Fëmijët shqiptarë të Zvicrës Lindore kremtojnë Ditën e Mësuesit

Me recitime, këngë e instrumentale, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë „Naim Frashëri“ në Zvicër, shënoi Ditën e Mësuesit para një numri të madh të prindërve shqiptarë.
Sot pasdite (e diel) ata u mblodhën bashkë me shumë prindër dhe fëmijë të shkollave të Zvicrës Lindore në Bazenheid të St. Gallenit për të kujtuar ditën e mësuesit dhe mësueses.
Kryetari i LAPSH-it për regjionin lindor, Vaxhid Sejdiu, në një fjalë përshëndetëse për prindërit e ardhur u ndal me theks të veçantë tek rëndësia e dërgimit të fëmijëve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe.
Ai i tërhoqi vërejtjen prindërve se obligimi juaj është ta ruani gjuhën e nënës dhe t’ua mësoni fëmijëve tuaj sepse ndryshe bukuria e fëmijëve me emra Flamur, Shqipëria, Shqiprim, Shkumbin e Berat kanë kuptim vetëm nëse këta fëmijë të bukur mësojnë gjuhën amtare e dinë të flasin shqip ka thënë Sejdiu.
Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në organizim të mësimit në gjuhën shqipe, LAPSH-i ndau mirënjohje për të gjitha mësueset, mësuesit dhe këshilltarët komunal.
S’do mend se përkushtimi që ka Vaxhid Sejdiu për organizim sa më të mirë të mësimit në gjuhën shqipe është për respekt. Tavolinat ishin të mbushura me fletushka të shumta mbi organizimin e punës së LAPSH-it; me fletëparaqitje .
Për një fjalë të rastit në podium u ngjitë edhe këshilltari i ministrit të Diasporës, z. Ahmet Asani, i cili bëri thirrje që të bashkëpunojnë me ministrinë e Diasporës, duke shprehur zotimin dhe dëshirën e tij që mësuesit e mësimit plotësues në Zvicër të paguhen nga Qeveria e Kosovës.
Gjë që nxiti z.Sejdiu t’ua rikujtoi serish të pranishmëve, se Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë „ Naim Frashëri“ në Zvicër është një organizim institucional që mbanë derën hapur për të gjithë.(albinfo)