Eko Higjiena

Fëmijët me origjinë të huaj janë më të mbingarkuar

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Enver Osmani, pedagog social dhe drejtues i Changekultur në Zürich, ka numëruar disa faktorë që tregojnë se fëmijët me origjinë të huaj janë më të mbingarkuar se fëmijët vendës.

Fëmijët me origjinë të huaj janë më të mbingarkuar se fëmijët zviceranë. Kështu u tha në një tryezë të organizuar të shtunën në Cyrih nga Qendra “A.Moissu”, nën përkujdesjen e qytetit të Zürichut, në kuadër të programit kantonal për integrim si dhe me mbështetjen e Institutit Kantonal për Çështjet e Integrimit dhe Zyrës Federale për Migracion.

Enver Osmani, pedagog social dhe drejtues i Changekultur në Zürich, ka numëruar disa faktorë që tregojnë se fëmijët me origjinë të huaj janë më të mbingarkuar se fëmijët vendës.

“Është rrugë më e gjatë për fëmijët shqiptarë në Zvicër faza nga fëmijëria deri në pjekurinë e tyre”, tha Osmani, duke e lidhur zhvillimin e tyre me integrimin e prindërve të tyre në Zvicër. Ai ka vënë theksin te gjuha që, sipas tij, luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e tyre.

“Gjuha është zanafilla e të gjitha problemeve dhe komplekseve. Megjithatë, pritshmëria është e njëjtë sikur për fëmijët shqiptarë, ashtu edhe zviceranë”, thekson pedagogu shqiptar, duke potencuar se një pjesë e fajit u adresohet prindërve që kanë mbetur pa u integruar në shoqërinë e këtushme zvicerane.

Pastaj për Osmanin zhvillimi i identiteve është më i vështirë për fëmijët me origjinë të huaj.

ARKATANA

“Dallimet interkulturore duhet të mos kenë ndikim në raport me identitetin. Në shtëpi janë 99 për qind shqiptarë, ndërsa në shkolla janë më shumë zviceranë”, potencon një fakt tjetër Osmani që i bënë fëmijët me origjinë të huaj më të ngrakuar se vendësit.

Edhe Suela Jorgaqi, drejtuese e bibliotekës Pestalozzi Hardau, Zürich, thotë se mungesa e integrimit të prindërve ndikon në zhvillimin e personalitetit të fëmijëve.

“Fëmijët janë të ndikuar nga gjendja sociale dhe financiare e tyre”, tha Jorgaqi. Ajo ka sjellë shembuj nga Biblioteka Pestalozzi në Hardau, ku fëmijët me origjinë të huaj nuk lexojnë më në gjuhën e tyre të origjinës.

Ajo ka treguar për një projekt që ka tërhequr vëmendjen e fëmijëve të huaj bashkë me prindërit e tyre. Projekti ka të bëjë me animacione, duke u ofruar fëmijëve animacione të ndryshme.

Debatin të cilin e ka moderuar Liri Lushi, ishte interaktiv dhe janë shoshitur temat me pjesëmarrësit që kanë të bëjnë edhe me shqetësimet e familjeve shqiptare këtu në Zvicër, pse fëmijët e tyre kanë më shumë vështirësi dhe mbingarkesa se fëmijët zviceranë kur kërkojnë ndonjë zanat apo shkollë tjetër, etj. Këtu referuesit e kanë adresuar fajin te sistemi zviceran që në disa raste bëhet përzgjedhja e nxënësve në mënyrë selektive.

albinfo.ch