjnë si emigrantë.

Në shfaqje luajtën: Tringa Hasani, Aurita Agushi, Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Gani Rrahmani, Avni Shkodra, Safete Mustafa.

Përndryshe, Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, do të vazhdojë tutje rrugëtimin me shfaqjen e natës së dytë (24 janar, ora 18:00), që vije prodhim i Teatrit “Muharrem Qena” nga Mitrovica. Është kjo shfaqja “Thyerja” me autor Abdyl Bunjaku e regji të Agim Selimit.

Në programin e këtij Festivali të Dramës, është edhe shfaqja e teatrit “Adriana” nga Ferizaj “Kontrolli dhe makina e dashurisë”, me autor e regjisor Bekim Ugzmajli. (25 janar, ora 18:00).

Pason teatri “Avdush Hasani”, nga Podujeva, që vjen me shfaqjen e punuar nga bashkëregjisorët Emin Emini e Agron Gërguri, “Enigma. Kush e solli Doruntinën”, dramatizim i Agron Gërgurit, bazuar në novelën “Kush e solli Doruntinën”, nga Ismail Kadare. (26 janar, ora 18:00).

Në natën e fundit, përmbyllëse e edicionit të sivjetmë të “Talia e Flakës 2021” para publikut artdashës gjilanas, do të paraqitet Teatri Kombëtar i Prishtinës me shfaqjen e punuar nga regjisori Erson Zymberi, sipas tekstit të Beqir Musliut, “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”. (27 janar, ora 18:00)./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS