Uji Dea

Fermerët me ‘gishta në gojë’, milionat në xhepat e mafio-oligarkëve

/ 9 minuta lexim

Mungesë e theksuar transparenca në ndarjen e fondeve për bujqësinë

Edhe pse jepen dhjetëra milionë euro subvencione për bujqësinë, asnjë zyrtar nuk jep shpjegime pse nuk po bëhet vlerësimi i tyre. Njohësit e kësaj fushe, ndërkaq, thonë se e tëra kjo po ndodh ngase shumica e “bujqve” marrin paratë dhe bëjnë investime të vogla në bujqësi. Sipas deputetëve të opozitës dhe njohësve të kësaj fushe, ato para më nuk i kontrollon askush se si janë shpenzuar dhe, në vend se të shfrytëzohen për rritjen e prodhimtarisë, po shkojnë në xhepat e mafio-oligarkëve dhe rrjetit të tyre të inkriminuar politik. Madje ka dyshime se ato para po shkojnë deri në kriptovaluta. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Ministrisë së Bujqësisë, por edhe të Prokurorisë Themelore dhe Speciale, se përse këto dy institucione nuk po i hetojnë rastet se si po jepen subvencionet në bujqësi, kujt po i jepen dhe sa përfitojnë bujqit e vërtetë, zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën. Ndërkohë, kryetari i Federatës sindikale të bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, për gazetën “Kosova Sot” thotë se shumica e “bujqve” marrin paratë dhe bëjnë investime të vogla në bujqësi. “Andaj pikërisht kjo e lind nevojën që të bëhet vlerësimi i subvencioneve në fushën e bujqësisë”, potencoi ai.

Akuza për marrje të mitës

Sipas Tahirit, ndërmjetësuesit e këtyre punëve të pista marrin deri në 30 për qind të shumës së grantit apo të subvencionit, por sërish grantet dhe subvencionet po keqpërdoren.”Ne kemi drejtuar ankesat nëpër institucionet përkatëse dhe në prokurori, por ankesat e tyre po mrizojnë me vite në zyrat e prokurorisë, andaj edhe heshtja e tyre i lë vend dyshimit se edhe ata janë të involvuar në vjedhjen e këtyre parave”, theksoi ai.”Grantet dhe subvencionet po u jepen njerëzve të fuqishëm dhe në vend se ato t’i jepen atyre që kanë nevojë dhe që mbajnë bagëtitë e tyre në stalla dhe kushte mjeruese, ministria u jep grante atyre që kanë para dhe janë të pasur “, vijoi më tej Tahiri.

Sipas tij, kjo formë e dhënies së granteve është një keqpërdorim jashtëzakonisht i madh dhe është një padrejtësi e madhe. Ai ka akuzuar edhe drejtues të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë për këto parregullsi që po bëhen në vazhdimësi ndaj fermerëve. Tahiri thotë se si sindikatë që ka evidentuar keqpërdorime edhe te subvencionet, ku bujqit nuk mbjellin fare kulturat bujqësore. “Ka pasur raste kur personi ka marrë subvencione për 13 hektarë se gjoja ka mbjellë tri kultura bujqësore me grurë, misër dhe patate, por që në fakt nuk e ka mbjellë as një ari. Këto informata janë të verifikuara me dokumente nga anëtarët e kësaj sindikate”, tregon Tahiri.

Fondet në xhepat e militantëve dhe klientelës

Deputeti i opozitës, Salih Salihu (i pavarur), për gazetën “Kosova Sot” tha se nuk ka asnjë dyshim se në ndarjen e granteve dhe subvencioneve për fermerët në bujqësi që nga paslufta e deri më sot ka keqpërdorime të mëdha nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, sepse një pjesë e madhe e fondit ndahet për militantët e partive në pushtet dhe për ata që japin ryshfet.”Pagesat direkte dhe mbështetja e projekteve zhvillimore në bujqësi kap shifrën 46 milionë euro, kurse fondi i granteve është 23 milionë euro që ndahet për çdo vit nga MBZHR-ja. Në takimet që i kemi pasur me përfaqësues të fermerëve, ata nuk hezitojnë që të përmendin edhe emrat e atyre përfituesve, të cilët nuk janë meritorë dhe nuk merren fare me bujqësi, por që në këtë mënyrë po dëmtohen ata fermerë që meritojnë në sektorin e bujqësisë”, u shpreh ai.”Është për keqardhje se ato para më nuk i kontrollon askush se si janë shpenzuar dhe ato para në vend se të shfrytëzohen për rritjen e prodhimtarisë, po shkojnë në xhepat e mafio-oligarkëve dhe rrjetit të tyre të inkriminuar politik, e madje ka dyshime se ato para po shkojnë deri në kriptovalutat”, ka vlerësuar Salihu.

Edhe deputeti tjetër i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Ali Lajçi (VV), për gazetën “Kosova Sot” tha se duhet të kërkohet përgjegjësi për subvencionet. “Jam i mendimit se në Komisionin për Buxhet dhe Financa për çështjen e këtyre granteve dhe subvencioneve duhet që ta ftojnë Ministrinë e Bujqësisë që në detaje të raportojë në mbledhjet e komisionit”, u shpreh ai.”Do të kërkojmë që të debatohet edhe në Kuvendin e Kosovës për mënyrën se si po ndahen dhe nëse eventualisht janë keqpërdorur këto fonde, sepse në mbledhjet e komisionit për Buxhet e Financa, sikurse edhe institucionet e tjera, raportojnë zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, ku raportohet edhe për mënyrën e ndarjes së këtyre fondeve”, potencoi Lajçi.

Matrapazët ndërrojnë destinacionin e mjeteve

RCCOLA

Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, e ka kritikuar mënyrën e dhënies apo mbështetjen e fermerëve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Ai për gazetën “Kosova Sot” tha se sektori i bujqësisë nuk mund të përfitojë, por as vendi ynë me keqpërdorin e fondit të granteve dhe subvencioneve. “Mbështetja e militantëve partiakë dhe atyre që nuk janë fermerë të vërtetë po i dëmton fermerët seriozë, të cilët po kontribuojnë në shtimin e prodhimeve vendore dhe shtimin e numrit të punëtorëve”, u shpreh ai.

Sipas tij, përfituesit e këtyre granteve me dallavere ndërrojnë edhe destinimin e projekteve bujqësore.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Kosova Sot” tha se si në shumë dikastere ekonomike që dyshohet për keqpërdorime të mjeteve publike edhe subvencionet në bujqësi përveçqë po shpërlahen si mjete, njëherësh ato po janë të destinuara për militantët partiakë edhe nëse nuk i plotësojnë kushtet dhe nuk kontrollohen fare, ndërkohë që të përcjellin sesa ka ndikuar ajo përkrahje në rritjen e biznesit të caktuar dhe ndikimit në punësim.”Qëllimi final i përkrahjes së bujqve është ulja e papunësisë dhe si rezultat i saj ngritja e mirëqenies tek qytetaret, si një mundësi parandaluese për largimin e qytetarëve nga Kosova”, shpjegoi Kadriaj.”Duke u bazuar në përkrahjet e deritanishme, për fat jo të mirë shumë pak kanë ndikuar në ndikimin pozitiv ekonomik dhe njëherësh nuk janë përkrahur bujqit që me të vërtetë kanë nevojë dhe të cilët kanë dëshmuar që i kultivojnë kulturat bujqësore”, ka thënë ai.

Keqpërdorime të mëdha në ndarjen e granteve

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot” tha se nuk po bëhet vlerësimi i subvencioneve në fushën e bujqësisë, pasi nuk ka vullnet të pushtetit që të merret me këto vlerësime.”Këto subvencione shumë herë janë keqpërdorur nga zyrtarë të lartë politikë dhe ata që e kanë pasur përgjegjësinë për shpërndarjen apo dhënien e këtyre subvencioneve, duke i ndalur ato subvencione për vete, familjarët partiakët dhe në shumë raste edhe duke investuar në ndërtime të objekteve të banimit dhe ndërtimeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me bujqësinë”, u shpreh ai.”Edhe ata bujq që sot i gëzojnë ato grante dhe subvencione nuk janë bujq të vërtetë dhe nevojtarë, por janë mbi 70 për qind familjarë të mafio-oligarkëve dhe politikanëve të inkriminuar që në kurriz të bujqve i pasurojnë familjarët, shokët e të afërmit e tyre”, theksoi Grapci.

Ndërkaq, sa u përket heshtjes së prokurorisë dhe pyetjes se përse nuk po merren me këto hetime, Grapci mendon se gjithë prokuroria ka ra në gjumë të thellë, ngase ata nuk dëshirojnë që të dëmtohen mafio-oligarkët që ditaditës po i shkatërrojnë tregun e Kosovës dhe bujqit e vërtetë.

Ndërsa, deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot” thotë se me vite të tëra qeverisjet në Kosovë kanë anashkaluar rolin e rëndësishëm që e ka ekonomia bujqësore për vendin tonë, mbështetja financiare nga qeveritë e kaluara jo vetëm që janë keqpërdorur, por ndihma financiare ka qenë më e ulëta në rajon.”Kosova afro 80 për qind të sipërfaqes së përgjithshme e ka zonë rurale dhe në këtë zonë jetojnë 60 për qind e popullatës së përgjithshme dhe si aktivitet kryesor duhet të ketë bujqësinë, mirëpo sipas të dhënave statistikore vetëm 10 për qind e të ardhurave të përgjithshme sigurohen nga ky sektor dhe ky nivel i ulët i të ardhurave është pasojë e një prodhimtarie të ulët bujqësore”, ka vlerësuar ai. Sipas tij, afro 40 për qind e buxhetit të vendit harxhohet për produkte bujqësore që importohen nga vendet e rajonit.

(Kosova Sot)