Femrat kosovare heqin dorë nga pronat e tyre
Gjilan – Përfaqësues të komunave Kamenicë, Ranillug dhe Novobërdë, deputet të Kuvendit të Kosovës si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile të rajonit të Gjilanit kanë dhënë mendimet e tyre rreth zbatueshmërisë së legjislacionit që siguron barazinë gjinore në Kosovë.
Në një tryezë të organizuar nga LOGOS – HELVETAS dhe Radio Premiera, është vlerësuar se Kosova ka ligje të avancuara, por ka ngecje të mëdha në zbatimin e tyre.
Kryeredaktori i Radio “Premiera” Fatmir Matoshi ka thënë se OJQ-të dhe mediet i kanë kushtuar vëmendje të madhe përfaqësimit të femrave në institucione.”Baza ekonomike është përcaktuesi kryesor i raporteve në mes meshkujve dhe femrave në shoqërinë tonë, për sa kohë ne nuk e implementojmë ligjin për trashëgiminë familjare dhe pronat vazhdojnë të ndahen në mes vëllezërve ndërsa motrat heqin dorë nga trashëgimia, nuk mund të flasim për raportet të shëndosha në mes të gjinive. Në hulumtimin tonë të kryer shumë femra kanë thënë të kenë hequr dorë nga trashëgimia për shkak të traditës, por ne si shoqëri nuk duhet të pajtohemi me këtë dhe të vërtetojmë se traditat tona kushtëzojnë blerjen e raporteve motër – vëlla me heqjen dorë nga pasuria.” tha Matoshi.
Koordinatori i projektit LOGOS Norbert Pijls ka thënë se tema e barazisë gjinore dhe në veçanti ajo e ndarjes së drejtë të pasurisë familjare duhet të jetë temë debati në Kosovë. “Një nga arsyet pse LOGOS ka mbështetur fushata të medieve në çështje gjinore është pikërisht inicimi i debatit për çështjen e trashëgimisë familjare” ka thënë Pijls.
”Në shtetin nga vijë unë, të gjithë fëmijët marrin trashëgimi familjare, për shkak se një gjë e tillë është e rregulluar me ligj. Pra, edhe në Kosovë duhet të rregullohet kjo, për shkak se ligji e thotë kështu, edhe nëse nuk ekziston vullneti tek një numër i familjeve. Dhe, nëse nuk ndodh ndarja e drejtë e pasurisë, gratë duhet të shkojnë në gjykatë dhe ky organ do ta rregulloj këtë çështje.” ka thënë Norbert Pijls.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës Vesna Mikic ka thënë se një trajtim jo të drejtë të gjinive në Kosovë e bëjnë edhe mediet elektronike. “ Vetëm me rreth 25% të të ftuarve në programet televizive janë femra dhe atyre nuk u krijohet hapësirë e mjaftueshme që të japin mendimet dhe idetë e veta për të ardhmen e shoqërisë”, vlerësoi zonja Mikic.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Novobërdës Shefkije Mehmeti ka thënë se femrat kosovare janë të afta për të udhëhequr me proceset e qeverisjes dhe të politikës. Përderisa ajo ka thënë të angazhohet që kuota gjinore prej 30% e përfaqësimit të femrave në legjislativ të bëhet realitet i angazhimit të vet femrave dhe jo si kushtëzim që është imponuar.
Drejtoresha e Arsimit në Kamenicë Fahrije Kryeziu ka thënë se femrat kosovare janë të afta për të udhëhequr dhe vet fakti se kemi një president femër, vetëm guximi i saj për të marrë nën udhëheqje shtetin është tregues i mirë.”Unë besoj se vetëdijesimi i përditshëm që po ndodh do të ketë efektin e vet pozitiv edhe në implementimin e drejtë të ligjit për trashëgiminë familjare dhe me këtë edhe femrat do të jenë titullarë të pronave dhe pasurive familjare” tha Kryeziu.
Kryetari i Ranillugut, Gradimir Mikic ka thënë se pjesën kryesore të punës rreth avancimit të të drejtave të femrave duhet ta bëjnë vet femrat.”Në rast se ju punoni me qëllimet më të mira për të drejtat Tuaja, ju sigurojë se do të gjenden edhe meshkuj që do t`u ndihmojnë dhe do të jenë në anën Tuaj” tha Mikic./rajonipress/