Festina Kurteshi – asambleiste, moderatore e krijuese …
Gjilan – Festina Kurteshi është shkollare në Shkollën fillore “Vatra e diturisë” në Livoçin e Epërm, komuna e Gjilanit. Një 13-vjeçare shumë e talentuar. Ajo tashmë ka bërë emër jo vetëm në shkollën e saj ku mëson, por edhe në shumë mese ku zhvillon aktivitete të tjera kulturore e studimore me karakter komunal e nivel vendi. Kur bisedon njeriu me te, sikur ke përpara një vashë të rritur në moshë. Përkundrazi. Ajo është e re, por me shumë dije. Dhe, gjithçka që ajo flet, është në “takt” të dijes…
Festina Kusteshi është nxënëse e klasës se VIII-të në shkollën në fjalë. Ajo të rralla i ka shoqet në shkolla. Është e veçantë. E veçantë është si krijesë, por e veçantë është se posedon dije, urtësi, maturi, por edhe zotësi e talent në shumë fusha të dijes. Pra, ajo është shembulli se si duhet të jetë një shkollare e shkollës.
Edhe shkolla, ku ajo mëson, është krenare. Andaj, përkundër moshës së saj “njomake”, ajo të lë përshtypjen se është një shkollare e pjekur. Ajo është vajzë gjeni. Pse jo? Kudo që është paraqitur para publikut, në emisione e forma të tjera, ajo ka arritur suksese. Është shkollare që ka talent e prirjen disa fusha të jetës. Qysh tash, kur ka këtë moshë, ka hyrë në botën e “çudirave”. Nuk ka aktivitet e program që nuk merr pjesë. Ështe krijuese, por është edhe organizatore e shumë manifestimeve të ndryshme shkollore dhe jashta shkollës.
E takuam një ditë në shkollën e saj ku mëson me shumë shokë e shoqe. E pyetëm se si ka arritur këto “profesione”, ajo na tha se, qysh kur ishte si një vajzë e vogël 3-4 vjeçare ka synuar e ka pasur dëshirë gjithmonë që ta vazhdojë rrugën e ndërtimit të saj individual e njerëzor të shtruar në “tepihun” e sukseseve dhe meritave në shkollë e gjetk. – Po, tha ajo, unë jetoj me suksese. Këto suksese i arrij me punë. Natyra ma ka dhuruar talentin, por edhe shprehitë të tjera të jetës e punës. Por, një meritë e madhe shkon tek mësuesi im i parë, Ramush Këqiku, i cili, më ka ndihmuar shumë me punë të palodhshme që ka bërë për mua për të arritur suksese e të mëdha e të shumta në jetën time shkollore”.
Jo vetëm kaq. Festina Kurteshi është lexuese e pasionuar e veprave letrare. Ajo thotë se ka lexuar mjaft vepra të autorëve shqiptarë. Ka lexuar këto vepra: “Lugjet e verdha” nga R. Hoxha, “Picimuli” nga ky autor, “Lulja e kujtimit” nga Foqion Postoli, “Sikur t’isha djalë” nga Mustafë Greblleshi, “Pse?!” nga Sterjo Spasse, “Afërdita përsëri në fshat” nga S. Spasse, “Hasta la vista” nga Petro Marko, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismajl Kadare, “Halili e Hajria” nga Ndrec Lucaj et. Gati të gjitha veprat e lektyrës shkollore i ka lexuar dhe është në gjendje të flet gjatë për to. “Po, tha Festina, unë leximin e veprave e kam hobi jete e pune. Këtë hobi e kam nga mosha fare e vogël. Shih për këtë, kam filluar të merrem edhe me shkrime te ndryshme letrare. Shkruaj herë pas here poezi, prozë, tregime, ese e forma tjera letrare. Këto shkrime po i botoj në revistat për fëmijë, si janë: “Mollëkuqja”, “Pionieri” e “Zog mëngjesi” etj.
Ajo s’ndalet e rrëfen: “Isha disa herë moderatore-udhëheqëse e programeve të ndryshme kulturore që mbaheshin në shkollën tonë për nder të festive e ngjarjeve të rëndësishme. Madje, shkolla ime njihet si shkollë me suksese pune. Në garat e organizuara, që u
mbajtën në shkollën tonë, përfaqësuese e klasës sime isha unë. Dhe, me rezultatet e arritura, u shpalla fituese në shkollë. Sukseset më janë të pa ndalura. Arrita të vlerësohesha nga juria si një studiuese e zellshme dhe kurreshtare. Çdo ditë, tek unë, sukseset shtoheshin dhe bëhesha shend e vetë. Isha dy vite radhazi garuese në garat e Kuizit 1, 2, 3 fillo në RTK – Prishtinë, në të cilat programe për fëmijë u tregova shumë e suksesshme, ku si ekip, arritëm deri në qerek-finale. Aty mu dha rasti t’i shpalosi njohuritë e mia në mënyrë publike.
Po ashtu, shton Festina Kurteshi, -isha pjesëmarrëse në Olimpiadën e Matematikës, gara këto që u mbajtën në Gjilan. Pastaj, isha pjesëmarrëse e garave të organizuara nga kolegji turk “Mehmet Akif”, ku rezultatet e pikave të fituara, arrita të drejtën e shkollimit në këtë kolegj. Insistimi im që me gjithë energjinë mendore të absorboj informacione të reja dhe të zgjeroj horizontin e dijes, në një rast apo tjetër, fitoja vlerësimin meritor. E këto suksese vinin në saje të vullnetit të çeliktë, të cilin e posedoja. Gjithashtu kam qenë edhe aktiviste e organizatës joçeveritare “Iniciativa 6”. Komuna e Gjilanit për nder të Një qershorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, vendosi themelimin e Asamblesë Komunale të fëmijëve, me nga një përfaqësues nga secila shkollë e Komunës së Gjilanit.
Unë isha përfaqësuese e shkolles sime. Përzgjedhja e Kryesisë u mbajt në Kuvendin Komunal të Gjilanit ku të pranishëm ishin zyrtarë nga Njësiti Komunal për të Drejtat e Fëmijëve, Drejtori i Drejtoratit të Arsimit, z. Nazmi Musa, asambleistët si përfaqësues të shkollave, e në mesin e tyre edhe unë. Me shumicën e votave nga asambleistët, unë u zgjodha Kryetare e Asamblesë Komunale të Fëmijëve, Gjilan, më 30.5. 2014. E kjo ishte një hallkë kristalore në vargun zinxhiror të sukseseve të mia. Rreth funksionalizimit e aktiviteteve të ndryshme të Asamblesë së Fëmijëve, unë kam dhënë edhe një intervistë për gazetën Komunale “Sheshi”. Të gjitha këto suksese e të arritura mua më shërbenin si inkurajim në sfidën rutinore të procesit të shkollimit. Jam kontribuuese me shkrime të ndryshme letrare për formimin e Revistës shkollore, e cila botohet për çdo vit. Isha moderatore e një program mjaft të suksesshëm në Teatrin e Gjilanit, të organizuar nga Qendra e Kujdesit Ditor “Pema”-Gjilan-Fëmijët me Aftësi të Kufizuara.
Poashtu, jam pjesëmarrëse në debate e takime te ndryshme të organizuara nga Drejtoria Komunale e Arsimit. Njëri ndër ta është ai me temën: ”Dhuna në shkolla”, në të cilin edhe mbajta një fjalim rasti rreth pikëpamjeve të mia rreth kësaj teme. Për angazhimin dhe përmbushjen e këtyre sfidave e garave të ndryshme me sukses, jam shpërblyer me çmime, çertifikata e mirënjohje të shumta. Ishte çmimi që fitova në Orën letrare që u mbajt në shkollën time për nder të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit. Me iniciativën e mësuesit Hamit Xhymshiti dhe përkrahjen maksimale nga Drejtori i Shkollës z. Fadil Musliu, ku të pranishëm ishin shkrimtarët tanë të njohur, si: Hysen Këqiku, Gani Korça, Jusuf Bslimi, Shefik Shkodra, Mehmetali Rexhepi e shumë të tjerë, me vlerësim të poetëve të cilët ishin në përbërje të jurisë profesionale si: Shefik Shkodra dhe Mehmetali Rexhepi, u rradhita në vendin e parë me poezinë më të mirë të titulluar:”Kthehu kohë”. Pastaj mirënjohje e çertifikata për gara e aktivitete të ndryshme.
Mirënjohje si nxënësja më e mirë e shkollës, për çdo muaj në përzgjedhje të nxënësve më të mirë, jam vlerësuar me vendin e parë qe tri vite me radhë. E në këto suksese të arritshme, mësuesit e mi që pata, si: Skender Pira, Naim Musliu, Agim Elezi, Ilmije Elezi, u jam falënderuese. Jam e angazhuar rreth një Konference, si dhe botimit të një reviste ku unë kam për temë “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”. Kjo është Festina Kurteshi, asamleiste, moderatore, krijuese e fituese e shumë mirënjohjeve. Ne e shpërblyem me një: “Të lumtë, Festina!” /tefik selimi/rajonipress/


