Fëmijët e Gjilanit mbjellin 1000 fidanë të pishës në 10 shkolla
Gjilan – Nazmi Rapuca drejtor i bujqësisë tha se në kuadër të Projektit “100 drunj për 100 vjetorin e Pavarësisë” në 10 shkolla të Gjilanit pritet të mbillen mbi 1000 fidanë të pishës.
Në shenjë të shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, në 10 shkolla të komunës së Gjilanit, do të mbillen nga 100 fidanë të pishës. Nazmi Rapuca drejtor i Bujqësisë tha se ky projekt, përveç simbolikës së shënimit të përvjetorit të njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë, ka për qëllim edhe ndikimin në ngritjen e vetëdijes te shtresat më vitale të shoqërisë (të rinjtë, nxënësit etj.) për rëndësinë e gjelbërimit në ambientin tonë etj.
“Një mijë fëmijë do të mbjellin nga një fidan. Fidanët e mbjellura i emërtojnë me emrat e tyre dhe kujdesen për zhvillimin e tyre. Këta drunj, do të rriten bashkë me rriten e fëmijëve dhe jo vetëm se do të ndryshojnë tërësisht pamjen e ambientit shkollor , por do të ndikojnë edhe në rritjen e dashurisë dhe interesimit të të rinjve dhe të popullatës në përgjithësi për gjelbërimin dhe ambientin” tha Rapuca.
Rapuca tha se në kuadër të projektit nxënësve, do tu flasin ekspertët nga drejtoria për bujqësi dhe pylltari, mbi rëndësinë e bimëve për ambientin.”Gjelbërimi, në anën tjetër flet edhe për kulturën, edukatën dhe traditën e një populli. Pra, lirisht mund të thuhet se gjelbërimi është pasqyra më e mirë që tregon nivelin e zhvillimit të përgjithshëm, social, arsimor, kulturor të një shoqërie” shtoj Rapuca etj.
Shkollat ku do të mbillen nga 100 drunj (fidanë) janë:shkolla fillore në Cërnicë, Livoq të Ulët, Livoq të Epërm, Bresalc, Përlepnicë, Verbicë të Kmetocit, Miresh, Malishevë, Uglar, dhe në Pogragjë
Çdo shkollë duhet të sigurojë nga 100 nxënës të klasave më të larta, të cilët do të mbjellin nga një fidan. Shkolla duhet të sigurojë edhe mjetet e nevojshme për mbjelljen e fidanëve (lopata, shati etj.). Fidanët janë siguruar falas, nga Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari në bashkëpunim me Institutin e Bujqësisë në Pejë tha Rapuca./rajonipress/