Ferri iPhone

“Tërë ndërtesa kutërbon nga plehrat, nga djersa dhe ushqimet e shpejta. Para derës së çdo fjetoreje, ka bërllok të cilin askush nuk e mbledh.
10 vetë flenë në një dhomë, dyshemetë janë plotë hedhurina, ndërsa ormanët plotë e përplot me kacabunj”. Këto janë fjalët që ka shkruar Wang Yu, gazetari kinez i ditores “Shanghai Evening Post”, i cili ishte punësuar në fabrikën e Korporatës Foxconn në Tai Juan, për të zbuluar kushtet në të cilat prodhohen modelet e ri të telefonit celular iPhone 5.
Teksti është shkruar më 27 gusht, por tek tash është përkthyer nga mediat perëndimore.
Wang Yu tregon se sa lehtë ishte punësuar në fabrikë: iu përgjigj disa pyetjeve në lidhje me shëndetin fizik dhe mendor, ndërsa citon një nga eprorët e tij i cili i tha atij: “Nëse nuk keni ndonjë problem shëndetësor, sille letërnjoftimin dhe pranohesh”.
Kur ka hyrë në fabrikë, ka kaluar një trajnim shtatë-ditor. Në ditën e dytë ka vërejtur se sa të tmerrshme janë kushtet në fjetore, ndërsa në ditën e tretë ka marrë kontratën në të cilën p.sh. nuk përmenden orët jashtë orarit. Ai vuri në dukje se në të gjitha dritaret e kateve të mësipërme gjenden grilat, në mënyrë që të ndalen vetëvrasjet që kanë ndodhur më parë, e për çka Foxcoon doli në media me nam të keq.
Në ditën e shtatë të trajnimit të ndjekur ka pasuar një pushim, për të cilin fabrika organizoi një koncert në oborr. Nikoqiri i gostisë u tha punëtorëve: “Ne të gjithë jemi nën stres, çdo ditë, ndërsa nuk guxojmë të bërtasim kur punojmë apo kur jemi në rrugë, sepse njerëzit mendojnë se jemi të çmendur. Këtu mundeni të bërtisni, të vallëzoni e të çliroheni nga stresi”!
Ditën tjetër, gazetari filloi montimin e modelit të ri, iPhone 5. Në ndërrim erdhi në orën 19:00, ndërsa ka punuar deri në ora 7:00 të mëngjesit. Mes orës 11-12:00 kishte një pauzë të shkurtër, gjithsej 10 minuta, për të shkuar në tualet. Kohën tjetër e ka kaluar në rripat e transportit, ku ka shënjuar pjesën e prapme të modelit të ardhshëm. Ai është dashur të shënjoj në katër vende dhe ta kthej në shiritin lëvizës. Sipas llogarisë së tij, brenda një nate këtë punë e ka bërë me 3000 copë.
Pas 10 ditëve të kaluara në fabrikë, gazetari dha dorëheqje.
Më herët është shkruar se mëditja në fabrikat e Foxconn është afro 17 dollarë amerikanë, ndërsa punëtorët punojnë 12 orë në ditë, duke duruar një sërë rregullash të rënda. Në vitin 2010, 18 punonjësit kërcyen nga dritaret e dhomave të gjumit, ndërsa 14 vriten gjatë procesit të punës. Tajvanezi Terry Gou, që është pronar i korporatës, e ka zgjidhur këtë problem në një mënyrë të pazakontë: urdhëroi që në dritare të vendosen grilat, ndërsa i hoqi të gjitha privilegjet për familjet e personave që vdesin në fabrikë.
Për shkak skandalit të vetëvrasjeve, publiku ka filluar të interesohet për kushtet në të cilat punojnë punëtorët. Apple ka njoftuar më parë se për kontroll do të dërgojë inspektorët. Ky ishte një nga hetimet më të mëdha në histori, që ka bërë ndonjë kompani amerikane jashtë vendit, ndërsa rezultatet kanë treguar se punëtorët shpesh punojnë më shumë se 60 orë në javë dhe ndonjëherë shtatë ditë me radhë pa asnjë ditë pushimi. Problemi tjetër i hasur në hetim janë orët shtesë që nuk paguhen dhe mungesa e sigurisë shëndetësore. Paga mesatare mujore në tri fabrikat e Foxconn-it në Kinë është nga 360 në 455 dollarë.
Foxconn ka 1.2 milionë punëtorë në Kinë, të cilët prodhojnë produktet e kompanive Apple, Microsoft, Hewlett-Packard etj. /Telegrafi/