Fundamenti

Ferit Hoxha: Nuk do ta sjellim Kosovën në Këshillin e Sigurimit, platforma është dialogu në Bruksel

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Shqipëria këtë muaj e pasoi udhëheqjen e Presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Shtetet e Bashkuara.

Ambasadori i Shqipërisë, Ferit Hoxha, dje ka mbajtur fjalimin e parë me marrjen e Presidencës dhe pranoi pyetje nga gazetarët.


Njëri prej tyre pyeti nëse Kosova do të jetë temë diskutimi e Këshillit të Sigurimit derisa Shqipëria është në krye gjatë shtatorit dhe se çfarë do të bëjë Shqipëria për të përmirësuar situatën në Kosovë dhe Serbia, raporton Gazeta Express.

Hoxha, që më herët u përgjigj në çështje të ndryshme të mbarë botës, tha se këtë temë e njeh mirë dhe mund të flasë gjatë.

“Është një gjë që e di shumë, shumë mirë. Po provoj ta bëj në një minutë. Çështja e Kosovës dhe misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë është në agjendën e Këshillit të Sigurimit. Ka qenë disa herë, është reduktuar disa herë dhe për arsye të mira”, tha Hoxha, derisa shtoi se Shqipëria ka kontribuar për ta zvogëluar numrin e diskutimeve për Kosovën në KS të OKB-së.

Ai tha se reduktimi ka ndodhur për dy arsye.

“Së pari, asgjë e madhe nuk ka ndodhur dhe së dyti Këshilli i Sigurimit nuk ka ndihmuar në të vërtetë në procesin e dialogut. Siç e dini procesi i dialogut është transferuar në Bruksel”, tha ambasadori shqiptar, i cili përmendi punën e emisarit Lajçak, ndihmën e SHBA-së dhe mbështetjen dhe investimet e vendeve që e përkrahin këtë proces të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Hoxha tha se po të arrihet që marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi s’do të jetë nevoja më që tema për Kosovën të shtrohet në Këshill të Sigurimit.

“Siç e dini kemi një marrëveshje të arritur në Bruksel dhe aneksin e implementimit në Ohër. Palët gati, në pikëpamjen time komplet, por le të themi gati e kanë njohur njëra-tjetrën. Nëse ajo marrëveshje vihet në praktikë, neve nuk do të na duhen më takime të Këshillit të Sigurimit, neve nuk do të na duhet të shpenzojmë burime në misionin UNMIK-ut në Kosovë dhe të tjera”.

Ai tha se marrëveshja e nxjerr Serbinë nga lidhja e saj me ish-Jugosllavinë dhe Kosovës i hap rrugën e integrimit në BE.

ARKATANA

“Unë jam absolutisht optimist që s’ka ndonjë tjetër alternativë për Serbinë ose Kosovën për të lëvizur përpara përmes dialogut, përmes zbatimit të marrëveshjes, përmes zbatimit të marrëveshjes së arritur këtë vit në Bruksel dhe Ohër, sepse kjo jep alternativën për Serbinë që të del nga bizneset e saj të papërfunduara të ish-Jugosllavisë dhe për Kosovën që të gjejë vendin e saj brenda Ballkanit Perëndimor, brenda Europës dhe për të filluar një proces sikurse gjithë të tjerët nëse duan, sepse e di që ata duan, integrimin në Bashkimin Europian dhe në NATO”.

Hoxha dha përgjigjen përfundimtare se Kosova nuk do të bëhet çështje gjatë këtij muaji.

“Kështu që, ne nuk do ta sjellim atë çështje në Këshillin e Sigurimit, sepse nuk është më një çështje e paqes dhe sigurisë. Për Kosovën është çështje ndërtimi i institucioneve, avancimin e tyre, përmirësimin e shoqërisë, integrimin në Europë dhe në NATO. Dhe Këshilli i Sigurimit nuk mund të ndihmojë në këtë”.

Hoxha mori edhe një pyetje tjetër në lidhje me Kosovën e Serbinë.

Një gazetar e pyeti atë për personat e zhdukur, dhunimet e vrasjet masive në Kosovë gjatë luftës, por ambasadori shqiptar tha se kjo periudhë s’duhet harruar, megjithatë duhet të lëvizet përpara.

“Në nuk mund të qëndrojmë aty. Ne s’duhet të harrojmë, por duhet të shkojmë përpara. Dhe mënyra më e mirë për të shkuar përpara është përmes dialogut. Mund të jetë i dhimbshëm, mund të mos jetë i lehtë, duhen sakrifica, askush s’mund të marrë 100%, por absolutisht s’ka alternativë tjetër përveç dialogut”, u përgjigj Hoxha.

Pas shpërthimit të tensioneve në veri të vendit, në fillim të korrikut presidenti serb Aleksandar Vuçiq tentoi që atë ta fusë në agjendën e Këshillit të Sigurimit.

Por, as një muaj e gjysmë më vonë, zyrtarët serbë nuk kërkuan seancë, por pas kthimit nga Athina, Vuçiq përsëriti se do të kërkonte seancë të Këshillit të Sigurimit, siç tha ai në momentin më të mirë.

Që nga korriku, Vuçiq nuk ka mundur të gjejë shtete të përshtatshme në krye të Presidencës meqë në korrik ishte Mbretëria e Bashkuar, në gusht SHBA-ja, ndërsa aktualisht në shtator Shqipëria.

Por, duket që Vuçiq e pret Kinën që ta bëjë çështje Kosovën në Këshill të Sigurimit meqë pas Brazilit në tetor, e merr Presidencën në nëntor.