KKVITI

Fenomeni i ikjes së elitave profesionale dhe shkencore

/ 16 minuta lexim

Shkruan: Fadil Maloku- “Gjithsecili dëshiron t’i shohë njerëzit e mëdhenj, por më mirë është të shohësh veprat e tyre, d.m.th. të shohësh ata vetë, sepse idetë e tyre s’kuptohen nga fytyrat e tyre, por dallohen nga veprat e tyre, sepse një faqe e keqe ndyn gjithë librin”.

1. Çka është “brain drain”apo shpërngulja e trurit?

Fenomeni i sotëm i cilësuar si “brain drain”, në fakt ka të bëjë me dukurinë e shpërnguljes apo largimit të kuadrove të reja elitiste nga vendi, e të cilat kuadro posedojnë njohuri dhe dije shkencore me standarde të pranuara ndërkombëtarisht në të gjitha nivelet akademike e shkencore, pra lëvizjen apo zhvendosjen e resurseve humane në të cilat vendi amë ka investuar dhe shpenzuar në përgatitjen e tyre profesionale.

Por, meqë është çështja për një shtresë të përzgjedhur akademike që, pak shumë i ka arritur majet dhe standardet e shkencës globale, do të doja s’ pari ta identifikojmë këtë shtresë në ambientin tonë, në mënyrë që ta analizojmë më tej atë. Sigurisht që mund të themi se, si rastë mund të jetë evident ky fenomen.
Por, gjithashtu nuk janë të rralla rastet kur ekspertët tanë të këtij niveli me dijen dhe kapacitetet e tyre të përfituara në Kosovë, kanë arritur të bëhen emra me nam në vendet ku ata janë ankoruar vetëm apo me familjet e tyre? Problemi qëndron në atë se, rastet nuk mund ta bëjnë fenomenin në fjalë.
Në fakt, ky shkrim nuk specifikohet vetëm për këtë kategori kulminante ekspertësh, por më tepër do merret me kategorinë tjetër që është duke u prodhuar në makinerinë tonë kulturore, politike e sidomos në atë sociale.

Pra, me kuadrot e reja premtuese që në një mënyrë, sipas gjithë parametrave empirik janë në horizont, apo të paktën llogariten si të tilla në procesin e (vetë)seleksionimit apo kategorizimit në hierarkinë e akomodimit global që mund të ndodhë në një të ardhme të afërt.
Them kështu, ngase shqiptarët si individualist të njohur, paradispozitën e parë për t’u “rekrutuar” në agjendat e instituteve dhe institucioneve si potenciale premtuese jashtë vendit, e kanë të dispozicion dhe të ngulitur edhe për shkak se shumica prej tyre: standardin e bërjes shkencë ashtu si edhe aftësinë e ambientimit të shpejt me atmosferën e laboratorëve shkencore perëndimore, e kanë akomoduar me kërkesat e kohës dhe nevojat e tyre.

Por, natyrisht, ky konstatim nuk mund të vlejë për të gjithë ekspertët pretendent dhe për gjithë kohën. Këtu që, e kam fjalën për ato kuadro që përgatitjet e tyre shkollore i kanë marrë ad hoc dhe që kanë shprehur në një mënyrë dëshirën për t’u shpërngulur jashtë vetëm sa për të marrë diploma dhe pregaditje të duhura, por për kuadrot që në mënyrë sistematike i kanë identifikuar prirjet e tyre të veçanta për lëmi specifike dhe natyrisht, kanë investuar mjaft mund dhe kohë për të fituar primatin e cilësuar si, “wonder child në shoqëri.

2. Pse ndodhë“brain drain”-i ?

Sot, sociologët bashkëkohor kanë arritur të identifikojnë tri llojesh apo tipash të shpërnguljes së trurit: një, që ka të bëjë me shpërnguljen e këtyre elitave të reja nga vendet e pazhvilluara në ato super të zhvilluara, tjetri, i vendeve të tranzicionit në vende të zhvilluara, dhe tre, ai i vendeve të zhvilluara në vende të zhvilluara (ani pse ky tipi i fundit mund të konsistohet edhe si një lloj qarkullimi ndërkombëtar i resurseve njerëzore).

Në sociologjinë e dijes, koncepti “brain drain”-it, ose “shpërngulja e trurit” ( për dike edhe: ikja apo largimi, zhvendosja apo edhe fluktimi) si kapital apo si resurs potencial njerëzor, prej një vendi në një vend tjetër, vetëm e vetëm për të siguruar një kualitet më të sigurt të jetës dhe profesionit, në fakt në shumë vende dhe shtete të botës mund të ketë arsye dhe pretekste të ndryshme të marrjes së përmasave alarmuese, duke filluar prej atyre: politike (mungesa e një konsolidimi permanent e institucioneve dhe kapaciteteve shtetërore); ekonomike (shkaku i krizës dhe pamundësisë së mbijetimit); sociale (varfëria permanente), etj.

Ndër shkaqet e largimit, shpërnguljes apo edhe si thuhet shpesh “kullimit të trurit të një vendi, apo shteti” kujtojë që duhet kërkuar përveç shkaqeve të mësipërme edhe në: diferencat e mëdha të pagave që jepen për të njëjtën punë: pasiguria ekonomike dhe ngjarjet e ndryshme politike (ndërrimi i sistemit): menaxhimi i perfeksionuar dhe i dëshmuar i punës që e bënë me dëshmi dhe certifikim ndërkombëtar: pastaj njohja e gjuhëve të huaja që mundëson komunikim pa kufij të dijes dhe kapitalit: debalansi mes resurseve njerëzore të pajisura me diploma ndërkombëtare të njohura dhe të certifikuara, dhe kërkesës për ta në tregun e punës së atij vendi, etj.

Pra, si shkaqe mund të merren një konglomerat i tërë faktorësh që ndikojnë në një mënyrë apo tjetër, në shpërnguljen e këtyre kuadrove të përgatitura me dije dhe aftësi dalluese nga të tjerët.

3. “Brain drain”- në globalizëm

Mund të themi gjithashtu se, ky fenomen që nuk është karakteristik vetëm për Kosovën, porse sot në kushte e procesit globalizues, apo në kushte të modernitetit të dytë (second modernity) ka infektuar shumë vende dhe shumë shtete në tranzicion dhe në zhvillim. Si i tillë, “brain drain”, ka anët e veta pozitive, por edhe ato negative.
Si anë pozitive, do të mund të numëronim, padyshim kontaktet e këtyre njerëzve me ambientet dhe me kuadrot e ngritura të vendit nikoqir, e ku përvojat e tyre të arritura, falë angazhimit të shtetit dhe ambicieve të tyre kanë bërë që ata, me dijet e tyre të arritura të premtojnë dhe të ushtrojnë ndikim pozitiv si në emancipim shoqëror, ashtu edhe në atë ekonomik e sociale.

Pozitive, pra mund të shquhet e gjithë dija e zënë përmes këmbimit të përvojave dhe të dijeve të arritura përmes teknologjisë informative dhe zbulimeve që, mund të shfrytëzohen edhe për Kosovën në të ardhmen. Ndërsa, si anë negative, duhet numëruar padyshim, pamundësinë e kombinimit të përvojës empirike me atë teorike që, në vendet perëndimore sot për sot është alfa dhe omega zhvillimore e proceseve dhe e prodhimit të dijes.

Në pamundësi për të elaboruar më tej këtë fenomen të ri jo vetëm kosovar, mendojë që hipoteza e ngritur në këtë rast, mund t’u shërbejnë gjeneratave të masterit në sociologji, për një studim më të thellë e më dubioz në të ardhmen. Për dallim nga zhvillimet në superstrukturën ekonomike që ndodhën në shek e XX, shek XXI, duket që kërkon disa nevoja dhe principe tjera identifikuese që në fakt, dallohen nga ato të shek të kaluar, ashtu që koha e këtij shekulli kërkon nga individi dhe menaxhert të mendojnë jo vetëm lidhur me atë se çka në të vërtetë është e suksesshme, por paralelisht edhe se çka mund të jetë kërkesë e kohës së ardhshme. Kur krejt këto zhvillime dinamike i këndëvështrojmë në sferën e arsimit, pyetja kryesore apo fundamentale që ka të bëjë me përgatitjet e kuadrove për shek XXI-të, kuptojmë që ka të bëjë me çështjen e asaj se, çka në fakt kërkohet për këtë kohë ( veç shkathtësisë së leximit, shkrimit , si edhe interpretimit të dijes kompjuterike).

Përgjigjet janë sot për sot janë të nduarnduarta, por shumica e sociologeve të arsimit pajtohen që, nga ekspertët e këtij shekulli, përveç tjerash kërkohen shkathtësia dhe gatishmëria e ballafaqimit me dinamikën e ndryshimeve marramendëse që po ndodhin në jetën e inovacioneve, në mënyrë që të fitohen aso dije që vazhdimisht janë në përputhje me këto zhvillime. Ose, thënë me thjesht: arsimimi gjatë gjithë jetës.

Sociologjia e arsimit, si disiplinë e re shoqërore që nënkupton involvimin e kushteve të reja shoqërore, përkatësisht determinantet e koncipimit si edhe të realizimin të këtyre determinanteve, përmes një angazhimi permanent nënkupton edhe procesin e akomodimit së bashku me atë të amalgimit. Sot , konteksti shoqërorë i sferës së arsimit, pra në shekullin e globalizimit, mundet të kuptohet përmes tri kritereve kryesore: kriterit pedagogjik, tradicional dhe kriterit të bazuar ekskluzivisht në vlera.

Gjithashtu, është aktuale në shekullin e teknologjisë informative që, roli i arsimit të fuqizohet sidomos, në rastet e ndarjeve të reja te punës me qëllim të rritjes së efikasitetit, organizimit dhe humanizmit të punës. Njohuritë e tilla, gjeneratave të reja u mundësojnë padyshim edhe që, orientimet programore të jenë për ta më të lehta dhe më akomoduese me kohën dhe trendin e zhvillimeve sociale, e sidomos kulturore.

Hidromorava

Themi kështu ngase, sot është pjekur vetëdija menaxheriale dhe ajo e pronarëve të mëdhenj të kompanive transnacionale, është pjekur efikasiteti i lartë dhe sidomos kualiteti i dukshëm që mund të krijohet vetëm me eksplorime shkencore të reja, të cilat përmes studimeve empirike në shkolla të tipit bashkëkohor, mund të mbesin konkurrencë lokale e tregut që është duke u ashpërsuar me kritere të kësaj natyre.

4 “Brain drain”-i kosovar

Kosova si një vend i varfër, ku të rinjtë e saj për çdo mëngjes zgjohen me përplot dilema (e handikape) mbi paperspektivën, në fakt po e dëshmon konstatimin tonë të mëhershëm për hiperproduksionin e pakontrolluar të kuadrove të dalura brenda kornizave të një sistemi edukativo- arsimor që, zaten edhe është identifikuar si njëri ndër gjeneratorët kryesor të thellimit të krizës dhe ashpërsimit të hendekut midis të punësuarve dhe të papunësuarve.

Të handikepuar, me faktin se në Kosovë, trendi i kësaj “ikjeje” apo fluktimi të vetëdijshëm, nuk disponon akoma me të dhëna të sakta lidhur me numrin e këtyre kontingjenteve të të rinjve që imperativ dhe synim kryesor, e kanë daljen nga getoja kolektive në të cilën ata gjenden përplot një dekadë të tërë.

Ky fakt, na bënë edhe më të shqetësuar ngase gjenerata e cila do të duhej logjikisht të kishte filluar marrjen e përgjegjësive për zhvillimin e vendit, pastaj rritjen e kapaciteteve eksploruese dhe prodhimin e standardeve tipike shkencore globale, tani preokupohet me ekskluzivitetin e vendimmarrjes për t’u larguar nga Kosova!?
Për të kuptuar këtë tendencë të “ikjes” apo shpërnguljes, do të ishte mirë të analizohen shkaqet, ngase për pasojat tash për tash akoma nuk mund të konstatojmë asgjë.
Kujtojë që shkaqet fillimisht, do të duhej kërkuar në disa drejtime dhe në disa aspekte që do të mund të përmblidheshin kryesisht, në: kushtet e dobëta të shkollimit që aktualisht ofron sistemi ynë i shkollimit, grupimet apo koncentrimet tejet të larta të studentëve nëpër institucione arsimore, procesin e seleksionimit dhe të pranimit pa kritere të duhura të kontingjenteve të reja që rekrutohen nga nivelet e ulëta, ato të mesme dhe të larta shkollore, pastaj të ardhurat jo mjaftë mobilizuese, si dhe paperspektiva në punësim që këto kontingjente të rinjësh shohin pas përfundimit të sistemit shkollor.

Natyrisht, këtë shkaqe janë përmbledhur vetëm në vija të trasha, ngase në vija më të holla do të duhej një studim më i thellë fizibiliteti për këtë çështje.
Fenomeni i “ikjes së trurit kombëtar” (national brain drain) shkaku i dështimit të sistemit tonë arsimor, është tejet kërcënues, sidomos për zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës. Sot, mbi 50% e studentëve tanë, janë të gatshëm të largohen nga Kosova, shkaku i shkollimit të dobët që atyre u ofrohet në vend.

Fenomeni i “ikjes…” (jam dakord) që, është dukuri evidentë në të gjitha shoqëritë ndërkombëtare, bile edhe në ato shoqëri të zhvilluara (problemi i studentëve të medicinës në Gjermani, ai Finlandez me shkencat shoqërore, etj), por në Kosovë gjithsesi, ka disa specifika dhe disa dimensione tjera që kujtojë se gjithë neve duhet të na bëjë të shqetësohemi dhe të mendojmë thellë për (pa)perspektivën e këtyre gjeneratave që, u ofrohet në sferën e shkollimit të lartë.

5. Çka dëshmoi një studim me student?

Sociologjinë e arsimit në fakt, e interesojnë masat e rritjes së efikasitetit në edukim. Një studim me student të departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, ka dëshmuar se “….shqiptarët e Kosovës, kanë shumë më shumë prirje individuale se sa grupore”, dhe se, “…ata janë shumë më të gatshëm se komunitetet tjera të pranojnë strategjitë kongnitive, të dizajnuara ashtu që të ndërtojnë impresione pozitive mbi vetën e tyre në shoqëri, pra në rrethin ku ata jetojnë”.
Nëse tani mundohemi të analizojmë kontekstin e zhvillimit të arsimit tonë kosovar në koherencë me zhvillimet aktuale që janë duke ndodhur në sferën e ekonomisë, kuptojmë që jo vetëm nuk ndodhë trendi i akomodimit të shkencës dhe arsimimit me ekonominë, por përkundrazi, gjykojë që janë në shpërputhje dhe digresion të thellë njëra me tjetrën.

Shembulli i një suksesi të akomodimit të arsimit me sferën e ekonomisë, e kemi Japoninë, i cili vend, qysh në vitet 60-ta të shekullit të kaluar startuan tërësisht me një sistem të ri të arsimimit, sistem ky i cili ka përcjellur jo vetëm trendin e ekonomisë por edhe atë të sferave të tjera shoqërore me përpikërinë më të madhe, duke e katapultuar vendin e tyre në mesin e pesë shteteve që, kanë ekonomi në ngritje efikase.
Në proces, me xhelozi janë ruajtur disa nga specifikat standarde të arsimit të vjetër shkollor (etnopsikologjia, mentaliteti dhe kultura), duke u kombinuar në mënyrë brilante me trendet e zhvillimeve të kohës dhe standardeve të reja.

Këta dy shembuj, na tregojnë se si edhe arsimi kosovar (kuptohet: Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së bashku me institucionet tjera kompetente: Rektoratin, Fakultetet dhe sidomos Departamentet) në fakt, do të duhej të bënin analiza dhe specifikime të standardeve që, ishin udhërrëfyese- frytdhënëse për shoqëritë në tranzicion, dhe jo të jenë një formë e copy paste-it të përvojave dhe standardeve të huaja që, fare nuk ndërlidhen as me mentalitetin, as me kulturën, dhe as me nivelin e emancipimit tonë, ashtu siç ndodhi përshembull me projektin e Bolonjës.

Një sociologji e zhvilluar në Kosovë, padyshim që do të arrinte t’i identifikonte këto dallime të sipërpërmendura që në fakt gjeneratave të reja siç i quaj unë “të internetit”, do t’u mundësonte apo të paktën lehtësonte jo vetëm procesin e certifikimit, por gjithsesi edhe atë të akomodimit me kolegët e tyre në Evropë.
Sistemi ynë arsimor i pasluftës po dëshmon gjithnjë e më shumë se nuk është në koherencë me zhvillimet aktuale dhe si i tillë, ai në njëfarë mënyre është bërë pengesë serioze për t’u akomoduar me të tjerët në rajon dhe më gjerë.

6. “Brain drain”-i në rrafshin global

Importimi dhe eksportimi i kuadrove të reja të specializuara, sot në kushtet e procesit të globalizimit mund të themi se është deri diku edhe normal, edhe për faktin se: kuadrot e reja që kanë: përgatitjet e duhura shkollore se edhe licenca shkollore adekuate me kërkesat e kompanive të mëdha nuk janë të ngarkuar më me hipoteka nacionale, etnike, politike e bile bile as kulturore të vendeve prej nga vijnë.

Shkaqet e importimit të këtyre kuadrove që zakonisht vijnë nga vendet e treta apo ato të tranzicionit (shkaku i statusit të tyre social, por edhe kushtojnë më lirë në tregun global) mund tu adresohen para së gjithash: prestigjit dhe supremacionit ekonomik që gëzojnë kompanitë globale në tregun botërore.
Po ashtu, me importimin apo joshjen e këtyre kuadrove dhe ekspertëve të rinj, në formë të angazhimit në projekte globale, kompanitë e njëjta ia vazhdojnë jetën vetës në tregun global.

Studimet e shumta, kanë dëshmuar se shumica e këtyre kontingjenteve të reja ekspertësh që pretendojnë në tregun global, si arsye apo motive nuk i kanë gjithnjë ato ekonomike, e sociale, por para së gjithash i kanë edhe disa motive tjera shtesë së kanë të bëjnë më tepër me ambiciet e tyre për t’i vazhduar studimet në ambiente adekuate dhe të sigurta sociale.

Kuptohet trendi i kësisoj i “ikjes së trurit” apo shpërnguljes, padyshim që vendeve prej nga migrojnë këto kuadro përveç që u kushton me zgjerimin e hendekut zhvillimor dhe emancipues, atyre njëkohësisht u ndihmon në përhapjen e njohurive moderne, të cilat atyre në një stabilitet të arritur social e sidomos ekonomik do të mund t’u kthehen dhe t’u ndihmojnë në krizat eventuale: financiare, ekonomike, politike apo edhe sociale. Kriza këto që për çdo dekadë po riciklohen dhe po krijojnë pakënaqësi tek qytetarët dhe vendet përkatëse./rajonipress/