UBT

Fëmijët e ardhmja e vendit – meritojnë më shumë respekt

/ 4 minuta lexim

Gjilan- Grupi i Grave të Komunës së Gjilanit për nder të 20 Nëntorit Ditës Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve ka përkrahur realizimin e projektit “Ligji dhe Fëmijët” të hartuar nga Njësia për të Drejtat e Njeriut – zyrtarja Komunale për të Drejtat e Fëmijëve Hanumshahe Rexhepaj, Koordinatore e NJKDNJ-së.

20 Nëntori njihet ndërkombëtarisht si dita universale e fëmijëve. Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës, i ka paraprirë, një dokument i miratuar në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në vitin 1959 me titull: “Deklarata për të Drejtat e Fëmijëve”

Realizimi i projektit “Ligji dhe Fëmijët” është bërë në Shkollën Fillore “Thimi Mitko” në paralelet e bashkangjitura të nxënësve me aftësi të kufizuara.

Është bërë shpërndarja e fletëpalosjeve me titull “Ligji dhe Fëmijët” dhe shpërndarja e bluzave fëmijëve të tri paraleleve të bashkangjitura me aftësi të kufizuara.

Në këtë broshur janë paraqitur të drejtat e fëmijëve, me moton si: Mëso për të Drejtat Tua , ”Stop Dhunës në Familje-Ligji ju mbron, Stop Lëmoshëkërkuesve-Ligji ju mbron etj.

Duke pasur parasysh se fëmija duhet të përgatitet plotësisht për të bërë një jetë individuale në shoqëri dhe të edukohet në frymën e idealeve të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe sidomos në frymën e paqes, të dinjitetit, tolerancës, lirisë, barazisë dhe solidaritetit Grupi i Grave të Komunës së Gjilanit shpreson shumë se te drejtat e fëmijëve të cilat edhe me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve janë të parapara të respektohen dhe të gjithë fëmijëve t’u garantohen pa dallim raca, gjinia, gjuha, feja origjina kombëtare, etnike ose shoqërore, paaftësia, prejardhja familjare apo çdo gjendje tjetër e fëmijëve.

KKGJILAN

Jehoha Hyseni përfaqësuese e Grupit të Grave të Gjilanit tha se çdo fëmijë ka të drejtën e lirë të shprehjes, dhe kjo e drejtë përfshin lirinë për të kërkuar për të marrë dhe për të përcjellë informacione pa marr parasysh kufijtë në formë gojore të shkruar të shtypur ose përmes çdo mjeti tjetër të zgjedhur nga vetë fëmijët.

“Ne mendojmë se familja është bazë e shoqërisë dhe mjedis natyror për rritjen dhe mirëqenien e të gjithë anëtarëve të saj e veçanërisht të fëmijëve. Duke qenë se e ardhmja e vendit janë fëmijët dhe ata kanë të drejta të barabarta si gjithë të tjerët, është obligim parësor i të gjithë neve, që të bëjmë çmos që fëmijët të respektohen ashtu si duhet dhe mos të lejohet të keqpërdoren” ka thënë Hyseni.

Edhe fëmijët me aftësi të kufizuara janë pjesë e shoqërisë. Asgjë nuk është më e rëndësishme se sa kujdesi për këta fëmijë. Edhe këta fëmijë kanë të drejtë në arsim i cili zhvillon personalitetin dhe talentin aq sa është e mundur.

Gjithashtu edhe nga institucionet shtetërore presim që të merren të gjitha masat e duhura me qellim që fëmijët të jenë të mbrojtur nga të gjitha format e diskriminimit apo ndëshkimit, pasi që edhe Konventa i obligon shtetet për mbrojtjen e të Drejtat e Fëmijëve.

Konventa për të drejtat e Fëmijëve ka për bazë atë që çdo fëmijë ka të drejtë të përfitojë nga më e mira që mund t’i ofrojë komuniteti./rajonipress/