KKVITI

Femra, dora që tundë ardhmërinë e një populli!

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Nga Labinotë Demi Murtezi – Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat tjera të jetës shoqërore.

Të respektuar lexues, dashamirë të fjalës së shkruar. Fillova këtë shkrim të shkurtër duke u referuar në këtë nen të Kushtetutës sonë, për t’i thënë vetes dhe juve se të gjithë njësoj, femra e meshkuj, mund të japim kontributin tonë profesional në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat tjera të jetës shoqërore, duke na siguruar barazinë gjinore si vlerë themelore të zhvillimit demokratik. Dhe ne, duke qenë 50% e popullsisë sonë, jemi të vetëdijshme për kontributin tonë të mundshëm të cilin e pret populli ynë. Jemi të gatshme të japim atë që dimë dhe mundemi, gjithnjë duke menduar për të mirën e qytetarëve tanë.

Dora e femrës – nënës tund djepin, prehri i femrës rrit brezat, fjala e ëmbël e saj shëron plagët e shpirtit. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë, por në cilën periudhë po humb besimi tek afiniteti dhe vigjilenca e femrës? Kjo dukuri sikur po thellohet në këtë periudhë të pasluftës, në krahasim me trendin e shkollimit të femrës në ditët e sotme.

Nëse i referohemi shteteve demokratike në botë shohim se kontributi i femrës në jetën socio-politike është i pazëvendësueshëm. Them kështu për faktin se Krijuesi ka bërë dallimet e tyre mashkull-femër në personalitete, si në aspektin e të menduarit dhe të reflektuarit për çështje të ndryshme, qoftë në qasjen ndaj proceseve në jetën socio-politike. Femra si natyrë karakterizohet me butësinë dhe maturinë, si vlera të qenësishme të cilat reflektojnë racionalizim të veprimtarive e aktiviteteve, si brenda shtëpisë e familjes, gjithashtu edhe në veprimtari sociale e politike. Jo rastësisht thuhet se dora e femrës/nënës tundë ardhmërinë e botës.

Çdo lexues – hulumtues i të kaluarës së afërt është i njohur për heroizmin e femrave shqiptare, e që shkarazi do përmendi Shotë Galicën e Xhevë Lladrovcin, në raport me çështjen shqiptare. Ashtu siç janë të njohura për kontributin e tyre M. Olbrait, H. Clinton e znj.Merkel, të cilat jo vetëm që bëjnë punë të vyera në ngritjen dhe fuqizimin ekonomik dhe avancimin e shteteve të tyre në piedestalet më të larta të rendit botëror, por u bënë edhe modele për liderët tjerë për qëndrimet e tyre politike ndaj shtypjes së popujve të Ballkanit nga agresori serb, e që reflektoi me pavarësimin e këtyre vendeve siç është edhe rasti i shtetit tonë Kosovës. Përkundër rasteve konkrete të sukseseve të femrës që janë evidente në botë, në Kosovën tonë edhe sot femra në jetën e skenën politike është e kufizuar. Jo pse ajo nuk dëshiron të jetë pjesë e vendimmarrjes, por sepse tek ne ende mbretëron logjika e tejkaluar se politika është e burrave dhe vetëm për burra.

Dikur ishte mungesa e shkollimit ajo që diferenconte gjinitë, ndërsa sot kush mund të jetë, kur në shkollim ato po dëshmojnë sukseset e tyre? Dikur aludohej edhe në religjion, por sot kush mund të jetë, kur të gjithë e mësuam se të dy gjinitë obligohen njësoj për të marrë dijen? Mos është kjo një tendencë për t’i ikur përgjegjësisë si shoqëri e për të hedhur fajin aty ku më së paku ka faj? I mbetet kohës dhe qasjeve profesionale të dalin me statistika, në mënyrë që të tejkalohet ky problem.

Partia e Drejtësisë brenda strukturave të saja udhëheqëse, ka vend të posaçëm për gruan, duke e futur atë si pjesë me rëndësi të hierarkisë, përkatësisht pjesë përbërëse të hierarkisë qendrore dhe lokale, përmes strukturës së Vizionit të Gruas. Aktiviteti i Vizionit te Gruas nuk është formal në partinë tonë, kontributi nuk mungon aspak, dhe pikërisht nga kjo pozitë në parti, unë kam marrë besimin dhe njëkohësisht kam shprehur gatishmërinë për kandidaturën time për kreun e komunës.

Mospërfilljen e femrës në shoqëri e kemi nuhatur edhe ne, dhe para se të futemi në fushatën parazgjedhore ne kemi organizuar debate me gratë, nga të cilat debate kemi përfituar vet dhe i kemi kontribuuar sensibilizimit të opinionit për vlerën dhe rëndësinë e gruas në shoqëri. Shembujt për sakrifica profesionale e të arriturat e lakmueshme nuk na kanë munguar në këto debate, ku kishim pjesëmarrëse gra të profesioneve të ndryshme dhe nga të gjitha partitë politike. Mirëpo në biseda e sipër kemi arritur të konkludojmë, se në shoqërinë tonë ende nuk janë tejkaluar të gjitha paragjykimet që kanë mbjellur sistemet e kaluara para demokracisë.

Dukuritë e shumta negative të shoqërisë sonë, mungesa e zbatimit të ligjit, korrupsioni e papërgjegjësia e organeve të ndryshme udhëheqëse, në një mënyrë a tjetër ndikojnë që femrat të hezitojnë ndonjëherë të marrin pozitat kyçe, por edhe që ndikojnë tek familja dhe rrethi për t’i inkurajuar ato për të marrë vendin e merituar në shoqëri. Përndryshe, në një sistem të mirëfilltë demokratik, femra nuk do të kishte nevojë të mëshirohej aq shumë për të respektuar standarde, por dhënia e mundësisë për të reflektuar me profesionalizmin e saj do të bënte që të shuheshin paragjykimet dhe të shmangeshin shumë nga dukuritë negative në shoqëri. Pra, “drejtësia për femrën nuk do të thotë vetëm barazim, por pozicionim i saj në mënyrën e duhur në shoqëri.”

KKVITI

PD-ja, qoftë me kandidimin tim, qoftë me programin e saj, angazhon femrën në politikbërje konform standardeve dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, që nënkupton se ne mundemi dhe duhemi më tepër. Ne mendojmë se gjendja momentale e Kosovës dhe e Gjilanit, është edhe rezultat i moskyçjes së grave dhe moskonsideratës për rëndësinë e prezencës së tyre në politikbërje.

Vota është mundësia reale për t’i dhënë vendin e duhur, personit të duhur, në këtë rast edhe të kandidaturave femra. Duke pasë këtë parasysh, do t’i radhisja disa prej parametrave të rëndësishëm në lidhje me këtë:

1. Vota është garantuesi i të drejtës për të shfrytëzuar të mirat e kësaj demokracie; garantues i ankesës së secilit përmes të gjitha formave demokratike karshi çdo padrejtësie që ushtrohet mbi të, si dhe garantues i një jete demokratike të dinjitetshme.
2. Pozita qendrore e gruas në shoqëri, duke filluar nga fakti që është bartësja e jetës së re në këtë botë, është edhe bartëse e proceseve kyçe jetësore, qofshin ato individuale por patjetër edhe ato shoqërore. Duke filluar prej familjes, që është shtylla kyçe e rritjes dhe edukimit të brezave të rinj, e deri tek roli i saj qenësor në ndërtimin e një shoqërie me vlera të mirëfillta demokratike.

3. Duhet insistuar që pjesëmarrja të jetë përmbajtësore e jo të kufizohemi vetëm në përfaqësimin formal për të aktivizuar gratë në politikë dhe vendimmarrje.
4. Pjesëmarrja e gruas në procesin zgjedhor është barazi, si vlerë e patjetërsueshme në demokraci dhe barazia të jetë si pikënisja e synimit.
5. Përderisa gruas i jepet mundësi formale e përzgjedhjes së saj në politikë, ajo në realitet duhet të shfrytëzojë këtë pozitë qendrore në shoqërinë tonë demokratike.
6. Ky përfaqësim formal që është përcaktuar si prezencë me 30% pa pjesëmarrje përmbajtjësore ka bërë që, gratë politikane dhe të shquara në Kosovë të individualizohen më shumë sesa feminizmi i tyre dhe fatalisht ta shuajë feminizmin e tyre. Për çdo ditë shohim se si gara individuale e mund dhe e rrënon ekzistimin e solidaritetit gjinor.

7. Aksioni pohues (1/3, apo çdo e treta grua) përqendrohet tek përmirësimi i pozitës së gruas duke e zhvendosur nga prioriteti barazinë. Kështu që zëvendësimi i idealit të barazisë me plotësimin e 1/3-tës për të përmirësuar pozitën e femrës në shoqëri, i bie pajtim me pabarazinë.

Ne po flasim për nxitje të pjesëmarrjes në procesin zgjedhor të femrës, e ky shtet po ia limiton kësaj gjinie të drejtën elementare të shkollimit, duke ia ndaluar të drejtën e praktikimit të besimit në veshje, siç është mbulesa, një normë fetare e feve qiellore.

Ndërkaq shumë media, sidomos ato të shkruara kanë nxjerrë tituj denigrues për kandidaturën time, si ‘Gruaja me shami tenton të udhëheqë Gjilanin e burrave’. Të tilla shprehje deklarative ndikojnë në nxitjen e paragjykimeve tek lexuesi, ndërsa akte të tilla dëshmojnë joprofesionalizmin e medieve tona që prezantojnë dhe transmetojnë zhvillimet socio-politike në vendin tonë.

Femra me të drejtë vote është kyçur vonë në procesin zgjedhor në shtete të ndryshme. Sa u përket këtyre zgjedhjeve, unë jam e vetmja femër me kandidaturë për kryetar komune për Gjilanin, duke qenë pjesë e shoqërisë si tërësi, e që nuk e kam ndjerë që duhet vetëm të ngris zërin për të drejtat e mia, por e ndjej se jam e barabartë. Dhe barazia për mua nuk është mit, por vlerë. Po përgëzohem e çmohem për guximin, e që guximi si vlerë është fundamentale për të ndërmarrë hapa drejt veprimit e aktivitetit pavarësisht synimeve që ia vëjmë vetes sonë. Por do të parapëlqeja që duke pasë si standard vlerësimi barazinë, të vlerësohesha për vlerat e virtytet që mundohem t’i reprezentoj.

Pavarësisht të gjithave, ne duhet të vetëdijesohemi se shoqëria duhet të përqendrohet në kthjellen e botëkuptimit të femrës, se ajo ka pozitë qendrore në shoqëri, dhe kjo nuk mund të tjetërsohet e as ndryshohet me asnjë mjet teorik e praktik.